www.pixabay.com

Akumulimi i nitrateve në perime

Në stadin aktual të zhvillimit të bujqësisë sonë, konstatohet dukshëm një aplikim më i madh i investimeve materiale, ku përdorimi i plehrave kimike zë pa diskutim një ndër vendet kryesore. Rendimentet gjithnjë e në rritje të kulturave bujqësore kërkojnë një përdorim më të madh të plehrave kimike, përdorim i cili mbart në vetvete mundësinë potenciale të ndotjes së mjedisit. Është mjaft e rëndësishme që rritja e sasisë së prodhimit bimor të shoqërohet gjithnjë nga një cilësi e lartë etj. Pa dyshim që kjo varet nga shumë faktorë, sepse prodhimi bimor merret në një ekosistem të hapur.

Një nga faktorët që çon në uljen e cilëisë së prodhimit bimor është edhe abuzimi me përdorimin e tepërt të plehrave kimike dhe kryesisht ato azotike. Referuar studimeve të shumta shkencore, ndër kulturat më të ndjeshme në këtë drejtim, janë perimet e sidomos ato gjethore.

Përdorimi i tepërt pa kriter i plehut azotik gjatë kultivimit të tyre çon në një akumulim të joneve nitrate NO3dhe nitrite NO2në organet e ndryshme të perimeve. Këto jone mund të mos jenë të dëmshme për vetë bimën, por mund të ushtrojnë veprim toksik tek njerëzit dhe kafshët që konsumojnë atë. Për shkak të akumulimit të lartë të nitrateve në organet e ndryshme të bimës, por sidomos në gjethe, një pjesë e madhe e bimëve perimore përmenden në literaturë si bimë nitratdashëse. Spinaqi, sallata, qepa e njomë dhe lakra janë perimet më kryesore gjethore që konsumohen të freskëta dhe njëkohësisht njihen si bimë nitratmbajtëse.

Problematika e nitrateve

Nitratet, përveç se me ujin e pijshëm, merren me anë të ushqimit edhe nëpërmjet konsumit të perimeve. Kjo shpjegon dhe interesimin e madh që tregohet sot për përmbajtjen e këtyre komponimeve në këto prodhime të rëndësishme nga pikëpamja fiziologjike e sintetike. Mbi të gjitha i kushtohet vëmendje për shkak të efekteve kancerogjene të ushtruara nga produktet që rrjedhin prej tyre, produkte që njihen me emrin nitrozamina.

Jonet NO3 në vetvete nuk kanë toksicitet të lartë, përveç veprimeve ngacmuese mbi aparatin tretës, por ekziston mundësia e reduktimit të tyre në jone nitrite (NO2-), reduktim i cili në bimë është i vogël, ndërsa rritet në aparatin tretës të kafshëve dhe njerëzve. Pikërisht jonet NO2 kanë toksicitet shumë të lartë për organizmat e gjalla. Nitritet që rrjedhin nga nitratet e marra nëpërmjet perimeve sidomos kur këto konsumohen si masë e freskët, lidhen me hemoglobinën e gjakut duke e kthyer atë në methemoglobinë. Në këtë formë hemoglobina nuk është më e aftë të kryejë funksionin lidhës e transportues të oksigjenit në indet e organizmit duke shkaktuar vështirësi në aparatin e frymëmarrjes deri në asfiksi të plotë, diagnozë që në terminologjinë mjekësore quhet cianozë. Kështu pra, përmbajtja e lartë e nitrateve në bimë është një tregues potencial për intoksikimin e konsumatorëve.

Përqëndrimi i tyre sipas autorëve të ndryshëm nuk duhet t’i kalojë shifrat 0,07- 0,1% në masën e thatë bimore. Në Evropë është diskutuar dhe diskutohet gjerësisht mbi pasojat e mundshme që mund të kenë mbi shëndetin e njerëzve nitratet e marra nëpërmjet ushqimit bimor dhe ujit të pijshëm, por në Shqipëri ka pak studime të mirëfillta shkencore në këtë fushë. Ndërsa në Evropë e më gjerë prej kohësh janë miratuar standarte në legjislacionet e shteteve për limitet e përmbajtjes së nitrateve në perime sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vendin tonë akoma nuk ekziston ndonjë ligj për këtë problem me pasoja të rrezikshme. Kjo do të thotë që institucionet përkatëse sa më shpejt që të jetë e mundur, aq mq mirë do të jetë për të vënë në rrugën e zgjidhjes këtë problem.

Referuar studimeve shkencore, në konsumin ushqimor ditor, sasia e nitrateve e marrë nga njeriu nëpërmjet perimeve është mesatarisht 70% (63,7 mg), ndërsa 23% (21 mg) merret nëpërmjet ujit të pijshëm dhe vetëm rreth 7 % (6,3 mg) nga produktet e mishit.

Përmbajtja e nitrateve në perime ndryshon shumë në varësi të kohës së kultivimit, tipit të tokës, metodës së plehërimit, kushteve të klimës, shkallës së pjekjes dhe numrit të bimëve, etj.

Vlerat limit të përmbajtjes së nitrateve në perime të përcaktuara, sot në Evropë janë rreth 2500 – 3000 mg NO3-/kg masë të freskët, vlerë kjo që në të ardhmen tenton të ulet sepse normat e miratuara, nganjëherë diskutohen për hir të tregut.

Analizën e plotë mund ta lexoni këtu.

 

Prof. Dr. Ardian Maci

Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqesise dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: