geralt - Pixabay.com

Universiteti ka shancin historik të bëhet busulla për orientimin e publikut në “cunamin’’ e informacionit ku gënjeshtra serviret si e vërtetë

Në oqeanin e sotëm të informacionit ku lundrojmë të gjithë, është bërë shumë e vështirë të orientohesh drejt të vërtetës. Ndikimi i medias mbi publikun është i lidhur edhe me rolin e gazetarëve dhe sidomos kur bëhet fjala për çështje të ndjeshme që duan një formim minimal në një fushë të caktuar.

Lajmi ose përçohet drejt publikut nëpërmjet “lajmëtarëve” ose gazetarëve. Problematika krijohet kur komuniteti për të njëjtën ngjarje “bombardohet” nga versione pa fund ose kur lajmi deformohet për shkak të mosdijes ose në mënyrë të qëllimshme. Televizioni dhe portalet janë në konkurencë ashtu si radio me televizionin dekada më pare. Pak shpresa ka nëse do të ekzistojnë lajmet/opinionet në TV pas pak dekadash, kur sot brezi i ri e ka abandonuar ekranin masivisht.

Ky është problem i kanaleve televizive të cilët në Shqipëri për momentin kanë nivel të ulët besueshmërie tek brezi i ri. Nga ana tjetër, portalet janë të shumta, në konkurencë dhe nën presionin për të mbijetuar, në shumë raste përcjellin “brroçkulla” pa fund drejt opinionit publik. Do i referohem disa lajmeve të mediave publike për të ilustruar fenomenin por edhe për të nxitur kolegët, ekspertët ose ata që konsumojnë këto lajme të reagojnë për të mbrojtur interesin publik. Para disa ditësh degjohet në një TV se buka në Shqipëri është deri 70 herë më e shtrenjtë krahasuar me vendet e tjera të Europës ose të botës.

Viktimë e këtij lajmi bëhet jo vetëm publiku, ata që e marrin si të vërtetë lajmin që vjen nga ekrani i televizioneve por edhe politikanët e nivelit më të lartë. Si ka mundësi që “lajmëtarët” janë kaq të dobët në aritmetikë kur 1 kg bukë në vendet e Europës tregtohet deri në disa euro për kg ose disa herë më shtrenjtë se në Shqipëri. Në fakt është e kundërta. Buka ende është një nga produktet disa herë më të lira në Shqipëri ndërkohë që lënda e pare, mielli, është në bursë ashtu si nafta, gazi ose kafeja.

Gazetarët nuk përfillin punën e natës të qindra ose mijërave furrëtarëve të cilët përcëllohen dhe paguhen me pagën minimale. Kjo është arsyeja e çmimit të lirë të bukës në Shqipëri. Çfarë do të ndodhë nëse këta njerëz të paguar keq do të emigrojnë dhe sektori i prodhimit të bukës do ta ketë të pamundur të gjejë punonjës në vitet që vijnë ashtu si në sektorin e bujqësisë dhe ndërtimit. Çfarë përgjegjësie ka gazetari ose kanali televiziv për mashtrimin e publikut?

Një lajm tjetër të befason kur një shoqatë në edicionin qendror në një TV jep lajmin se në Shqipëri produktet bujqësore janë të mbingarkuara disa herë më shumë me mbetje pesticidesh. Ky është kulmi. Të penalizosh produktin e vendit me dy mostra të marra në farmacitë bujqësore nga një OJF, është e pafalëshme për gazetarin, median dhe institucionet që nuk reagojnë.

Nëpërmjet dy mostrave të rastësishme të marra në terminalin e rrjetit të shpërndarjes, pretendohet se ato përfaqësojnë disa mijëra ton inpute që përdoren çdo vit në bujqësi. Si ka mundësi që lajmi i prodhuar në një garsionerë të Tiranës, serviret me kompetencë nga një lajmëtar që lexon pa referenca të besueshme dhe nuk kupton çfarë thotë. Si ka mundësi që një lajm i tillë “përdhos” pa mëshirë ata mijëra fermerë që janë rreshkur për muaj me radhë për të nxjerrë në treg frutat dhe perimet e mrekullueshme të cilat ne i konsumojmë me çmimet më të ulëta në Europë, për shkak të bollëkut dhe djersës së këtyre njerëzve të mrekullueshëm. Një falje publike nuk mjafton. Këtu duhet të ketë dhënie llogarie dhe përballje me ligjin.

Pa folur për fushatën antivaksinim, teoritë konspirative të përcjella nga persona qe nuk kanë lidhje me mjekësinë ose shkencat biologjike nëpërmjet televizoineve kombëtare. Të habit fakti se si këta njerëz gjejnë hapsirë pa fund në TV publike. Lajmi është përcjellë nga një vend në tjetrin, nga një kohë në tjetrën që kur njeriu erdhi në këtë botë, por kur ai ndryshohet me ose pa dashje, nuk quhet më lajm por gënjeshtër dhe ata që e ndryshojnë quhen mashtrues. Universiteti ka shansin historik të bëhet busulla për orientimin e publikut në këtë ‘’cunam’’ informacioni pa ngjyrë e pa shije. UBT tashmë e ka mundësinë të përçojë nëpërmjet ubgreen.al të vërtetën nëpërmjet ekspertizës më të mirë për çështje shumë të ndjeshme që lidhen me zhvillimin e vendit, sigurinë publike dhe shëndetin e konsumatorëve.

 

Prof. Dr. Seit Shallari
Përgjegjës i Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

 

Na Ndiqni në: