PollyDot - www.pixabay.com

Roitja në bletë

Përse roisin bletët?

Bletët mjaltëse jetojnë në koloni të përbëra nga 40-60 mijë individë dhe riprodhohen nëpërmjet roitjes që është një ndër veçoritë biologjike të bletëve. Roitja është një fenomen natyral që lejon një koloni bletësh mjaltëse të riprodhojnë vetveten me anë të ndarjes së popullsisë së rritur dhe emigrimin e roive në vendndodhje të reja.

Në kushte normale mbretëresha e vjetër dhe rreth gjysma e bletëve punëtore largohen pasi vuloset qeliza e parë e mbretëreshës. Roi i dytë del me mbretëreshën e pakopuluar disa ditë pas roitjes të parë.

Bletët mjaltëse (Apis mellifera) roisin për shkak të mbipopullimit të familjes. Por ato mund të lënë familjen edhe si pasojë e mungesës së ujit dhe ushqimit, parazitëve ose sëmundjeve infestive, shqetësimit nga njeriu ose kafshët, ndryshimit të motit, ventilimit të dobët ose problemeve me mëmën. Roitja është një nga instinktet më të ndërlikuara të bletëve. Koha e daljes së roit ndodh nga fillimi i pranverës dhe deri në verë. Bletët nuk roisin në kohë më shi.

Çfarë ndodh në familjen bletë gjatë përgatitjes për roitje?

Roitja ndodh kur në familje kemi më shumë bletë se sa nxë hapësira e zgjoit kështu që mëma nuk ka vend të lirë për të lëshuar vezët. Në këto raste bletët punëtore fillojnë të përgatisin qelizat e mëmave dhe në përgjithësi roitjen. Qelizat roitëse shpesh gjenden në perimetrin e kornizave të vezëve dhe veçanërisht në skajet e ulëta.

Fig. 1 Një familje bletë e mbipopulluar dhe qelizat roitëse

Kur familja përgatitet për roitje mëma e vjetër pakëson pjelljen, shton numrin e vezëve të pafekonduara nga të cilat dalin meshkujt, kjo është dhe një shenjë që tregon për roitjen. Në përgjithësi kur roi është “pjekur”, familja bletë demostron një aktivitet më të ulët. Ventilimi i zgjoit prishet dhe si rrjedhojë rritet temperatura në të.

Bletët krijojnë jashtë zgjoit “mjekra”. Bletët që do të roisin mbushin qeskat e mjaltit për dy ditë rezervë.

Roi i parë del me mëmën e vjetër dhe bletët e reja. Ai është shumë i ndjeshëm ndaj kushteve të mjedisit prandaj del në ditë me diell nga ora 10.00-15.00. E gjithë dalja e roit zgjat 3-10 minuta.

Mëma del më vonë pasi masa e bletëve është ngritur në ajër. Meshkujt që shkojnë të roisin në vende të reja larg nga zgjoi mëmë, mund të bashkohen me mëma të huaja, gjë që është e rëndësishme për ruajtjen e llojit.  Si rregull numri më i madh i meshkujve qëndron në familjen mëmë për t’u bashkuar me mëmën e re.

Para se të fluturojë për në vendndodhjen e re të folesë roji zakonisht vendoset diku afër, rreth 15-60 m nga zgjoi meqë së bashku me bletët del edhe mëma e vjetër. Roji zakonisht lokalizohet diku, ndërkohë që bletët zbuluese vendosin për një vendndodhje të re.

  Fig.2. Dalja dhe formimi i roit të bletëve

Pakësimi i pjelljes së vezëve nga ana e mëmës në periudhën para roitjes sjell këto pasoja; tek mëmat zvogëlohet volumi i vezoreve, bymehen qeskat e ajrit në bark, pesha specifike e trupit të saj zvogëlohet dhe si pasojë ajo fiton aftësinë për të fluturuar.

Në fole pakësohet në mënyrë të ndjeshme puna për rritjen e larvave të reja, shtohet numri i larvave të vulosura dhe si pasojë shtohet shpejt forca e familjes pas daljes së roit të parë. Në familje çdo ditë çlirohen nga punët për ushqimin e larvave një numër i madh bletësh ushqyese.

Në këtë kohë ndodh formimi i roit, domethënë ndahet grupi i bletëve që hyjnë në përbërjen e tij. Bletët e këtij grupi shpërndahen në atë pjesë të zgjoit ku nuk bëhet asnjë punë, në hojet e anës dhe nëse në zgjua është ngushtë ato dalin jashtë tij dhe varen në formë “mjekre” nën verandën ose në derën e zgjoit. Kufizohet sjellja e nektarit dhe pjalmit në zgjua. Pakësohet dhe ndërpritet fare sekretimi i dyllit dhe ndërtimi i hojeve të reja nga bletët.

Faktorët që ndikojnë në roitje janë raca e bletëve, mosha e mëmës (familjet me mëma të vjetra janë të predispozuara për të roitur), dendësia në zgjua dhe kullotat e bollshme me nektar dhe polen.

Grumbullimi i roit dhe vendosja në zgjua

Roitja nuk duhet konsideruar si një shkatërrim i familjes bletë sepse nëse mblidhet dhe vihet në zgjua ajo mund të bëhet një koloni tjetër prodhuese, ndërkohë që zgjoi amë do të ketë një mbretëreshë të re. Është pikërisht koha kur bleterritësi duhet të përpiqet për të tërhequr roin.

Fillimisht duhet përgatitur zgjoi me inventarin e nevojshëm për pritjen e roit. Zakonisht mbledhja e roit bëhet në darkë. Në zgjoin ku do të vendoset roia duhet të ketë sipas rradhës, një hoje me mjaltë e polen, hoje bosh dhe një hoje me pjellje të moshave të ndryshme, marrë nga një familje e pastër nga sëmundjet. Grumbullimi i roit është një punë e vështirë që varet nga vendi ku pozicionohet dhe nga madhësia e tij.

Fig.3.  Kapja e roit dhe vendosja e tij në zgjua

Roitë me mëmë të pakopuluar janë mjaft tekanjoze dhe më të vështira për t’u mbledhur. Ndodh ndonjëherë që pasi janë mbledhur dhe futur në zgjua, bletët mund ta braktisin atë. Për këtë është e nevojshme që këto roi të kenë gjithnjë hoje me pjellje dhe mjaltë në zgjua.

Së fundmi, duhet të tërheqim vëmëndjen për një moment që në praktikë shpesh nuk vlerësohet; ruajtja e parkut nga prekja e sëmundjeve nëpërmjet roitjeve. Prandaj roi i futur në zgjua duhet të mbahet në karantinë larg parkut, të paktën rreth 3 javë. Bletarët duhet të marrin masa për mbarëvajtjen e rojitjes duke inspektuar kolonitë e tyre rregullisht.

Nga një koloni që nuk roit mund të mblidhet më shumë mjaltë. Kolonia amë gjithmonë humbet një sasi të konsiderueshme bletësh dhe ka ndërprerje në pjellje. Përpara se të ndodhë roitja kërkohet një kohë e nevojshme. Në këtë kohë të dy kolonitë janë në balancë (familja ekzistuese dhe ajo që do të roisë).

Megjithatë, ndonjëherë mund të menaxhohen në kohë roitjet për të pasur avantazhe në një zonë ku shumica e nektarit sekretohet në sezone të mëvonshme. Konsiderohet avantazh edhe njohuria e bletërritësit mbi florën vendase.

Kontrolli i roitjes bëhet në fillim të sezonit dhe nuk duhet vonuar derisa zgjoi të mbushet me bletë dhe me qeliza roitëse. Një bletar me eksperiencë duhet të dijë momentin se kur duhet të ndërhyjë për të zgjeruar zgjoin. Si zgjerimi i parakohshëm ashtu dhe ai i vonuar është më pasoja për familjet bletë.

Nëse zgjoi zgjerohet para kohe, numri i vogël i bletëve në zgjua do të jetë i pamjaftueshëm për ta ruajtur temperaturën konstante në fole, kështu që mëma detyrohet të pakësojë pjelljen e vezëve. Nëse bletari vonohet për zgjerimin e zgjoit do të formohen qelizat e mëmave.

Zgjerimi i zgjoit duhet bërë para se zgjoi të arrijë mbipopullimin. Në këtë mënyrë do të ketë hapësirë për bletët e reja që do të dalin, do të ketë vazhdimësi në punën për ndërtimin e hojeve dhe do të ketë hapësirë për depozitimin e nektarit dhe të polenit si dhe për pjelljen e mëmës.

Si mund të kufizojmë roitjen?

Për të arritur suksesin në bletari është i rëndësishëm parandalimi ose mbajtja nën kontroll e roitjes. Për kufizimin e roit rekomandohet: Heqja me kohë e tepricës së gjeneratës së vulosur dhe të bletëve që ndodhen në to duke i zevëndësuar me hoje bosh ose me pjellje shumë të re.

Ky operacion bëhet çdo 3 javë, 3-4 herë; mbajtja e mëmave të reja në familje sepse kanë prirje më të ulët për roitje: Zgjerimi i folesë së zgjoit: Vendosja e parqeve në vende me hije dhe ajrosja e mirë e zgjojve: Kontrolle të shpeshta një herë në javë në zgjojtë që japin shenja roitjeje për të kërkuar dhe prishur të gjitha qelizat e mëmave: Zgjedhja dhe shumimi i familjeve që kanë prirje më të kufizuara për roitje.

E meta kryesore e roitjes natyrale është se nuk mund të bëhet një planifikim i saktë për shtimin e numrit të familjeve bletë. Roitja ndikon në rënien e prodhimit të mjaltit për zgjua. Në praktikat e bletarisë moderne aplikohet shartimi, rritja e mëmave dhe të ushqyerit e bletëve për të rritur numrin e punëtoreve.

Pa një menaxhim të kujdesshëm, përfshirë përmirësimin racor, çdo familje bletë mund të roisë duke e lënë zgjoin amë të dobët dhe me një rendiment të ulët mjalti. Menaxhimi i drejtë i familjeve bletë premton për sigurimin e të ardhurave për një bletërritës.

 

Prof. Dr. Lumturi Sena
Departamenti i Shkencave Zooteknike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

 

Na Ndiqni në: