Një pyetje formësohet herët në ndërgjegjen e çdo fëmije; çfarë do të bëhem në jetë? Një dilemë e tillë për shumë kohë mundon edhe vetë prindërit derisa merr përgjigje në momentin kur maturantët bëjnë zgjedhjen e tyre për profilin e studimeve që do ndjekin në të ardhmen. Jo rrallë ndodh që zgjedhja e degës së studimeve e cila me shumë gjasë do të përcaktojë edhe profesionin e individit, ndodh në një kohë kur bota e maturantëve është e mbushur plot ëndrra dhe dëshira, në një botë të mbingarkuar nga informacioni, që shpeshherë i bën konfuzë dhe u vështirëson procesin e përzgjedhjes.
Ajo, zgjedhja e jetës, shpeshherë është e ndikuar nga “moda” e të rinjve ose opinionet e rastit që janë larg realitetit. Në fakt, zgjedhja e degës për studime universitare bëhet vetëm një herë në jetë, bashkë me të mirat dhe të këqijat që e bashkëshoqërojnë atë.
Përfytyroj veten përballë një maturanti apo prindërve të tij, përballë breshërisë së pyetjeve të tyre kur gjenden para plotësimit të formularëve. Për t’ua lehtësuar sado pak këtë moment deciziv në jetën e shumë maturanteve/ëve, si një arsimdashës dhe pedagog me një karrierë të gjatë në mësimdhënie, po u përcjell alternativat se përse është me mjaft vlerë dhe se përse duhet të zgjedhin pa u menduar gjatë, të studiojnë në fushën e mjedisit dhe burimeve natyrore, bazuar edhe në programet universitare të studimit që zhvillohen pranë këtij departamenti në Universitetin Bujqësor të Tiranës, pjesë e të cilit jam edhe unë.
Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore (DM&BN) ofron studime në fushën e Shkencave Mjedisore në dy programe bachelor, inxhinieri në agromjedis dhe menaxhim i burimeve natyrore. Kjo është një mundësi për të gjithë maturantët që dëshirojnë të marrin dije dhe më pas të japin kontributin personal si profesionistë në karrierë në dobi të mjedisit dhe shoqërisë përballë sfidave të shumta me të cilat përballemi çdo ditë, përballë konflikteve dhe presionit gjithnjë e në rritje përsa i përket burimeve natyrore apo ndaj jetës në planetin Tokë.
Përveç faktit se UBT ka tashmë 7 dekada traditë dhe renditet nga organizatat ndërkombëtare si i pari universitet në Shqipëri për cilësinë e mësimdhënies dhe jo vetëm, një sërë avantazhesh të tjera shoqërojnë zgjedhjen për të kryer studimet pranë departamentit të mjedisit dhe burimeve natyrore.
Programet ofrojnë formim multidisiplinor të studentëve, konsideruar si shumë i nevojshëm për të zhvilluar aftësitë e analizës, gjykimit dhe orientimit në situata të ndryshme, jo vetëm në aktivitetin profesional por gjatë gjithë jetës. Ky formim është i njëjtë me atë që ofrohet në universitetet perëndimore, ndërsa mundëson gjithashtu të bërit e rolit të “detektivit” për të gjurmuar të vërtetën (shkak-pasojë) apo të bërit të rolit të “gjyqtarit’’ për të vlerësuar ekuilibrin midis interesave ekonomike dhe mjedisore ose krimin mjedisor. Studentët që zgjedhin këtë degë mund ta shohin veten si mbrojtës të shumë aspekteve e sektorëve jetësorë, të burimeve të ndryshme dhe natyrës, apo si një “sulmues” kur godet abuzimet mjedisore.
Stafi akademik i (DM&BN) është i mirëkualifikuar në Shqipëri dhe në vendet perëndimore (për secilin prej tyre mund të informoheni duke kërkuar në internet) dhe infrastruktura laboratorike është e akredituar sipas standardeve ndërkombëtare ISO.
Tradita arsimore e UBT garanton seriozitet, besueshmëri dhe qëndrueshmëri, mësimdhënie korrekte dhe cilësore, vlerësim dhe respekt për studentët gjatë studimeve dhe marrëdhënie të vazhdueshme profesionale me ta, përgjatë gjithë jetës. Studentët gjatë periudhës studimore kanë mundësi të ndjekin një ose disa semestra në universitetet homologe me bursa nga programi ERASMUS.
Të diplomuarit kanë mundësi ose alternative të shumta për punësim, pikërisht për shkak të dijeve që marrin në këtë degë dhe për shkak të kërkesës së tregut vendas dhe të huaj për ekspertë në fushën e mjedisit. Asnjë aktivitet publik ose privat nuk mund të zhvillohet pa specialistin e mjedisit si psh; në pushtetin lokal, në pushtetin qendror, në financë, industri, turizëm, arsim, në universitete apo në kompani private, në shoqata joqeveritare etj. Institucionet shtetërore lokale dhe qendrore, institucionet ndërkombëtare, kompanitë dhe organizatat publike dhe private kanë hapësira të shumta për këtë lloj ekspertize dhe punësojnë vazhdimisht të diplomuar në fushën e mjedisit dhe burimeve natyrore. Studentët me rezultate të larta kanë mundësinë gjithashtu për të vijuar bashkëpunimin me UBT duke zhvilluar karrierën akademike në këtë universitet apo në institucione të tjera kërkimore ose universitare. Gjithashtu të diplomuarit mund të ndërtojnë dhe të zhvillojnë aktivitete private si ekspertë për vlerësimin dhe auditimin e mjedisit.
Për më shumë, këto diploma janë të njohura në tregun ndërkombëtar të punës dhe statistikat tregojnë se ky profesion është ndër më të vlerësuarit e më të paguarit në vendet perëndimore. Gjykoj së është fat t’i bashkohesh trendit europian dhe atij global, të diplomohesh dhe të bëhesh profesionist në fushën e Shkencave Mjedisore.
Prof. Dr. Seit Shallari
Përgjegjës i Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.