Në psikologji inteligjenca përkufizohet si aftësia mendore për të arsyetuar e gjykuar, për të zgjidhur probleme duke mësuar nga eksperienca e duke u përshtatur me mjedisin. Ky koncept, bashkë me nënndarjet e tij, në aspekte të ndryshme, ka hasur kundërshti të herëpasherëshme, ku teoricienët përkrahin ide të ndryshme nëse inteligjenca është aftësi një apo shumëdimensionale. Inteligjenca nënndahet në disa dimensione:
Padyshim që secila prej tyre mbizotëron dhe përshtatet sipas situatave, por niveli në të cilin shfaqen nuk është i njëjtë tek të gjithë. Në ditët e sotme gjithnjë e më shumë inteligjenca natyraliste ose inteligjenca ekologjike po merr vlerë të veçantë.
Inteligjenca ekologjike përkufizohet si aftësia për të kuptuar lidhjet jetike midis njerëzve dhe natyrës, për t’u ndërgjegjësuar mbi ndikimin e njeriut në mjedis dhe pasojat e veprimeve të tij, si edhe në gjetjen e zgjidhjeve për ruajtjen e harmonisë midis njeriut dhe natyrës. Daniel Goleman, një autor i mirënjohur, fokusohet tek inteligjenca ekologjike duke analizuar pasojat mjedisore, shoqërore dhe shëndetësore të zgjedhjeve të konsumatorit në jetën e përditshme. Njerëzit duhet të mësohen se si zgjedhjet dhe sjellja e tyre e përditshme ndikojnë në mjedis, prandaj teknologjitë e avancuara duhet të përdoren për t’u mundësuar kosumatorëve të marrin vendime më të zgjuara mbi blerjet e tyre në të mirë të njerëzimit. Rritja e ndërgjegjësimit për inteligjencën ekologjike nëpërmjet konceptit të “transparencës radikale” do të na çojë drejt qëndrueshmërisë mjedisore. Transprenca radikale[1]është një qasje sipas së cilës koorporatat, organizatat ose bizneset duhet të paraqesin ndikimet e fshehura që kanë produktet e tyre (informacione të detajuara për çdo përbërës) me qëllim që konsumatorët të zgjedhin produktet sipas përparësive personale. Inteligjenca ekologjike sipas Daniel Golemanit:
- Çdo blerje ka një çmim të fshehur. Industria e blerjeve është si një ekosistem. Çdo konsumator mund të ndihmojë planetin me zgjedhjet që bën.
- E gjelbra është thjesht një mirazh. E gjelbra është një term relativ dhe jo një rezultat përfundimtar. Për shembulll, vlerësimi i ciklit jetësor[2] është një prej mënyrave për të mësuar në lidhje me inputet dhe outputet që përfshihen në një produkt të caktuar. Natyra e proceseve industriale pasqyrohet më së miri në metaforën e rrjetës Indra[3].
- Çfarë nuk dimë. Struktura e trurit të njeriut u zhvillua për të pikasur disa kërcënime të caktuara. Kjo e bën më të vështirë për ne të dallojmë dhe reagojmë ndaj problemeve aktuale që ndikojnë në mjedisin dhe shëndetin tonë si ngrohja globale, kimikatet që gjenden në disa produkte, etj.
- Inteligjenca ekologjike. Ndërkohë që natyra vepron në shkallë të ndryshme, nga nivele mikro në nivele botërore, njerëzit janë të prirur t’i perceptojnë këto shkallë ndarazi. Kjo prirje qëndron në themel të shumë prej problemeve tona mjedisore. Mbledhja dhe përpunimi i informacionit në mënyrë kolektive do të na ndihmojë të shkojmë përtej këtij kufizimi.
- Matematika e re. Njerëzit duhet të kuptojnë ndikimin e një produkti në tri fusha të ndryshme: gjeosfera, biosfera dhe sociosfera.
- Boshllëku i informacionit. Ka “asimetri informacioni”, pabarazi midis kompanive dhe konsumatorëve, përsa i përket të dhënave kyçe mbi produkte të caktuara që mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë te vendimi për blerjet.
- Zbulimi i plotë. Teknologjia e fjalës së fundit duhet t’u ofrojë konsumatorëve informacione gjithëpërfshirëse për produktet, duke i renditur sipas ndikimit mjedisor, shëndetësor dhe shoqëror, me qëllim që blerësit të bëjnë zgjedhje të mirëmenduara.
- Tëitteri. Rrjetet sociale kanë shumëzuar efektin e shpërndarjes së informacionit duke e zvogëluar asimetrinë e informacionit. Teknologjitë e reja po përshpejtojnë informimin në kohë reale.
- Ndershmëria. Etiketimet ekologjike dhe etike mund të ndikojnë në sjelljen e konsumatorit.
- Cikli i virtytshëm. Kur konsumatorët ndikojnë te kompanitë me qëllim që të përmirësojnë produktet, pa qenë e nevojshme ndërhyrja qeveritare.
- Çorba kimike. Një sërë produktesh kimike gjenden në produktet që blejmë. Konsumatorët mendojnë se kimikatet që përdoren në ditët e sotme janë të sigurta dhe të kontrolluara, por kjo nuk është e vërtetë. Në vitin 1972 u lejua përdorimi i rreth 62.000 kimikateve industriale të cilat nuk u testuan për efektet shëndetësore. Është fakt që një sërë sëmundjesh inflamatore shkaktohen nga ekspozimi ndaj kimikateve.
- Amigdala shkon për pazar. Truri i njeriut ndikon në zgjedhje. P.sh. amigdala skanon mjedisin për rreziqe dhe reagon kur dallon rrezik; percepton se diçka është e pangrënëshme helmuese ose shkakton ndjesi të keqe.
- Pyetje të forta. Drejtuesit e kompanive duhet të fokusohen në çështje madhore me qëllim që strategjitë e tyre të jenë më të qëndrueshme. Përgjithësisht mendohet se taktikat ekologjike mund të rrisin kostot dhe të jenë të panevojshme, por kompani të suksesshme si Coca-Cola dhe Procter & Gamble, janë shembuj tipikë të cilat patën përfitime nga përqafimi i këtyre ndryshimeve.
- Përmirësimi i përhershëm. Blerësit institucionalë për universitetet, spitalet dhe organizatat e tjera u kanë shtuar mandate mjedisore dhe sociale rekomandimeve të tyre për blerjet. Kur institucione të tilla përllogarisin përfitime sociale dhe mjedisore për të ndërruar produktet përmes transparencës radikale, ndikimi i tyre është më i madh. Këto vendime mund të shkaktojnë “efektin e valëzimit” dhe të çojnë në një përmirësim të përhershëm produktesh me ato që janë më të mira për shëndetin, shoqërinë dhe mjedisin.
- Mëdyshje. Disa nga rreziqet e përpjekjeve për transparencë përfshijnë zbatim të dobët, qëllime të mira të keqdrejtuara dhe vështirësi verifikimi. Përmirësimet graduale mund të jenë “shumë pak” ose “tepër vonë” nëse nuk shikojmë problemet e thella, duke përfshirë mentalitetin e konsumatorit dhe pothuajse gjithçka që konsumojmë.
- Të bësh mirë duke bërë mirë. Transaparenca radikale do të sillte një shtysë që kompanitë të bëjnë mirë, të nxisin kujdes më shumë se sa të dëmtojnë. Golemani përçon shpresë se kjo transparencë do të inkurajojë tregun e lirë të punojë në interes të publikut, jo vetëm për përfitime por edhe për të ndihmuar të shërojë marrëdhëniet njerëzore.
Përshtati: Dr. Esmeralda SHERKO
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit
Burimi: Daniel Goleman “Ecological Intelligence: The Hidden Impacts of what We Buy”
[1]Përkufizimi nga Daniel Goleman te “Ecological intelligence”
[2]Vlerësimi i Ciklit Jetësor (Life Cycle Assessment) përkufizohet si analiza sistematike e ndikimeve të mundshme mjedisore të produkteve dhe shërbimeve gjatë ciklit të tyre jetësor.
[3]Rrjeta Indranëfilozofinë budiste simbolizon universin si një rrjetë lidhjesh dhe ndërvarësish midis pjesëtarëve, ku çdo anëtar është sa manifestim i së gjithës, ashtu edhe i pandashëm nga e gjitha.