Skitterphoto - www.pixabay.com

Krasitja e pemëve frutore

Krasitja në drufrutorë, ulli dhe agrume është një shërbim i domosdoshëm agronomik që realizon forma të ndryshme kurorash dhe mënyra vegjetimi specifike të pemës, të përshtatura për agroteknologji, specie, kultivarë, rajon dhe destinacion të përcaktuar prodhimi.

Krasitja tenton të realizojë një ekuilibër të caktuar vegjetativo-produktiv të bimës duke ndjekur modelin e saj natyror të rritjes për t’a realizuar në kushte praktike dhe terrene të realizuara optimalisht nga ana agronomike.

Krasitja si shërbim është praktikuar prej kohësh në drufrutorë dhe hardhi por vetëm në shek. XVII-të është bërë një art i vërtetë. Kjo ndodhi në Itali, në Pallatin Medici dhe në Francë në kohën e Luigi i 14-të ku krahas formave optimale të kurorave u krijuan forma spektakolare dhe të përshtatshme për dekorim.

Më pas këto modele do të aplikoheshin në pemë frutore, në agrume dhe ullinj duke u mbështetur mbi bazën e vegjetimit të çdo specieje, kultivari dhe rajoni kultivimi dhe efektit dekorativ apo ekonomik që duhet të krijohet.

Në vitet 1960 – 1970, me shfaqjen fillimisht të palmetës së parregullt dhe pastaj të formave të lira dhe ½ të lira të kurorave, krasitja u bë ekskluzivisht një shërbim funksional në pemët frutore.

Aktualisht krasitja, si ajo e rritjes dhe ajo prodhuese, bazohet në kriteret e prakticitetit dhe ato ekonomike. Në fakt ajo finalizohet me arritjen e rendimenteve të prodhimit të shtuar dhe cilësore të përftuara me kosto të ulët prodhimi.

Qëllimi i krasitjes

Në tentativë për të shfrytëzuar dhe përdorur pemët frutore në dobinë e tij, njeriu ka bërë dhe bën përpjekje të vazhdueshme për modifikimin e kurorës së tyre në përshtatje me kërkesat për sasi dhe cilësi produkti, shfrytëzim toke, energjie diellore dhe aktiviteti biologjik etj. Për pasojë ai (njeriu) ndërhyn me anën e krasitjes mbi pjesën ajrore (ose nëntokësore) të bimës duke detyruar kufizimin e lartësisë ose duke ndryshuar të gjithë pamjen e saj të jashtme.

Kjo bëhet duke rregulluar (ndryshuar) pozicionin e këndit të vendosjes së degëve skeletore kryesore apo të dyta, duke prerë një pjesë të tyre ose duke hequr krejtesisht konkurentët dhe pjesë të veçanta të saj.

Në këtë pikëpamje të gjitha ndërhyrjet me anën e krasitjeve apo modifikimet e tjera që mund të bëjmë mbi pjesën e kurorës apo sistemin rrënjor të bimës, njihen me termin e përbashkët ‘krasitje’

Sipas Moretinit “krasitja konsiderohet  art i modifikimit të mënyrës natyrale të vegjetimit të pemëve me qëllim që ato të mbahen në formën më  racionale dhe të përshtatshme të kultivimit dhe sjelljes së tyre”.

Teorikisht  me termin krasitje kuptojmë çdo lloj operacioni që realizohet mbi bimën qoftë

mbi sistemin rrënjor ashtu edhe atë mbitokësor.

Në praktikë termi krasitje përdoret për të treguar operacionet e prerjes apo modifikimet  e

pozicioneve mbi formacionet vegjetative të pemës.

Por mbi pemët frutore mund të bëhen kufizime të masës vegjetative edhe përmes trajtimeve me fitohormone, kufizues të rritjes të cilët duke ndërhyrë mbi disa procese fiziologjike të bimës lënë pasoja të ngjashme me krasitjen.

Detyrat bazë që zgjidhen përmes krasitjes

Sipas të gjithë studiuesve, krasitja e bimës sjell ndryshimin e raporteve të konsoliduara vegetativo-prodhuese duke e orientuar atë drejt raporteve të reja artificiale.

Ndryshimet janë fenotipike dhe prekin pjesërisht ose tërësisht kurorën, por janë edhe cilësore dhe çojnë  në ndryshimin e destinacionit bazë të sythit drejt frutifikimit.

Ndryshimi reflektohet edhe mbi pjesën nëntokësore në po ato raporte që ndërhyhet mbi pjesën ajrore. Në totalin e përgjithshëm krasitja zgjidh disa detyra kryesore siç janë:

  • Unifikimi i sistemit mbitokësor të bimës.
  • Drejtimi dhe frenimi i fenomenit të dominancës apikale/zhveshjes së kurorës
  • Përshpejtim të hyrjes në prodhim të pemëve frutore
  • Mundësi për formë optimale kurore dhe prodhim maksimal.
  • Ekuilibër midis masës vegjetativo-prodhuese
  • Shpërndarje optimale ushqimore dhe evitim alternance prodhimi.
  • Mbajtje optimale në prodhim të bllokut frutor ( edhe pse ciklet e prodhimit janë shkurtuar shumë në krahasim me format e kurorave 1930-1980)
  • Lehtësim mekanizimi të operacioneve dhe shërbimeve kulturore
  • Përshpejtim të fazës së rritjes dhe hyrjen shpejt në prodhimin e bimëve të reja
  • Ndikim në arritjen e shpejtë të masës së drurit dhe skeletit në bimë
  • Evidentim të efekteve estetike në bimët zbukuruese.

Sot në botë qarkullojnë disa teori për krasitjen dhe domosdoshmërinë e kryerjes së saj por fakti është se  ajo tenton të kufizohet në disa ndërhyrje që bëhen vetëm gjatë fazës së rritjes së bimës në fidanishten frutore apo 2-4 vitet e para pas mbjelljes së bllokut frutor.

Më pas krasitja ka si detyrim bazë ruajtjen e formës së kurorës, mënyrën e vegjetimit dhe jetëgjatësisë produktive apo dekorative të bimës.

Orientimi i formës së kurorës në drufrutorë

Krasitja orientohet mbi pjesën ajrore të bimës së mbjellë. Kjo do të thotë që duke vepruar mbi të (kurorën e bimës), ajo tenton të rikrijojë një gjendje të re dhe vendos raporte të tjera të pranueshme ndërmjet masës drunore dhe asaj vegjetativo-prodhuese në funksion të objektivit për të cilin e kultivojmë pemën.
Por në veprimtarinë e përditshme ndeshemi me kategori të ndryshme pemëtore që kërkojnë dhe pranojnë ndërhyrje specifike në kurorë. Psh, pemëtoret e prodhimit të zakonshëm kërkojnë ndërhyrje me prerje më të lehta se pemëtoret ‘’mëmë’’ të destinuara për sytha dhe kalema, pemëtoret e reja kërkojnë ndërhyrje optimale që e nxitin bimën të hyjë më shpejt në prodhim, pemëtoret e vjetra priten më rëndë në mënyrë që të ripërtërihet vegjetacioni, etj.
Krasitja bazohet edhe mbi specifikat e ndryshme që kanë bimët e reja në rritje ku në disa specie frutore (qershia, vishnja, kajsia, etj) vërehet fenomeni i dominancës apikale. Kjo presupozon efektet dhe ndikimin bllokues që jep sythi i majës në mënyrën e shpërndarjes së ushqimit të përpunuar dhe fitohormoneve në sythat dhe lastarët poshtë tij, pra të limfës në drejtim të pjesëve të tjera të bimës.
Ky efekt çon në spostimin e vegjetacionit në drejtim të majave rritëse dhe zhveshjen e pemës në bazën dhe mesin e degëve. Situata rregullohet përmes krasitjes, ndryshimit të këndit të degëzimit ose përthyerjes së majave apikale në vartësi edhe të gjendjes së tyre të linjifikimit.
Sipas provave të ndryshme eksperimentale dhe realiteteve prodhuese, krasitja ndikon në hyrjen më shpejt të bimës në prodhim dhe mbi të gjitha në sigurimin e vazhdimësisë së prodhimtarisë në vite të njëpasnjëshme. Sipas këtij rregulli, koha e hyrjes në prodhim, pra koha e maturimit të specieve dhe kultivarëve të ndryshëm është shumë e ndryshme. Nëse kjo veti është e qartë për krasitësin, atëhere ai duhet të synojë në prerje sa më të pakta në vitet e para deri në formatimin e elementëve bazë të skeletit të bimës dhe stabilizimin e elementëve të prodhimit.

