Proçesi i fiskalizimit në Shqipëri, risitë dhe sfidat

Aktualisht sistemi tatimor shqiptar është në një proces reformimi të thellë dhe modernizimi nëpërmjet proçesit të fiskalizimit. Fiskalizimi është raportimi në kohë reale i informacionit tatimor, është një reformë gjithëpërfshirëse e sistemit tatimor, sidomos në fushën e lëshimit të faturave që ndikon tek të ardhurat e tatimpaguesve dhe gjurmimin e shpenzimeve. Fiskalizimi është një tërësi masash që tatimpaguesit duhet të zbatojnë për lëshimin e faturave në furnizimin e mallrave dhe shërbimeve. Proçesi i fiskalizimit ka si qëllim të reduktojë evazionin fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë, duke monitoruar dhe kontrolluar qarkullimin e të gjitha transaksioneve si edhe të lëvizjeve të mallrave dhe shërbimeve.

Proçesi i fiskalizimit përfshin:

  • Ndryshimin e kornizës ligjore
  • Zbatimin e teknologjive të reja
  • Riorganizimin e administratës tatimore
  • Gjithëpërfshirjen dhe krijimin e një filozofie të re menaxhimi dhe administrimi fiskal: tatimpaguesit bëhen partnerë dhe pjesëmarrës në proces.

Fazat e Fiskalizimit

Fiskalizimi përfshin tre faza deri në implementimin e plotë të tij:

  1. “B2G”: Faza e parë përfshin përpilimin elektronikisht të faturave tatimore për subjektet që kanë një marrëdhënie shitblerjeje me institucionet shtetërore. Implementimi i kësaj faze ka filluar në 01.01.2021. Lëshimi i faturës tatimore me entet publike, nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar, realizohet nëpërmjet sistemit të fiskalizimit.
  2. “B2B”: Faza e dytë përfshin përpilimin elektronikisht të faturave tatimore midis subjekteve private që kanë një marrëdhënie shitblerjeje dhe pagesa/arkëtimi kryhet pa para në dorë (vetëm me bankë). Implementimi i kësaj faze fillon në 01.07. 2021. Të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që do t’i lëshojnë një faturë tatimore një subjekti tjetër privat do të realizohet nëpërmjet sistemit të fiskalizimit.
  3. “B2C”: Faza e tretë përfshin përpilimin elektronikisht të faturave tatimore për subjektet që kanë një marrëdhënie shitblerjeje me subjekte private dhe konsumatorët finalë. Implementimi i kësaj faze fillon në 01.09. 2021. Të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që do t’i lëshojnë një faturë tatimore një subjekti privat dhe subjekt privat me konsumatorin final, do të realizohet nëpërmjet sistemit të fiskalizimit. Në këtë fazë pagesa dhe arkëtimi bëhet vetëm me para në dorë.

 

Cilët tatimpagues e kanë detyrim për të qenë pjesë e fiskalizimit dhe cilët përjashtohen?

Detyrimin për të qenë pjesë e fiskalizimit e kanë të gjithë tatimpaguesit si më poshtë:

  • Të gjithë personat fizikë dhe juridikë, subjekte të tatimit mbi fitimin, të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin dhe të TVSH-së.
  • Organizatat jofitimprurëse, njësitë e zbatimit të projekteve, organet publike qendrore dhe vendore, organizatat politike dhe organet e tjera të ngjashme kur kryejnë veprimtari ekonomike.
  • Tatimpaguesit rezidentë ose jo-rezidentë, pavarësisht nga forma e organizimit, kur furnizojnë mallra ose shërbime për organet publike apo shitblerjeje në forma të tjera.
  • Jo rezidentët për furnizimin me mallra ose shërbime në Republikën e Shqipërisë kur janë subjekt i tatimit në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet një përfaqësuesi tatimor.

 Tatimpaguesit që përjashtohen nga proçesi i fiskalizimit janë si më poshtë:

  • Individët.
  • Organet publike.
  • Prodhuesit bujqësorë (fermerët të cilët janë pjesë e kompensimit).
  • Tatimpaguesit që shesin bileta ose abonime mujore dhe/ose vjetore për transportin e pasagjerëve në sektorin e transportit publik urban.
  • Ambulantët.
  • Shërbimete sigurimit dhe risigurimit.
  • Dhënia dhe negocimi i kredisë dhe administrimi i kredisë nga huadhënësi.
  • Transaksionet financia
  • Menaxhimi i fondeve të investimeve për qëllime të ligjit për “sipërmarrjet e investimeve kolektive”.

 E rëndësishme për t’u mbajtur në vëmendje!

  • Çdo tatimpagues duhet të lëshojë një faturë për çdo furnizim të mallrave dhe shërbimeve, pavarësisht se cili është klienti (tatimpagues tjetër, organizatë jofitimprurëse, individ etj.).
  • Fatura duhet të lëshohet për transaksione me ose pa para në dorë.
  • Fatura duhet të lëshohet kur ka dhe nuk ka detyrim për të ngarkuar TVSH-në.

Cilat pagesa konsiderohen me dhe pa para në dorë për qëllimin e fiskalizimit?

Pagesat me para në dorë janë me:

  • Kartëmonedha dhe monedha.
  • Kartë krediti dhe debiti.
  • Çek.
  • Kartat e kompanisë së shitësit dhe të ngjashme.
  • Porosi (në situatë specifike kur lëshohet një faturë përmbledhëse).

Pagesat pa para në dorë janë me:

  • Llogari të transaksioneve (shitje–blerje).
  • “Factoring”.
  • Kompensimin (midis llogarive të tatimpaguesit, llogaritë e arkëtueshme/pagueshme).
  • Transferimi të të drejtave ose borxheve.
  • Heqjen dorë nga borxhet.
  • Pagesa në natyrë (klering).
  • Pagesa të tjera pa para në dorë.
  • E rëndësishme për t’u mbajtur në vëmendje!
  • Nuk është e mundur të lëshohet faturë për kombinimin e pagesave me dhe pa para në dorë.
  • Nëse shitësi lëshon një faturë së bashku me një urdhër pagese (premtim pagese) të cilën klienti mund ta paguajë drejtpërdrejtë në bankë ose përmes e-banking-ut të tij, ose në institucione të tjera financiare jo banka ose të ngjashme, mënyra e pagesës do të konsiderohet pagesë pa para në dorë.

Cfarë duhet të mbajë në vëmendje tatimpaguesi kur lëshon faturë nëpërmjet sistemit të fiskalizimit?

  • Tatimpaguesi që ka lëshuar një faturë tatimore nuk mundet që thjesht ta fshijë atë ose të bëjë një stornim (eleminim) në sistemin e tij elektronik, por duhet të lëshojë një faturë korrigjuese dhe ta fiskalizojë atë gjithashtu.
  • Fatura korrigjuese duhet të ketë një referencë në faturën që po korrigjohet, pra NSLF (Kodi i Sigurisë i Lëshuesit të Faturës) e faturës që po korrigjohet dhe të gjithë elementët e tjerë të faturës sipas Ligjit.
  • Fatura korrigjuese duhet të fiskalizohet gjithashtu dhe pas verifikimit nga sistemi informatik i administratës tatimore, nëse verifikimi ka qenë i suksesshëm, do të marrë një NIVF (Identifikuesi Unik i Faturës).
  • Në rastet kur tatimpaguesi duhet të ndryshojë elemente të tjerë të faturës të cilat janë të pasakta (për shembull NIPT i blerësit, mënyra e pagesës etj.), atëherë së pari duhet të lëshojë një faturë korrigjuese me të gjithë elementet e njëjtë si në faturën origjinale (përveç datës së lëshimit dhe numrit të faturës, të cilat janë elementet që lidhen me vetë faturën korrigjuese) dhe të gjithë shumat duhet të jenë negative.
  • Pas kësaj duhet të lëshohet një faturë e re me të dhëna të sakta dhe duke iu referuar kodit të sigurisë së lëshuesit të faturës së parë të lëshuar (të origjinalit dhe jo të faturës korrigjuese).

Ruajtja e faturave tatimore:

  • Çdo person i tatueshëm duhet të marrë masa për të ruajtur faturat e lëshuara nga ai vetë, nga blerësi ose marrësi, në emrin e tij dhe për llogari të tij, nga një palë e tretë, dhe të gjitha faturat që ka marrë.
  • Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë vetë vendin e ruajtjes së faturave ose informacionin e ruajtur, me kusht që ai t’i vendosë në dispozicion të autoriteteve kompetente menjëherë kur kërkohet nga ana e tyre.
  • Periudha e mbajtjes gjatë së cilës personi i tatueshëm duhet të sigurojë që të ruajë faturat është 5 vite kalendarik të plota, duke filluar nga viti që pason vitin kur është lëshuar fatura.

Cili është detyrimi i lëshuesit të faturave?

