Mrdidg - Pixabay.com

Si të kujdesemi për distilatorin pas prodhimit të një distilati alkoolik nga frutat

Për të pasur një produkt cilësor dhe pa defekte të shprehura në aromë, ngjyrë dhe pastërti është e rëndësishme të ushtrohet kujdes i veçantë ndaj pajisjeve kryesore të prodhimit të distilateve sikurse janë tanket e fermentimit, distilatorët, enët e ruajtjes së distilatit por edhe pajisjet ndihmëse. Higjiena në distileri dhe në njësitë e prodhimit të pijeve alkoolike është parësore për të përftuar një produkt të sigurtë si në fazën e prodhimit të distilatit ashtu edhe gjatë vjetërimit në afate kohore të përcaktuara nga vetë prodhuesi nisur nga tipi i frutit, variteti dhe tipi i distilimit të përdorur për prodhimin e distilatit alkoolik.

Gjatë procesit të distilimit aparati distilues ndotet, por edhe pse dihet se distilati nuk mund të pësojë ndotje mikrobiologjike, gjithmonë duhet pasur parasysh se në sipërfaqen e brendshme të distilatorit mbeten shumë mbetje organike të cilat mund t’a tjetërsojnë ose t’i transmetojnë pijes që do të prodhohet më pas, shije dhe aroma të pakëndëshme të cilat mund t’a bëjnë pijen të pakonsumueshme si rrjedhojë e këtyre cilësive që fiton gjatë prodhimit.

Kështu, në fund të çdo distilimi është e rëndësishme që të verifikohet gjendja e pastërtisë së kaldajës pasi të jenë kryer disa shpëlarje. Është e rëndësishme që të bëhet eleminimi i çdo prezence sado të vogël të mbetjeve dhe për këtë përdoret një detergjent alkalin për të kryer larjen e kaldajës, larje e cila shoqërohet me disa shpëlarje të menjëhershme, derisa pas dy shpëlarjeve të fundit uji të dalë i kthjellët.

Të fillosh distilimin me një kaldajë të papastër do të thotë të rrezikosh për cilësinë e distilatit që do prodhohet. Menjëherë pas përfundimit të distilimit, pra kur distilatori nuk është në punë, duhet që edhe qarku i avujve alkoolike të lahet me detergjent alkalin (pra përveç kaldajës duhet të lahen edhe kapaku, kolektori, deflegmatori dhe refrigjeranti), të verifikohet funksioni i valvulës së presionit dhe të manometrit të kaldajës.

Kujdes i veçantë për pastërti duhet t’i ushtrohet zonës ku qarkullon uji, pasi siç dihet uji përmban kripëra të cilat pasi ngrohen precipitojnë duke krijuar bigore dhe kjo do të sillte ulje të shkëmbimit termik (kjo ulje për çdo milimetër bigor të krijuar, rezulton të jetë në normën 15%), prandaj këshillohet që uji i përdorur gjatë funksionimit të distilatorit të jetë i demineralizuar ose përndryshe duhet që në mënyrë periodike me detergjentë acide me bazë acidin fosforik (të cilët nuk janë të rrezikshëm në përdorim dhe janë të sigurtë) të bëhet pastrimi nga bigoret e krijuara gjatë punës duke mos rrezikuar për uljen e shkëmbimit termik dhe problemet që mund të hapen me valvulat e sigurisë. Duhet pasur parasysh se sa herë që acidet bien në kontakt me bigoret krijohet anhidridi karbonik i cili duhet të largohet. Kjo është arsyeja që banjomaria (në distilatorët me banjomari) është e pajisur me dy porta. Këto detergjentë acide përdoren normalisht në solucion ujor 5% deri në 10%.

 

Dr. Klotilda Marku
Departamenti i Teknologjisë Agroushqimore, Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.

Na Ndiqni në: