Anisakidoza, një nga zoonozat që vjen nga peshqit.
Anisakidoza është një parazitozë që mund të prekë njerëzit dhe shkaktohet nga krimbat e rrumbullakët (nematodë), që i përkasin familjes Anisakidae. Këta gjenden shpesh në sardele, harengë, açugë, skumbër, kallamarë, merluc, peshk gjel, stavrid, barbun, gjuhëz, vopë, pagri, peshk kovac etj. Rreziku vjen nga konsumi i produkteve të peshkut apo cefalopodëve të papërpunuar, të marinuar jo mirë ose të ftohur në temperatura jo të duhura, nga ushqimet sushi dhe sashimi. Njeriu është një përbujtës aksidental i cili e merr infeksionin duke u ushqyer me ushqime si peshq dhe cefalopodë të parazituar ku larvat mund të kalojnë te njeriu, në murin e traktit gastrointestinal, nga stomaku në zorrë.
Forma më e përhapur akute tek njeriu është ajo gastrike me shenja si dhembje epigastrike, të vjella, apo marrje mendsh që manifestohen pas disa orësh nga marrja e ushqimit. Shqetësimet intenstinale vijnë pas 7 ditësh nga ngrënia dhe karakterizohen nga dhembje barku, marrje mendsh, të vjella, diarre dhe temperaturë. Depërtimi i larvave në paretet gastrike apo intenstinale sjell formimin e lezioneve që më shumë janë granulomatoze, me hemorragji, nekrozë e infiltrim eozonofilik, që mund të provokojnë bllokim intenstinal dhe në disa raste shpim, çarje të organit. Format kronike janë të ndryshme. Ato mund të imitojnë sëmundje të ndryshme inflamatore dhe ulcerative të traktit të zorrëve ose të përfshijnë organe të tjera siç janë mëlçia, shpretka, pankreasi, enët e gjakut dhe zemra.
Anisakis gjithashtu është njohur si një shkak i mundshëm i alergjisë. Alergjia mund të shfaqet me urtikarie, angioedema, rinite ose konjunktivite, astmë deri te shoku anafilaktik. Diagnoza e dyshuar e anisakidozës bazohet në vëzhgimin e simptomave dhe në zbulimin e gëlltitjes së produkteve të peshkut. Diagnostifikimi i saktë është shumë i vështirë dhe mund të jepet vetëm pasi është bëre identifikimi i parazitit në indet e marra gjatë biopsive ose endoskopive. Testet serologjike për këtë patologji nuk janë të besueshme. Trajtimi i anisakidozës në shumicën e rasteve kërkon operacione për të hequr pjesën e stomakut ose zorrëve të pushtuar nga parazitët.
Si mund ta shmangim anisakidozën?
Shmangni konsumin e produkteve të papërpunuara të peshkut.
Nëse keni blerë peshk me parazitë, bëni heqje të tyre në mënyre mekanike, përpara se ata të kalojnë në muskuj. Realizoni gatim të produkteve të peshkut si skuqje, marinim apo tymosje sipas rregullave .
Kështu, larvat nuk i mbijetojnë temperaturave mbi 60°C për 10 minuta, pra temperaturat e larta që përdoren në skuqje garantojnë devitalizim të larvës parazitare. Nëse do dëshironi të hani peshq të tymosur me metodën e nxehtë, tymosja duhet të kryhet në temperatura rreth 70°deri 80°C për një periudhë kohore nga 3 deri në 8 orë, kohë kjo që është në gjendje të sigurojë ngordhjen e krimbave të anisakis. Tymosja në të ftohtë që kryhet në temperatura rreth 20-25°C dhe që shkon nga disa orë deri në disa ditë, është e pamjaftueshme për të devitalizuar larvat. Kur ju pëlqeni të hani gatime me marinim në të ftohtë, kryeni një ngrirje parandaluese sepse sjell një siguri në ngordhjen e parazitit. Ngrirja në temperatura -20°C për 24 orë ose -15°C për 96 orë, apo edhe në temperatura -35°C për 15 orë, gjithashtu garanton devitalizim të parazitit.
Dr. Enkelejda Buda
Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.
na ndricove , se e pija sardelen te gjalle me Nutribulles flm .