Në praktikën hortikulturore, çdo ndërhyrje mbi bimën me anën e krasitjes, pavarësisht periudhës në të cilën kryhet, shoqërohet me ndryshime në aktivitetin e saj jetësor. Për rrjedhojë, kujdesi me punime, agrofond, ujitje, etj mbi bllokun frutor, bimën apo edhe pjesë të veçanta të saj në çdo kohë dhe moshë duhet të jenë totalisht të ekuilibruara. Sipas masës së ndërhyrjes, ndryshimi mund të prekë qënësisht ose pjesërisht aktivitetin e bimës. Kjo do të thotë se sa më të pakujdesshëm dhe të paditur të jemi në kryerjen e këtij operacioni, aq më shumë probleme do të shkaktojmë në ekuilibrat vegjetativo-prodhuese të bimës në vitin vegjetativ korrent dhe në vitin tjetër prodhues. Fakti është që pas çdo pakujdesie apo ngutjeje në prerje, ekuilibri i bimës është i prirur të kalojë në anën e masës vegjetative dhe në dëm të prodhimit.
Përmendim faktin se edhe pse të vendosura mbi të njëjtën bimë, jo çdo pjesë e kësaj të fundit është në pozicion të favorshëm përkundrejt faktorëve klimaterikë sikurse drita, era, kundrejtimi apo ndaj faktorëve ushqimorë siç janë; furnizimi me ujë, elementët nutritivë të papërpunuar, lehtësirat në transport, ushqim i përpunuar në gjethe, fitohormonet etj.
Janë pikërisht këta faktorë jo të barabartë të cilët bëjnë diferencimin brenda të njëjtës bimë dhe më tej në krejt bllokun frutor. Kjo situatë e detyron frutikulturistin të ndërrmarë masa të veçanta krasitjeje për realizimin e objektivit të përgjithshëm të formimit të kurorës, të mirëmbajtjes së saj, mundësimit të jetëgjatësisë prodhuese, prodhimit pa alternanca të bimës apo kërkesa të tjera specifike që mund t’i paraqiten frutikulturistit.
Edhe agrofondi i përdorur ndikon në konkurencën brenda për brenda strukturës së një bime, ku konkurenca mund të nxitet më shumë nga përdorimi pa kriter i plehrave azotike të cilat stimulojnë masë të madhe vegjetative në bimë.
Duke njohur në thelb faktoret e jashtëm dhe të brendshëm fiziologjikë, ambientalë apo agroteknikë, mundësojmë që çdo ndërhyrje nga jashtë bimës në totalin e vet, të jetë e ekuilibruar dhe më pas reflektimi fenotipik të jetë i balancuar.
Studimet kanë provuar se cilido qoftë pozicioni specifik i pjesëve të veçanta në bimë dhe pavarësisht diferencave me natyrë klimaterike apo agroteknologjike, çdo pjesë e veçantë e saj jep kontribut të caktuar në rritjen e zhvillimin kompleks të saj.
Kështu p.sh, gjethet përpunojnë lëndë organike dhe asimilate të dobishme të cilat përmes gypave të floemës i shperndajnë në të gjitha pjesët e bimës duke përfshirë edhe rrënjën.
Rrënja përmes qimeve thithëse ose përshtatshmërive të tjera rrënjore, mundëson procesin e fotosintezës duke transportuar për në gjethe ujin dhe lëndët minerale të papërpunuara si rezultat i dy proceseve, të thithjes e transportit, njërit aktiv dhe tjetrit pasiv.
E njëjta gjë mund të konceptohet edhe me frymëmarrjen, masën vegjetative e prodhuese, sistemin mbitokësor dhe rrënjor etj, të cilat në total vendosin ekuilibra të qëndrueshëm ndërmjet pjesëve të veçanta dhe në tërësi për të gjithë bimën.
Ata që kërkojnë të mësojnë apo pretendojnë të dinë më shumë mbi krasitjen, duhet të konceptojnë vështirësinë në të cilën gjendet një krasitës në momentin kur vendoset përpara një bime në rritje apo në prodhim dhe tenton për të kryer qoftë edhe një operacion të thjeshtë siç mund të jetë ndryshim këndi, përkulje, drejtim lastari, prerje majash etj, për të mos folur për një ndërhyrje me gërshërë apo mjete të tjera krasitjeje.
Problemi prezent në bimë specifike në bllokun frutor realisht mund të thellohet duke mbartur pasoja negative në rast se bima apo blloku frutor është vendosur në kushte të mira ambientale, tokë të pasur dhe agrofondi të lartë, ku për çdo rast prezantohen kurora të zhvilluara, rritje vegjetative të shpejta dhe degë e degëzime shumë shpërthyese.
E kundërta ndodh në toka të varfëra, ranore apo skeletike të patrajtuara dhe me defekte në agrofond. Këto dy raste “ekstreme” diktojnë ndërhyrje specifike dhe mjaft të kujdesshme me anën e krasitjes ku mund të rikujtojmë:
Për rastin e parë për asnjë arsye bimët në bllokun frutor nuk duhet të krasiten rëndë. Në të kundërt do të rishtohet vegjetacioni, riprishen ekuilibrat dhe do të largohen akoma më shumë hyrjet në prodhim të pemës.
Në kushte të tilla këshillohet të aplikohen operacione të tilla si ndryshime këndi, unazime, rrallime, pincime apo deri në largim të degëve të vendosuara keq në kurorë (kryqëzohen në brendësi të kurorës ose tentojnë jashtë saj shumë thellë në drejtim të rreshtit).
Për rastin e dytë në varësi edhe të species apo kultivarit mund të “teprohet” me krasitje (të
bëhen krasitje pak më të rënda), por gjithmonë duke ruajtur parimet bazë të vendosjes së degëve dhe degëzimeve në kurorë.
Në këtë rast mund të aplikohet krasitje e shkurtër dhe mesatarisht e pasur në mënyrë që pema të mos jetë e mbingarkuar me prodhim. Kjo lloj ndërhyrjeje do t’i përshtatej mirë gjendjes së bimës dhe agrofondit të pëdorur dhe nuk do të çonte në një dobësim të mëtejshëm të saj.
Siç kemi përmendur edhe më lart, organet e ndryshme të bimës janë në konkurim ndërmjet tyre për burime ushqimore sidomos kurora dhe rrënjët si dhe frutat & sythat dhe lastarët.
Koha optimale e reflektimit të bimës pas krasitjes është e ndryshme por është i padiskutueshëm fakti që pas operacionit të krasitjes, për një farë kohe prishen ekuilibrat kurorë/rrënjë të vendosura në vitin që lamë pas. Koha e nevojshme e rivendosjes së këtij ekuilibri është e gjatë ose e shkurtër dhe pikërisht kjo varet nga fakti sa e madhe ka qenë ndërhyrja mbi kurorë ose edhe mbi rrënjë.
Në fakt krasitjet rrënjore reflektojnë shumë më shpejt ndryshimet në kurorë krahasuar me reflektimin që ndodh pas krasitjeve të kurorës mbi rrënjë dhe kjo sepse bima për një kurorë të caktuar ka të modifikuar një sistem rrënjor të caktuar dhe të përshtatur ndaj klimës, temperaturës, lageshtisë etj. Prishja e këtij ekuilibri me anën e zvogëlimit të pjesës nëntokësore do të pakësonte thithjen e ujit dhe lëndëve minerale. Mungesa të tilla do të reflektohen në kurorë përmes vyshkjes së gjetheve dhe tharjes së lastarëve të gjelbër dhe e gjitha kjo në korelacion me masën e ndërhyrjes që është bërë.
Ndërhyrje të tilla rezultojnë të jenë stresante dhe në rast mungesash në agroteknologji rezultojnë me pasoja. Në kushte optimale gjendja rikthehet pas dy- tre javësh ku rikrijohet një ekuilibër i ri rrënjë-kurorë në përshtatje dhe funksion të sistemit nëntokësor të modifikuar. Defekti i ndërhyrjes së njëanshme, pra të krasitjes vetëm të sistemit rrënjor, zbutet përmes krasitjes “korelative” e cila parashikon ndërhyrje me krasitje ‘dopietë’ pra të njëkohëshme edhe mbi rrënjën edhe mbi kurorën e bimës.
Konkurenca kurorë/rrënjë
Konkurrenca ushqimore në mes kurorës dhe rrënjës dallohet në tre momente specifike të rritjes dhe zhvillimit të bimës dhe që duhen patur në konsideratë nga ana e krasitësit.
Në bimët e reja ku ka tendencë të zhvillohet më shumë aparati rrënjor i cili do të jetë një mbështetës mekanik dhe ushqyes për kurorën. Në këtë periudhë ndërhyhet me krasitje për të mos dëmtuar kurorën, por një ndërhyrje shumë energjike do të pengonte arritjen e një ekuilibri në mes kurorës dhe rrënjës dhe vononte hyrjen në prodhim të bimës.
Kur bima hyn në prodhim ka një raport tjetër dhe më të ekuilibruar ndërmjet kurorës dhe rrënjëve që ruhet përmes ndërhyrjeve të ndryshme të krasitjes dimërore dhe verore.
Kur bima plaket dhe aparati rrënjor është vjetëruar, duhen bërë krasitje ripërtëritëse mundësisht dopio që presupozon krasitje të fortë të kurorës dhe krasitje me platforma dhe thika të forta çeliku të aparatit rrënjor.
Vegjetacioni dhe prodhimi
Një aspekt tjetër që duhet marrë në konsideratë është ai që krijohet në mes vegjetacionit dhe prodhimit ose më saktë ndërmjet tre qëndrave kryesore të bimës të cilat kanë kërkesa ushqimore në nivele maksimale gati në të njëjtën kohë, lastarët e rinj, sythat në fazën e induksion – diferencimit dhe frutat në rritje intensive.
Konkurenca ushqimore në këtë periudhë bën që lastarët të cilët janë në fazën e rritjes së tyre të shpejtë, të pengojnë lidhjen e frutave dhe favorizojnë rrënjen e tyre. Përkundrazi, prania e shumë frutave sidomos në kultivarët e hershëm pengon diferencimin e sythave frutorë për vitin pasardhës. Për të favorizuar prodhimin, realizohen praktika të ndryshme të krasitjes së gjelbër sikurse rrallimi i frutave, prerja e majave, përkulja e lastarëve, heqja e gjetheve, etj.
Energjia diellore dhe roli i saj në bimë
Krasitja duhet të favorizojë hyrjen e dritës dhe energjisë diellore në të gjitha pjesët e bimës për të stimuluar fotosintezë efikase dhe produktivitet maksimal të saj në njësinë e kohës. Forma e kultivimit të bimës dhe gjeometria e kurorës influencojnë mbi ndriçimin nga dielli të pjesëve të ndryshme të bimës. Është mjaft e rëndësishme që në bimë të mund të realizohet një ndriçim i mirë, i shpërndarë edhe në pjesët e brendshme të mesit apo të bazës së saj. Në aspektin e praktikës mbi fotosintezën influencojnë dy elementë të rëndësishëm të cilët janë:
Forma e mbajtjes së kurorës, e cila duhet të sigurojë sasinë maksimale të dritës në përputhje me rajonin klimaterik, specien & kultivarin, agrofondin dhe destinacionin e prodhimit.
Gjenotipi i bimës që si përshtatshmëri trashëgimie siguron efikasitet në procesin fotosintetik. Përgjithësisht, forma e kurorës diktohet nga specia/kultivari, natyra e degëzimit, nënshartesa, tipi i dëgëzave prodhuese, gjatësia dhe pozicioni i tyre, sasia, mosha dhe vendosja e tyre në hapësirë. P.sh, krasitja e gjelbër ndryshon sasinë e dritës që godet pjesën më të madhe të gjetheve të cilat deri në momentin e krasitjes kanë qenë në pozicion jo komod duke bërë që të ndriçohen edhe ato gjethe të cilat më parë nuk ishin të ekspozuara në diell.
Në fakt në mes gjetheve të ekspozuara në diell dhe atyre të paekspozuara, ka disa diferenca në marrëdhënie me bimën ku si më të rëndësishme vlerësohen diferencat fiziologjike që reflektojnë në transpirim, fotosintezë dhe frymëmarrje.