Figura 1.(a,b). Forma kurore Triller (degë në kënd  90°(a) dhe  45°(b)–[shandan formë U].

Më pas krasitjet bëhen pak më të thella duke përfshirë deri 25-35% të masës bimore në mënyrë që elementët vegjetativo-prodhues të ripërtërihen optimalisht dhe të ruhet stabiliteti e shtrirja kohore e prodhimit. Gjithësesi duhet të kemi parasysh që edhe brenda të njëjtës specie, kultivarë të ndryshëm pranojnë ndërhyrje të ndryshme. Kjo është në varësi të gjendjes shëndetësore të bimës, agrofondit dhe pjellorisë natyrale të tokës.

Mjetet e krasitjes janë të ndryshme dhe të përshtatura për ta realizuar atë nga toka me shkallë lëvizëse manualë, platforma mekanike, gërshërë, sëpata, sharra pune me dorë, sharra elektrike, etj. Cilësia e saj në rastin e dytë është e diskutuar. Pikërisht kjo e bën jo shumë efektive krasitjen mekanike e cila nuk mund të përshtatet për çdo bimë apo degë të së njëjtës bimë.

Veçanërisht në pemëtoret industriale ku aplikohet krasitja, vërehen çrregullime iziologjike të cilat sipas rasteve riparohen përmes krasitjeve manuale me dorë.

Figura 1.(c,d). Kurorë e detyruar/Y 45° me krah të dytë të kombinuar 30 dhe 90° dhe Y 45° me krah të dytë 30° mbi degët kryesore.

Por duhet të përmendim se në zhvillimin e kufizuar të drufrutorëve ndikon edhe përdorimi i nënshartesave vegjetative naniste të cilat gjithësesi nuk mund të njehsohen me krasitjen.

Në këtë rast kufizohet në mënyrë drastike rritja e kurorës ndërsa përmes krasitjes vendosen ekuilibra dru-masë vegjetative-masë prodhuese, rregullohen këndet e daljes së degëve bazë, numri i degëzave veshëse, eleminohet ngarkesa përmes  rrallimit të frutave apo heqjes së luleve në dy-tre vitet e para dhe rregullohet e përshtatet lartësia e trungut në 0,7-1 m apo lartësia e kurorën në 2,5-3,5 m etj.

Llojet e krasitjes në pemët frutore dhe ullinj

Krasitjet në pemë frutore klasifikohen në dy grupime kryesore; krasitje të zakonshme dhe jo të zakonshme. Në krasitjet e zakonshme përmendim:

  • Krasitjen e trapiantimit
  • Krasitjen e rritjes
  • Krasitjen formuese
  • Krasitjen prodhuese
  • Krasitjen ripërtëritëse

Krasitja e trapiantimit

Realizohet në momentin e shkuljes dhe trapiantimit të fidanëve nga fidanishtja në pemëtore por edhe kur shpërngulim një bime të rritur nga një ambient në një tjetër për arsye të ndryshme.

Në rastin e parë, krasitja mund të prekë sistemin rrënjor dhe mbitokësor, gjithmonë në mënyrë të  kujdesshme, deri 3-5% të volumit të tyre, psh mbi sistemin rrënjor të fidanëve me rrënjë të zhveshura, përpara mbjelljes në fidanishte, në qeskë plastike apo fushë të hapur bëhen pincime të lehta të rrënjëve kryesore, pastrime të rrënjëve që rezultojnë të dëmtuara mekanikisht apo nga sëmundje të ndryshme. Grupi i rrënjëve të fidanit që dëshirojmë të freskojmë, kapet me dorën e majtë afër majave duke lënë jashtë dorës vetëm disa pjesë të majave rritëse. Më pas operohet me prerjen e tyre me gërshërë të dezinfektuara ndërsa procesi vazhdon me një kontroll për eleminimin e rrënjëve të dëmtuara apo infektuara të niveleve më të ulët brenda tufës rrënjore.

Pas përfundimit të prerjes dhe kontrollit fizik, fidani futet në një gropë të pregatitur për këtë qëllim ku paraprakisht kemi pregatitur një përzierje të lëngshme ushqimore dhe dezinfektuese me bajgë të freskët lope, argjilë dhe pesticid. Pas kësaj fidani mbillet në vendin e përcaktuar, në qeskë plastike, vijë fidanishteje apo pemëtore.

Edhe mbi fidanin në fidanishte apo pas mbjelljes në vendin e përhershëm bëhen pastrime të filizave të dala nga nënshartesa, rrallime të lastarëve të përzgjedhur për degë skeletore, pastrime të lastarëve të infektuar apo të dëmtuar, pincime të majave rritëse, eleminim të konkurentëve të vazhduesit të bimës apo të degëve skeletore, etj.

Në këtë rast përkujdesemi që ndërhyrjet të bëhen të kujdesshme, me vegla pune të dezinfektuara dhe të mprehura në mënyrë që të mos mundësohet përhapja e infeksioneve virale apo të ngjashme me to dhe të mos bëhen dëmtime mbi pjesët e kurorës së fidanit apo bimës së mbjellë në vendin e trapiantimit të ri.

Në rastin e dytë, krasitje trapiantimi quhet ato lloj ndërhyrjesh që realizohen mbi bimë të veçanta të cilat  lëvizen nga një ambient i caktuar në një tjetër ambient për arsye nga më të ndryshmet. Bimë të tilla mund të jenë ullinj shumëvjeçarë, agrume, bimë dekorative, etj.

Në këtë rast veprojmë në mënyrë të fuqishme mbi sistemin rrënjor dhe atë mbitokësor duke bërë krasitje të rënda apo përshtatshmëri të tjera mbi sistemin e vegjetimit në përshtatje me qëllimin dhe mënyrën e re të vegjetimit që na duhet të realizojmë mbi bimën e trapiantuar.

Rikujtojmë se ndërhyrje të tilla nuk janë të zakonshme por të sforcuara dhe kalojnë me pasoja dhe strese mbi bimën ndërsa shërbimet mbi kurorën dhe vetë bimën janë disa më të kushtueshme se në rastet e zakonshme për të cilin dedikohet krasitja e trapiantimit.

Krasitja e rritjes

Kryhet mbi bimët e reja në fidanishte kur fidani ka arritur gjatësinë 70 – 90 cm. Realizohet duke prerë majën e filizit kryesor përmes pincimeve të verës, duke eleminuar konkurentin e udhëheqësit që del mbi të njëjtin syth ose duke hequr me koshiencë pjesë të caktuara të rritjes së majave apikale të vazhduesve të degëve të para skeletore. Prerja në këtë rast është në varësi të këndit të daljes së degës skeletore dhe mund të prekë 1/3 deri 1/5 e gjatësisë së lastarit duke u nisur nga pika e daljes tij.

Krasitja formuese

Përfaqëson operacionet që realizohen mbi kurorën e bimës pas mbjelljes në vendin e përhershëm me objektiv formimin e skeletit të bimës (degëve skeletore të para dhe të dyta) dhe rregullimin e raporteve ndërmjet degëzave dhe lastarëve veshës vegjetativ dhe prodhues ose masë vegjetative/masë gjenerative (prodhuese).

Në rastin e krasitjes formuese, detyra kryesore e fermerit është përzgjedhja e tre – katër lastarëve kryesorë me kënd që tenton në 45 – 60° ndaj udhëheqësit (për rastet e kurorave me kate), ose boshtit imagjinar për kurorat kupore, pincim i majës së tyre në 1/3 ose 1/5 e gjatësisë kur lastarët kanë marrë gjatësinë 60-80 cm, përmirësim të këndit të vendosjes mbi trung ose boshtin udhëheqës dhe plotësim të tyre me degë dhe lastarë të niveleve më të ulëta dhe degëza veshëse vegjetative dhe frutore.

Krasitja prodhuese

Është vazhduese e krasitjes formuese dhe ka si qëllim të ruaj formën e përzgjedhur të kurorës, mbajtjen e saj efektive sa më gjatë dhe me raporte optimale prodhim/masë vegjetative.

Për ruajtjen e parametrave të mësipërm bëhen ndërhyrje krasitje kryesisht mbi degët e nivelit të dytë, të tretë dhe veshëse, përmes shkurtimit, rrallimit, përmirësimit të vendosjes në hapësirën e kurorës, eleminimin e degëve prodhuese kur ato janë me shumicë, rifreskimin ose eleminimin e atyre të vjetëruara,  etj.

Krasitjet jo të zakonshme

Përveç rasteve normale të krasitjeve, në praktikën hortikulturore njihen edhe lloje të tjera krasitjeje

të cilat ndryshe quhen “krasitje jo të zakonshme”. Në këtë grupim krasitjesh do të rendisim:

  • Krasitjen përmirësuese ose riformuese
  • Krasitjen transformuese
  • Krasitjen rishatruese/ për riformim kurore pas shartimeve të detyrueshme
  • Krasitjen rishëndetësuese/për riformim kurore pas krasitjeve të detyrueshme rishëndetsuese
  • Krasitjen ripërtëritëse/ ose krasitjen për riformim kurore pas prerjes së pjesës ajrore të bimës mbi degët e para skeletore ose në trung mbi pjesën e mbishartesës

Krasitja përmirësuese ose riformuese

Krasitja përmirësuese mundëson largimin nga kurora të pjesëve të dëmtuara mekanikisht nga mbingarkesat e prodhimit, të infektuara apo të dëmtuara nga faktorë ekologjikë e ambientalë. Kjo lloj krasitjeje bëhet në çdo kohë që kërkon gjendja reale e bimës dhe mund të aplikohet mbi të gjitha kategoritë e degëve të dëmtuara.

Krasitja transformuese

Përmbledh rastet kur për një ose disa arsye kërkohet ndryshimi i kurorës së pemës përmes

transformimit të degëve skeletore. Kjo do të thotë që ndërhyrjet në këtë rast aplikohen drejtpërsëdrejti mbi skeletin e rregullt të kurorës së bimës, pra duke prekur degët e para skeletore shumë afër udhëheqësit ose trungut në rastet e kurorave kupore.

Më pas për riformatimin e kurorës veprohet në krasitjet verore të vitit përkatës. Kurora plotësohet me elementë të tjerë në krasitjen dimërore sipas formës që dëshirojmë të adaptojmë, pa nënvleftësuar ndërhyrjet në vitet e mëvonshme deri në plotësimin e saj me elementët e duhur sipas mënyrës së përzgjedhur të kultivimit.

Figurë 2. (a,b).Krasitje prodhuese(a) dhe transformuese tek qershia(b)

Krasitjet rishartuese dhe rishëndetësuese

Përmes këtyre lloj krasitjeve presupozohet realizimi i formimit të një modeli të ri kurore, gjithmonë pasi është bërë një shartim i ri në kurorën e bimës apo degët skeletore të rendit të  I-.  Riformimi i kurorës mund të aplikohet edhe në rastet e një bime të infektuar pas ndërhyrjes me prerje për eleminimin e masës së infektuar ose të krejt kurorës së vjetër të bimëve të veçanta dhe më pas rimodelimit të kurorës sipas këshillës së specialistit.

Krasitja ripërtëritëse

Presupozon rikompozimin e së njëjtës kurorë dhe mbi të njëjtin trung të prerë disa centimetra mbi qafën e rrënjës së pemës që dëshirojmë të ripërtërijmë.

Si operacion kryhet në epokën e plakjes natyrore të bimës/bllokut frutor dhe pamundësinë e saj për të përmbushur detyrimet e prodhimit pavarësisht agroteknologjisë së përdorur.

Raste të tilla përmenden teorikisht ndërsa praktikisht mund të realizohen psh, mbi një bimë të veçantë dhe me vlerë të lartë ekonomike dhe për të cilën realisht jemi të interesuar që të mos zhduket se specie apo si kultivar.

Koha e krasitjes

Krasitja klasifikohet edhe në bazë të kohës kur kryhet. Në këtë kuptim krasitjet mund të jenë:

  • dimërore (është ajo krasitje që kryhet në periudhën e qetësisë dimërore deri në fillimin e vegjetacionit të ri)
  • verore (ose krasitja e gjelbër) e cila kryhet kur bimët janë në fazën e rritjes intensive vegjetative dhe të frutit
  • të vjeshtës të cilat aplikohen pas vjeljes së prodhimit veçanërisht në bërthamorë (pjeshkë dhe ulli). Krasitja tenton në eleminim të më shumë se 50-70% të kurorës.

Krasitjet e fillimvjeshtës aplikohet kryesisht në rajonet klimaterike mesdhetare të zonës së ngrohtë dhe meridionale për të kufizuar rritjet vegjetative të pasvjeljes dhe për të ulur masën e krasitjes dimërore

Reagimi i bimës pas opreacionit të krasitjes

Kur bima krasitet ajo reagon në mënyra të ndryshme në varësi të species, kultivarit, ambientit dhe periudhës së ndërhyrjes me krasitje. Në vijim ju përshkruajmë më sintetikisht disa nga reagimet më të zakonshme të bimës pas këtij operacioni:

Krasitja stimulon aktivitetin vegjetativ të bimës në mënyrë pak a shumë intensive, në varësi të tipit të ndërhyrjes dhe gjendjes shëndetësore të bimës.

Krasitjet energjike në fazën e rritjes vonojnë hyrjen e bimës në prodhim ndërsa në fazën e prodhimit induktojnë një vegjetacion të madh. Këto të fundit justifikohen në bimët e vjetra ose pas një periudhe dobësimi të bimës dhe me shumë prodhim.

Operacionet e përkuljes, shkurtimit etj, që sigurojnë ndalim të qarkullimit të limfës favorizojnë frutifikimin. Degët e përkulura dhe ato të shkurtuara mbushem me sytha frutorë.

Ndërhyrjet që pengojnë ngjitjen e limfës sikurse shtrëngimet me tel, prerjet miste të lëvores në pjesë të caktuara deri afër drurit etj, japin rezultate të ngjashme me ato të ilustruara me krasitjen apo përkuljen e degëve duke sjellë një ngadalësim të rritjes vegjetative.

Krasitjet e gjelbëra dhe ½ të gjelbëra e ulin shumë vegjetacionin krahasuar me ato të thata dimërore. Për këtë arsye, ndërhyrjet drastike për të ulur gjatësinë e bimës bëhen gjithmonë pas vjeljes.  Përpos këtyre përfundimeve, studime të mirëfillta provojnë se kur krasitjet bëhen në mënyrë racionale gjatësia mesatare e lastarëve duhet të jetë ajo e treguar në tabelën më poshtë.

Në fillimin e maturimit të bimëve ose periudhën e rinisë, gjatësia mesatare e lastarëve është më e madhe se në prodhim të plotë kur  bima është e ngarkuar me detyrime të prodhimit dhe sytha për vitin tjetër.

Ggjatësia mesatare e lastarëve është më e vogël në drufrutorët farorë (mollë, dardhë) se në drufrutorët bërthamorë (pjeshkë, kumbull, kajsi etj). Pas hyrjes në prodhim të pemës (sipas provave eksperimentale), gjatësia mesatare e rritjes vjetore të lastarëve është rreth 1/3 deri ½ e atyre në moshën e rinisë.

Tabela 3. Gjatësia mesatare e lastarëve në një vit vegjetativ vlerësuar në specie të ndryshme në fillim të hyrjes në prodhim dhe në prodhim të plotë. (Branzanti & Ricci)

 

Prof. Dr. Bardhosh Ferraj
Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, Fakulteti Ekonomisё dhe Agrobiznesit, UBT.

Na Ndiqni në: