naidokdin - www.pixabay.com

Sektori i perimeve të serrës

Prodhimi i perimeve është një nga (nën)sektorët bujqësorë kryesorë dhe me rritjen më të shpejtë në Shqipëri pasi perimet zënë më shumë se 1/5 e eksporteve agroushqimore, ku domatja dhe kastraveci i serrave janë dy produkte kyçe në shportën e prodhimit dhe eksporteve.

Konsumi vendas dominohet nga prodhimi vendas, ndërkohë që ka një suficit tregtar strukturor (një nga të paktët nënsektorë agroushqimorë ku Shqipëria shënon një suficit tregtar). Zinxhiri i vlerës së perimeve të serrës (domate dhe kastravec) konsiderohet një sektor me përparësi duke pasur parasysh potencialin e tyre për eksport.

Prodhimi i perimeve të serrës ka shënuar një trend rritjeje të konsiderueshme. Sipërfaqja e mbjellë me perime të serrës është trefishuar gjatë periudhës 2000-2016; edhe prodhimi që ka arritur në 119 000 tonë në vitin 2016, është trefishuar krahasuar me vitin 2000.

Eksporti nga prodhimi i serrave është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa në fillim të viteve 2000 ai pothuajse nuk ekzistonte fare. Është me interes të theksohet se Shqipëria është një aktor rajonal për prodhimin e këtyre dy perimeve. Duhet theksuar ndërkaq se eksporti i domates dhe kastravecit ndodh në kushtet e një kërkese ndërkombëtare të qëndrueshme për këto produkte (kërkesë e stabilizuar, as në rritje e as në rënie). Domatja dhe kastraveci shqiptar zakonisht eksportohen me çmime shumë më të ulëta krahasuar me vende të tjera të Evropës përfshirë ato të BE-së dhe kjo lidhet kryesisht me mangësitë në standarde, gjurmueshmëri dhe në organizimin e zinxhirit të vlerës.

Studimi i radhës i kryer nga AASF, një program I financuar dhe zhvilluar nga BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) në bashkëpunim dhe me mbështetje nga qeveria shqiptare, i cili ka nisur aktivitetin në vitin 2016, ashtu si edhe në studimet e mëparshme, synon të japë një panoramë të përgjithshme të sektorit të perimeve të serrave në Shqipëri, duke u fokusuar te domatja dhe kastraveci, duke analizuar zhvillimet e fundit dhe gjendjen aktuale, dhe duke përfshirë mundësitë, kufizimet dhe vështirësitë, me focus të veçantë në nevojat/potencialet për investime. Ky studim informon institucionet financiare për mundësitë e investimit në sektorin e perimeve të serrës.

Me qëllim që të arrihen të ardhura të larta dhe tregje tërheqëse (shpërblyese), kërkohet mbështetje me investime në infrastrukturën e marketingut dhe cilësisë, duke përfshirë qendrat e ambalazhimit. Ambientet frigoriferike nevojiten për të ruajtur cilësinë në rast eksporti drejt shteteve të BE-së/tregjeve me të ardhura të larta. Nevojiten gjithashtu investime në kapacitetet e magazinimit dhe mekanizimin brenda pikave të grumbullimit. Në nivel ferme, investimet për ndërtimin e serrave përbëjnë investimin kryesor. Vlerësimet e ekspertëve tregojnë se ka ende mundësi të mëdha për të rritur sipërfaqet me serra.

Nga raporti studimor rezulton se me qëllim që Shqipëria të shfrytëzojë potencialin e saj, sipërfaqja me serra mund të rritet në 5000 ha (madje edhe më shumë, bazuar në mendimet e ekspertëve) nga baza e ulët aktuale (e prodhimit) prej 1500 ha. Ndërkohë që serrat e thjeshta kanë treguar se janë më efikase se serrat me ngrohje, veçanërisht për shkak të kostos së lartë të lëndës djegëse (që lidhet me politikat fiskale), ekziston një potencial që mund të eksplorohet për instalimin e sistemeve të ngrohjes me biomasë në serrat me ngrohje qendrore (që kërkon vlerësime të mëtejshme, përfshirë studime fizibiliteti). Instalimi i sistemeve automatikë të kontrollit të temperaturës/klimës në serat me ngrohje qëndrore, për të përmirësuar eficencën e energjisë mund të merret gjithashtu në konsideratë (për serrat me ngrohje).

Institucionet financiare gjithashtu mund të marrin në konsideratë që të ofrojnë kapital afatshkurtër për bizneset bujqësore dhe të eksplorojnë mundësinë e financimit të zinxhirit të vlerës. Ekziston një hendek kohor ndërmjet momentit që kryhen shpenzimet dhe shitjet në nivel ferme. Ndaj sipas raportit të AASF, ekziston një hapësirë kohore për kredi afatshkurtra për fermerët, të cilat mund të mbulohen nga bankat. Përveç kësaj, ekziston gjithashtu një mundësi për financim në zinxhirin e vlerës, veçanërisht në rastin kur blerësit janë edhe furnizues të inputeve. Me qëllim që “të kontrollojë” kultivarin e përshtatshëm për eksport (veçanërisht për tregjet e eksportit me çmime më të larta) dhe cilësinë e fidanit, blerësit-furnizuesit të inputeve i intereson që të krijojë një marrëdhënie më të qëndrueshme (bazar në kontrata) me fermerin duke i ofruar atij fidanët, të cilët fermeri i paguan në momentin që dorëzon produktin.

Zinxhiri i vlerës i serrave konsiderohet si sektor me përparësi për qeverinë shqiptare bazuar në potencialin për eksport. Sektori është përfshirë në të gjitha skemat e mbështetjes financiare publike, duke përfshirë skemat e fundit të mbështetjes. Politika aktuale për grante të pjesshme ka implikime të rëndësishme për institucionet financiare – ata kanë mundësinë për të financuar investimet për investimin e 100% të shumës, nga e cila 50% mund të jetë kredi afatshkurtër (pjesa që duhet të rimbursohet nga granti pas përfundimit të investimit) dhe 50% kredi afatgjatë për pjesën që duhet të paguhet nga përfituesi.

 

AASF
https://aasf.com.al/

Na Ndiqni në: