Photo by Photo by Gerald Schömbs on Unsplash.com

Peshkaqenët në Shqipëri

Mesdheu përfshin afërsisht 47  lloje peshkaqenësh dhe në ujërat tona janë rreth 20 lloje që peshkohen. Në detin Adriatik dhe Jon janë evidentuar speciet si: Peshkaqeni dhelpër (Alopias vulpine), peshkaqeni tonil (Isurus oxyrinchus Rafinesque), peshkaqeni njeringrënës (Carchadon carcharias), peshkaqeni i egër (Eugomphodus taurus), tonili (Lamna nasus), peshkaqeni me dhëmbë (hepratnchias perlo), peshkaqeni kokështypur (Haxanchus griseus), peshkaqeni i hirtë (Carcharhinus plumbeus), peshkaqeni jeshil (Prionace glauca), peshkaqeni pëllumb (Mustelus mustelus), peshkaqeni dygjilpërësh (Squalus blainvillei), peshkaqeni i baltës ose me gjemba (Squalus acanthias), peshkaqeni therës (Echinorhinus brucus), peshkaqeni bark-kadifeje (Etmopterus spinax), çekiçi (Sphyrna zygaena), pëllumbi me yllëza ( Mustelus asterias), peshk-qeni (Galeorhinus galeus), një nga llojet e peshkaqenëve blu (Carcharhinus melanopterus), peshkaqeni shtegtar (Cetorhinus maximus), peshkaqeni-derr ose peshk-derr (Centrophorus gramulosus) etj.

Peshkaqenët jane grabitqarë (disa prej tyre ushqehen me plankton, gaforre etj.), por kryesisht ata ushqehen me peshq, molusqe, krustace etj. Në përgjithësi ata kanë trup të stërgjatur të veshur me lëkurë të trashë të lëmuar apo të mbuluar me një material të imët gërryes dhe shumë të ashpër. Ndryshe nga peshqit, ata riprodhohen duke lindur këlyshë (vetëm disa prej tyre riprodhohen me vezë), por nuk janë gjitarë si delfini apo balenat. Ata nuk kanë fshikëz notimi dhe marrin frymë tek të çarat velëzore të cilat janë anash në afërsi të kokës, ndodhen 5 deri në 7 të çara të tilla. Ata kanë 5 deri në 15 rreshta me dhëmbë, të cilët janë shumë të mprehtë, janë të ngulur në mish dhe jo tek nofullat e tyre.

Shumica e tyre kanë 5 rreshta me dhëmbë në çdo nofull dhe dhëmbët e tyre janë të zëvendësueshëm. Mishi i shumë prej tyre mund të hahet fare mirë. Nga mëlçitë e peshkaqenëve  nxirret një vaj që është i pasur me vitamina, i cili përdoret në industrinë farmaceutike dhe kozmetike. Ndërsa lëkura mund të përdoret për veshje librash, këllëfë të ndryshëm, në industrinë e këpucëve, në industrinë e drurit, në galanteri për zbukurime etj.

 

Dr. Enkelejda Buda
Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: