Përse duhet kontrolluar ky dëmtues?
Është dëmtuesi kryesor i frutave që çojnë në shkatërrimin masiv të tyre.
- Dëmi i parë konsiston në dëmtimin e frutave si rezultat i shpimit që bën femra me qëllim vendosjen e vezëve. Shpimet e shkaktuara nga femra nëpërmjet ovopozitorit, janë premisë dhe porta hyrëse për zhvillimin e infeksioneve të ndryshme kërpudhore, të cilat çojnë drejt prishjes së frutit.
- Dëmi i dytë shkaktohet nga larvat, të cilat zhvillohen brenda në frutat e bimëve të lartpërmendura. Frutat e prekur, mbi lëkurë kanë pulla (njolla) në ngjyrë jeshile të errët, të cilat zbuten dhe janë pak të shtypura. Këto më vonë kalben dhe bien, pasi larvat ushqehen me tulin e frutit, të cilin e nxijnë dhe e kthejnë në një masë të qullët.
Miza mesdhetare
- Gjatësia e trupit është 4.5 – 5 mm
- Sytë i ka të kuqerremtë, me refleks të blertë.
- Krahët janë transparentë dhe të ndërprerë me 4 breza të errët në kafe.
- Barku është i verdhë me dy brazda të tërthorta me ngjyrë gri.
- Kraharori është i zi me njolla të verdha në të bardhë.
Larva
- E gjatë deri në 9 mm,
- Me ngjyrë të bardhë me nuanca të lehta trëndafili,
- Trupi është i përbërë prej 12 unazash,
- Ndërmjet vrimës anale dhe stigmave të frymëmarrjes ndodhen dy zgjatime gungore,
- Larva mblidhet në formë rrethi.
Pupa
- Është në formë vezake, me ngjyrë të verdhë ose kafe të çelur, e gjatë 4 – 5 mm.
- Është insekt i vendeve të ngrohta.
- Pragu më i ulët termik për zhvillimin e saj është 13.5 °C.
- Në varësi nga kushtet klimatike të zonës, ka 3 – 16 brezni në vit.
- Kushtet optimale për zhvillimin e saj janë kur temperatura mesatare ditore e ajrit është 26 °C dhe lagështia relative e ajrit 70 %.
- Femrat 4 – 10 ditë pas shfaqjes fillojnë të vendosin vezët.
- Vezët vendosen nën cipën e lëkurës së frutit.
- Në një ditë femra pjell nga 4 – 6 vezë, ndërsa gjatë gjithë jetës së saj, në kushte të favorshme, deri në 800 vezë.
- Pas çiftëzimit, femra kërkon për një bujtës të përshtatshëm.
- Fruta të tilla si kajsia janë të preferuara për të bujtur, por edhe të tilla si molla dhe dardha.
- Kur popullatat e mizës mesdhetare janë të larta, femrat bëhen më pak përzgjedhëse dhe infektojnë bimë bujtëse më pak të preferuara, të tilla si ulliri.
- Femra e demtuesit infekton bujtës më pak të preferuar në qoftë se bujtësit e preferuar nuk janë në dispozicion, edhe kur popullatat janë të ulëta.
- Zhvillimi embrional zgjat në varësi nga temperatura e ajrit nga 2 – 25 ditë.
- Larvat e çelura fillojnë të ushqehen me tulin e frutit duke bërë kanale (galeri).
- Zhvillimi i larvës sipas kushteve të ambjentit, përfundon brenda 9 – 50 ditëve.
- Larvat mbas zhvillimit të plotë braktisin frutin dhe kalojnë në tokë, ku në thellësinë 3 – 5 cm transformohen në pupë.
- Larvat krisalidohen edhe në sipërfaqen e tokës ose në vetë frutat.
- Stadi i pupës zgjat 12 – 60 ditë.
- Mizat e shfaqura ushqehen me lëngjet sheqerore të frutave të ndryshme ose me lule.
- Mbas ushqimit plotësues, femra fillon depozitimin e vezëve.
- Është për t’u theksuar se në mungesë të frutave, mizat janë në gjendje të zgjasin aftësinë e ruajtjes së vendosjes së vezëve për 4 – 6 muaj.
- Miza mesdhetare në të gjithë stadet e zhvillimit është shumë e ndjeshme ndaj temperaturave të ulta.
- Temperatura –2 °C është vdekjeprurëse për larvat.
Prof. Dr. Shpend Shahini
Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.