Çështje të etikës bujqësore, pjesë e diskutimeve të gjera në aspektin global

“Erozioni” në Etikën Bujqësore është një artikull modest e ndërgjegjësues dhe mundëson diskutime dhe dhënie mendimesh për një fushë pak të adresuar, siç është etika bujqësore.

Kjo tematikë do të ndahet në 4 artikuj me të cilët do të njiheni në vijimësi. Në median online UBgreen.al do të mund të lexoni në ndarjet e sipërpërmendura temat e mëposhtme:

  1. Koncepte të përgjithshme për etikën bujqësore
  2. Çështje të etikës bujqësore që shtrohen për diskutim në aspektin global
  3. Disa situata dilematike etike të natyrës social – ekonomike e mjedisore në vendin tonë
  4. Sfidat për të ardhmen

Çështje të etikës bujqësore, pjesë e diskutimeve të gjera në aspektin global

Në thelb dilemat etike qofshin këto në nivel kombëtar, rajonal apo global, fokusohen në tre çështje kryesore:

  • Sigurimi ushqimit (Food security)
  • Siguria ushqimore (Food safety)
  • Teknologjitë e reja

Pra veç të tjerave, dimensioni etik i bujqësisë, rrjedhimisht është i lidhur me diskutimet mbi aplikimin e teknologjive të reja /moderne, të cilat krahas benefiteve, lypset të adresojnë implikimet sociale dhe mjedisore.

Implikimet sociale: Mënyra se si këto teknologji do të ndikojnë në strukturat sociale, ekonomike dhe institucionale, duke marrë në konsideratë problematikat për drejtësinë, pra qasje të barabartë, pjesëmarrje në vendimarrje si dhe shpërndarje të drejtë të produkteve.

  • Implikimet mjedisore: Efektet mjedisore mbi shëndetin e njeriut dhe kafshëve si dhe financimin e studimeve në lidhje me to.

Referuar, Gardiner, S. 2016: “Veprimi kolektiv i gjeneratave të mëparshme që shfrytëzojnë të ardhmen, duke marrë përfitimne modeste për veten e tyre, ndërsa kalojnë kosto potencialisht katastrofike më vonë, konsiderohet kërcënim i një “tiranie të bashkëkohësave”.

Zgjidhja e situatave dilematike është proces në vazhdim dhe jo i lehtë. Në fushën e bujqësisë, aplikimi i teknologjive të reja, sjell me vete edhe nevojën për diskutime etike. Pranimi i një teknologjie duhet të bazohet jo vetëm në qendrueshmërinë teknologjike, por edhe në atë se si është perceptuar të jetë shoqërisht, politikisht dhe ekonomikisht e mundshme/e pranueshme, nga pikëpamja e grupeve të ndryshme. Si rrjedhojë një sërë “dilemash” duhen diskutuar, peshuar, përballuar dhe marrja e vendimeve të drejta, jo vetëm nuk është një çështje bardhë e zi, por mjaft e vështirë për të arritur një “pajtim” midis palëve në rast të interesave të ndryshme.

Lobime të ndryshme paraqesin argumenta bindëse për të mbrojtur secila idetë dhe interesat e veta të cilat shpesh, janë diametralisht të kundërta.

Etika bujqësore konsiderohet një disiplinë në zhvillim, me rëndësi për formulimin e politikës publike, brenda konteksit të një kontrate shoqërore. (Grimm.H, Ethical issues in Agriculture, 2011)

Pikërisht “Kontrata shoqërore” përbën edhe elementin më të vështirë në këtë proces.

Pyetja lakonike “A është etike?” në përgjigjen e saj përballet me një realitet të dhimbshëm ekonomiko -social dhe mjedisor në nivel global, sidomos për vendet në zhvillim.

Bollëk përballë mungesës (Suficiti ushqimor përballë pamjaftueshmërisë së ushqimit)

A është Etike?

Të hedhësh ushqimet e tepërta dhe mbeturinat ushqimore kur sufiçiti i përgjithshëm ushqimor, vetëm i SHBA-së mund të ushqejë të uriturit e Afrikës? Sipas të dhënave statistikore 5% e mbetjeve ushqimore vjetore të SHBA-së barazohen me ushqimin njëditor për 4 milionë njerëz të uritur.

“Food waste” në disa këndvështrime është një sjellje joetike në tërësi përballë varfërisë, (aspekti i qartë etik) dhe lekëve të hedhura kot (aspekti ekonomik). Në aspektin mjedisor, biodegradimi i ushqimit rezulton me çlirimin e metanit, GHG, rreth 20 herë më i dëmshëm se dioksidi i karbonit.

Cilësi ushqimi përballë urisë (OMGJ-të përballë varfërisë ekstreme)

A është Etike?

Të mos diskutojmë vlerën e OMGJ-ve si një zgjidhje e mundshme ndaj varfërisë ekstreme? Tëmos diskutohen avantazhet e tyre si prodhimi i lartë, rezistenca ndaj dëmtuesve etj, përballë disa disavantazheve si alergjia apo ulja e efiçensës ndaj antibiotikëve?

Për ambientalistët është bërë një herezi, termi OMGJ, kur në të njëjtën kohë, miliona njerëz vdesin nga uria. Pa dyshim alternativat dhe gjetjet për raporte të drejta midis ruajtjes së mjedisit, shëndetit, sigurimit të ushqimit dhe sigurisë ushqimore janë të mundshme.

Biofuel përballë ushqimit (Biokarburantet përballë urisë globale)

A është Etike?

Të prodhosh biokarburante nga bimë që përdoren për ushqim dhe kultivohen në toka bujqësore kur në botë vdesin nga uria dhe kequshqyerja miliona fëmijë?

Prodhimi i biokarburanteve dhe ndikimi në urinë globale është një çështje e mprehtë, e ashtuquajtura “beteja ushqimore përballë karburantit”, betejë që argumenton nga njëra anë benefitet dhe nga ana tjetër dëmet jo vetëm përballë rrezikut të sigurimit të ushqimit, por edhe pasojat e monokulturës, konkurencës për tokë dhe ujë, biodiversitetit, etj. Qëllimi i mirë i prodhimit të biokarburanteve, përballet me rritje të çmimit të produkteve ushqimore dhe rrjedhimisht në rritje të nivelit të varfërisë, që në disa raste ka kërcënuar edhe stabilitetin politik (Kriza ushqimore e viteve 2007-2008 në Kamerun, Meksikë, etj). Megjithatë është fakt që nga viti 2000 deri në 2018, prodhimi botëror i biokarburanteve është rritur 800 %.

(Répartition de la production mondiale de biocarburants par pays, 2018)

Sources: BP Statistical Review of World Energy. Statista 2019

Çështja e përdorimeve të biomasës së kultivuar dhe produkteve të blegtorisë për qëllime jo ushqimore, ka marrë në kohën e sotme një vëmendje të veçantë. Debate të forta paraqiten edhe për praktikat moderne të prodhimit “on farm” të energjive të rinovueshme nga mbetjet “Post harvesting’’ që në vend të ulin konkurueshmërinë, mundet që potencialisht ta forcojnë atë, pasi këto mbetje së bashku me biomasën tjetër mund të përdoren për qëllime alternative, të tilla si përmirësimi i cilësisë së tokës apo ushqimi i kafshëve. (Van Zanten et al, 2018)

EBB (European Biodiesel Board) e vlerëson në këndvështrimin e mësipërm prodhimin e biodieselit dhe përcakton se 1 kg biodiesel redukton 3 ka CO2, përballë vlerësimeve me karakter social-etik të ekspertëve të tjerë, gjë që pasqyrohet në imazhin më poshtë.

Në këtë situatë dilematike etike siç shihet më lart në të dy shembujt, argumentat dhe interesat megjithëse të forta, janë katërcipërisht të kundërta.

Një nga qëllimet e deklaruara të politikave të biokarburanteve është ulja e emetimeve të gazeve serë, por nga ana tjetër shndërrimi i pyjeve në toka bujqësore për t’u shfrytëzuar për prodhim biokarburantesh, bie ndesh me përkeqësimin e bilancit mjedisor të tyre. Gjithësesi sipas ekspertëve, biokarburantet mund të jenë një opsion i përkohshëm dhe është e qartë se zgjidhje të tjera afatgjata, pritet të sjellin rezultate më të mira.

Biokarburantet e gjeneratës së dytë, synojnë të shkaktojnë më pak dëme. Sigurisht, të heqësh dorë nga prodhimi i biokarburanteve nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur problemin e urisë globale. Përpjekje po bëhen për një ndryshim rrënjësor në teknologjinë e prodhimin e tyre si dhe gjetjen e mënyrave alternative, duke mos dëmtuar mjedisin dhe cënuar sigurimin e ushqimit (si psh. për të prodhuar benzinë nga mbeturina të pyjeve apo bujqësisë, si tallash apo kashtë etj). Gjithashtu debatet vijojnë edhe në sferën e produkteve blegtorale.

Problemi përballë zgjidhjeve: Bujqësia dhe ndryshimet klimatike

A është etike?

Të vazhdosh të kontribuosh intensivisht nëpërmjet aktiviteteve bujqësore jo miqësore me mjedisin në emetimin e gazeve serë kur njëkohësisht, impakti negativ i tyre dëmton rëndë jo vetëm të sotmen por edhe për të ardhmen? Bujqësia kontribuon me afërsisht 1/3 e emetimeve të totalit të gazeve serë. Bujqësia është pjesë e problemit dhe potencialisht një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes.

Pra bujqësia është nga njëra anë viktimë/ pjesë e problemit sepse duhet t’u përshtatet ndryshimeve klimatike dhe nga ana tjetër është pjesë e zgjidhjes, sepse duhet të zbusë emetimet e gazeve serë që derivojnë nga aktiviteti i saj. Ndryshimi i klimës ka futur në pasiguri prodhimin e ushqimit në shkallë botërore.

Referuar Bernard Feltz, 2019 “ Njerëzimi është në një gjendje “debiti”.

Vit pas viti ai konsumon më tepër burime se sa mund të sigurojë natyra. Ky mbikonsumim ka një efekt të drejtpërdrejtë mbi klimën. Shkalla e ndryshimit mjedisor të shkaktuar nga njeriu po tejkalon kufijtë ekologjikë kritikë, duke ngritur shqetësime për gjithë shoqërinë.

Kjo konsiderohet një nga sfidat më të mëdha në kohën e sotme.

 

Prof. Dr. Tatjana DISHNICA
Departamenti i Mjedisi dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: