Pushimet verore tashmë kanë filluar e bashkë me to edhe njerëzit që do të dynden në bregdet për të kaluar ditët e nxehta në plazh. Ajri i freskët i detit dhe aroma karakteristike e bregdetit, zakonisht fillojnë të ndihen edhe më shumë, por origjina e tij mund të mos jetë ajo që ju mendoni; janë përbërjet kimike të prodhuara nga algat si dhe algat e detit ato që luajnë rol me erën e tyre karakteristike. Algat e detit janë burimi kryesor dhe më i dukshëm i përbërjeve aromatike.
Zakonisht kjo aromë është më e ndjeshme në brigjet e detit dhe gjatë zbërthimit ato prodhojnë shumë gazra të cilat luajnë rol në aromat e detit. Gazi kryesor që çlirohet është sulfuri i hidrogjenit (H2S). Ky gaz gjenerohet nga shpërbërja bakteriale e përbërjeve organike në algat e detit.
Sulfuri i hidrogjenit ka një aromë që zakonisht përshkruhet si era e vezëve të prishura dhe realisht është një gaz toksik kur ndodhet në përqëndrime të larta.
Gjithësesi, vlen të theksohet fakti se në përqëndrime të ulëta, sulfuri i hidrogjenit është i padëmshëm. Në fakt, ai prodhohet natyrshëm në trupin tonë duke luajtur rol në aromën e gazrave.
Ka patur raste kur sasira të mëdha të algave të detit mund të grumbullohen në bregdetet e plazheve duke prodhuar nivele të larta e me pasoja deri diku të rrezikshme të këtij gazi, ashtu siç ndodhi në Francë para disa vitesh, si pasojë e të cilit u gjetën në bregdet disa kufoma kafshësh.
Algat e detit vërtetë janë kontribueset kryesore për aromat në bregdet por ato nuk janë i vetmi faktor. Ato përmbajnë një përbërje të quajtur dimetil-sulfonpropiant (DMSP) në qelizat e tyre. Roli i këtij përbërësi qëndron në rregullimin e nivelit të lëngjeve në qeliza. Kjo përbërje mund të shpërbëhet si nga enzimat e algave ashtu edhe nga bakteret. Kur kjo ndodh, dimetilsulfidi (DMS) është një nga përbërësit që mund të prodhohet.
DMS është një përbërje tjetër me erë të pakëndëshme në përqëndrime të larta, shpeshherë e krahasuar me atë të lakrës. Zogjtë në të vërtetë tërhiqen nga këto aroma, pasi planktonët në det prodhojnë gjithashtu gaz dhe kjo mund t’i çojë ata drejt “gjurmëve” të peshkut.
Sasi të mëdha të DMS prodhohen në oqeane, rreth një miliardë ton. Por pavarësisht këtyre, DMS dhe sulfuri i hidrogjenit nuk janë kontribuesit e vetëm në aromën e detit. Derivatet kimikë të DMS-ve luajnë gjithashtu rol në atmosferën tonë. Megjithëse vetëm 10% e përbërjes së prodhuar në oqeane çlirohet në ajër, ajo mund të prishet duke iu nënshtruar reaksioneve kimike të cilat çojnë në formimin e aerosoleve. Aerosolet janë grimca të vogla të trupave të ngurtë ose të lëngët të pezulluara në një gaz. Në atmosferë, avujt e ujit mund të kondensohen rreth këtyre grimcave dhe kjo çon në formimin e reve.
Si përfundim lind pyetja; a është i mirë ajri i detit dhe aromat e bregdetit?
Shumica e studimeve të kryera duket se mbështeten në vetëvlerësimet e njerëzve që jetojnë pranë detit, duke i krahasuar me ata që jetojnë më larg tij, pra me përfitimet e vërtetuara shëndetësore të tyre.
Pra teksa jeni duke shijuar plazhin, mund të ndjeni benefitet dhe jo vetëm, të aromave të bregdetit.
Prof. As. Erta Dodona
Departamenti i Shkencave Agronomike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.