Është provuar eksperimentalisht se gjethet e ekspozuara në diell janë më të shpeshta dhe me sasi më të madhe uji për njësi/sipërfaqe, kanë një sasi më të madhe të enzimave fotosintetike dhe prodhimi i bimës në total është më i madh sepse sasia e dritës që tërheq, është maximale. Nga studimet për energjinë diellore arrihen këto përfundime praktike:
Orientimi i rreshtave në mbjelljet e reja me drufrutorë duhet të jetë veri-jug. Ky model është i këshillueshëm për shumë drufrutorë, ndërsa për hardhinë dhe kivin, orientimi lindje – perëndim është ai që lejon një tërheqje më efikase të energjisë diellore.
Gjatësia dhe dëndësia e kurorës lidhet me distancën e mbjelljes në mes rreshtave ku për tokat fushore lartësia e bimëve duhet të korrespondojë me distancën në mes rreshtave.
Bimët në hije dhe kurorat afër sipërfaqes së tokës kanë fotosintezë të reduktuar, cilësi të ulët të frutave dhe një diferencim më të pakët të sythave për vitin e ardhshëm. Psh, tek molla, nëse energjia diellore bie nën 30%, diferencimi i sythave lulorë për vitin tjetër mund të kompromentohet plotësisht.
Tek bima e ullirit, pesha e frutit dhe sasia e vajit është në funksion të ndriçimit të pjesëve të ndryshme të bimës prandaj krasitjet duhen realizuar me efikasitetin dhe përgjegjësinë më të madhe të mundshme teknike.
Tabela 7. Influenca e intensitetit të dritës mbi parametrat vegjetativo – prodhues të mollë (Jackson) është vlerësuar intensiteti i dritës në pjesën e sipërme të kurorës bimës së mollës
Të dhënat e tabelës më sipër provojnë se parametrat vegjetativo-produktivë të bimës së mollës në eksperiment, kanë varësi të drejtpërdrejtë nga intensiteti i dritës. Efektet e matura shkojnë 3-30 herë më pak duke marrë si nivel bazë intensitetin 100% të dritës në 1/3 e sipërme të kurorës.
Në skemën përkatëse jepen disa të dhëna interesante për mënyrën e shpërndarjes së dritës në raport me forma të ndryshme kultivimi dhe distanca të ndryshme mbjelljeje. Nga vlerësimi i bërë nga Verheij konstatohet si më poshtë:
Shpërndarja e dritës në kurorë merr vlera të ndryshme në varësi të distances, mbjelljes dhe lartësisë së bimës. Kështu psh, për distancat e largëta 6 x 6 ml dhe formë piramidale të larta kurore (mbi 6 ml) ndriçimi vlerësohet me 26%.
Skema 7. (1,2,3). Shpërndarja e dritës në forma të ndryshme kurore dhe distancë kultivimi. (Skema nga Verheij)
Ndryshe ndodh në distanca 3 x 3 m dhe kurorë piramidale të ulët (deri 3 m) ku ndriçimi dyfishohet ose merr vlerën 53%. Ndryshime ka edhe në sasi dhe kryesisht në cilësinë e produktit të përftuar për treg dhe konsum vetjak.
Situata duket mjaft pozitive në rastin e distancave të mbjelljes 4 x 4 ose 3 x 3 ml dhe formë kurore trung koni me lartësi kurore 3 m dhe 1.5 m. Në këtë rast vlera e ndriçimit të kurorës shkon nga 61-82%
Në rastin e kurorave kolonë me distanca 5 x 5 ml dhe 2.5 x 2.5 ml, lartësi kurore 4 dhe 1.5 ml vlerat e ndricimit shkojnë nga 47-94 %.
Koha e fillimit të ndërhyrjes me krasitje
Mosha e bimëve mbi të cilat fillon krasitja e rritjes varion sipas species dhe traditës ku përmendim:
– Në agrumet në fidanishte fillimi krasitjes nis pas vitit të dytë të shartimit.
– Në ullinj fillon në verën e vitit të dytë pas shartimit
– Në bimët gjetherënëse, në fidanishte, krasitja formuese nis në verën e vitit të parë pas shartimit duke vepruar mbi lastarë e parakohshëm
– Në fidanët e shartuar me syth të fjetur, nis në pranverë me fillimin e forcimit të lastarit bazë
– Në nënshartesat e shartuara në vend, kur lastari është shkëputur në 25 – 40 cm.
Prof. Dr. Bardhosh Ferraj
Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, Fakulteti Ekonomisё dhe Agrobiznesit, UBT.