  • Sigurimi i një çertifikate elektronike nga AKSHI.
  • Dërgimi elektronikisht i informacionit mbi:
  • Vendet e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.
  • Operatorët.
  • Mirëmbajtësin e softuerit.
  • Instalimi i softuerit të ri dhe internetit dhe një pajisjeje elektronike nëse nuk mund të përdoret e vjetra.
  • Hapja e një llogarie bankare, nëse nuk e kanë një të tillë.
  • Vendosja çdo ditë elektronikisht e gjendjes fillestare të arkës.
  • Kontrolli çdo muaj i librit të paraplotësuar të shitjeve dhe të blerjeve.
  • Kontrolli çdo muaj (ose tremujor) i deklaratës së paraplotësuar të TVSH-së.

 Detyrimi për regjistrim:

  • Për qëllim të procedurës së fiskalizimit, zbatohet detyrimi i mëposhtëm për regjistrim:
    1. Regjistrimi i detyrimit për lëshimin e faturës (vetëm për persona të caktuar).
    2. Regjistrimi i vendeve të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.
    3. Regjistrimi i operatorëve.
    4. Regjistrimi i mirëmbajtësit të softuerit.
    5. Regjistrimi i pajisjeve elektronike të faturimit.
    6. Regjistrimi i depozitës së parave kesh në arkë.

 

  • E rëndësishme për t’u mbajtur në vëmendje!
    • Tatimpaguesi mund të regjistrojë si mirëmbajtës të tij vetëm personin që është regjistruar më parë në regjistrin e AKSHI-it të prodhuesve dhe mirëmbajtësve të zgjidhjeve softuerike.
    • Tatimpaguesi mund të përdorë zgjidhjen softuerike për lëshimin e faturave vetëm nëse është vërtetuar nga AKSHI dhe nëse prodhuesi i kësaj zgjidhje softuerike është i regjistruar në regjistrin e AKSHI-t të prodhuesve dhe mirëmbajtësve të zgjidhjeve softuerike.

Cilat janë avantazhet dhe disvanatazhet e proçesit të fiskalizimit dhe sfidat e tij?

Kalimi nga përdorimi i faturës me dorë në atë elektronike përcakton një marëdhënie të re midis administratës tatimore dhe tatimpaguesit, i cili ka avantazhe dhe disavantazhe për të dy palët.

  • Avantazhet për administratën tatimore/institucione të tjera:
  1. Kontrolli në kohë reale i shitjeve dhe blerjeve të tatimpaguesit.
  2. Verifikimi sipas artikujve, mallrave dhe shërbimeve që kryen tatimpaguesi.
  3. Përdorimi i të dhënave nga institucione të tjera në lidhje me statistika të ndryshme.
  • Avantazhet për tatimpaguesin:
  1. Lehtësia dhe kursimi i kohës në përdorim e faturave elektronike.
  2. Nxjerrja në kohë reale e të dhënave nëpërmjet sistemit të faturave elektronike.
  • Disavantazhet e tatimpaguesit:
  1. Kosto fillestare dhe të përvitshme që duhet të mbulojë. Këto kosto variojnë nga 100–300 euro për bizneset e vogla me qarkullim deri në 10 milion lekë dhe mbi 1500 euro për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.
  2. Përgatitja e një stafi fix dhe të përhershëm për implementimin e faturës elektronike.

Në këtë kontekst, qeveria duhet të vlerësojë mundësinë e mbulimit të kostos, qoftë edhe pjesore, sikurse u veprua në rastin e pajisjes me kasa fiskale nëpërmjet kompensimit të detyrimeve të ndryshme tatimore. Gjithashtu duhet theksuar që sistemi i fiskalizimit që po implementohet është i veçantë dhe gjithëpërfshirës, duke përfshirë njëkohësisht biznesin e madh dhe të vogël dhe Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe Europë që po implementon një system të tillë. Vendet e ndryshme të BE-së si Italia, Spanja dhe Kroacia, kanë implementuar sistemin e fiskalizimit vetëm për një kategori biznesi, atë të madh. Nga ana tjetër, përdorimi i deritanishëm i sistemit të fiskalizimit ka paraqitur problematika dhe vështirësi në përdorim nga tatimpaguesit. Si rrjedhim, progresi i implementimit të sistemit të fiskalizimit mund të jetë i ngadaltë dhe me vështirësi dhe me përfshirjen e biznesit të vogël sfidat mund të jenë më të shumta.

Ku mund të marrim informacion?

  • Duke ndjekur në mënyrë të vazhdueshme faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT):

 

 Prof. Asoc. Dr. Skender Uku
Departamenti Financë Kontabilitet, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT

 Msc. Luftar Murrizi
Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj

Na Ndiqni në: