Kanceri bakterial (P. savastanoi), një sëmundje tepër e rrezikshme për kulturën e ullirit, është e pranishme në të gjitha ullishtet tona. Për këtë arsye, ekspertët tërheqin vëmendjen dhe u drejtohen fermerëve, agronomëve e fitofarmacistëve për të mos neglizhuar këtë sëmundje e cila e dëmton rëndë kulturën e ullirit. Ata bëjnë thirrje për të mos neglizhuar ndërhyrjet me preparate me bazë bakri. Prof. Dr. Shpend Shahini në këtë artikull njeh lexuesin me shenjat e kancerit bakterial në bimën e ullirit. Sipas tij, këto shenja përfaqësohen nga gale (tumore) tipike të izoluara ose në raste të prekjeve të rënda, ato shfaqen të bashkuara, në formë sferike, me diametër që ndryshon nga disa mm deri në disa cm. Në fillim janë me ngjyrë të gjelbër dhe me sipërfaqe të lëmuar e më vonë, ngjyra tjetërsohet në gri e më pas në kafe, me sipërfaqe të ashpër dhe konsistencë drunore. Tumoret mund të jenë të pranishme në gjethe, në bishtat e gjetheve dhe më rrallë mbi fruta.
Kanceri bakterial i ullirit shkakton dëme serioze në bimë. Dëmi i shkaktuar është në varësi të sasisë së degëve të infektuara dhe shkakton tharje të pjesëve me tumore, dobësim të bimës, pakësim ose mungesë të prodhimit dhe gjithashtu bën që frutat në degët e infektuara të jenë të hidhura e për pasojë prodhojnë vaj të një cilësie të keqe.
Por si mund të mbrohet ulliri nga kanceri?
Ndaj kësaj sëmundjeje mund të merren një sërë masash kontrolli të tilla si: Kontrolle sanitare të kujdesshme të bimëve mëmë si edhe në fidanishte; kontrolle sanitare të kujdesshme në fidanishte; eleminim të degëve të infektuara rëndë ndërsa mund të kryhen edhe trajtime me preparate me bazë bakri në mënyrë të veçantë pas ngricave, breshërit, krasitjeve dhe vjeljeve mekanike. Ekspertët bëjnë apel dhe thonë se duhet pasur shumë kujdes, pasi menjëherë pas ngricave duhet të realizohet një trajtim me preparat me bazë bakri.
Mjaft të rëndësishme për trajtimin e ullirit apo ullishteve janë edhe ndërhyrjet suplementare të cilat klasifikohen si më poshtë:
Ndërhyrjet suplementare
- Përdorimi i materialit mbjellës të çertifikuar sipas normave fitosanitare;
- Zgjedhja e kultivarëve më pak të ndjeshëm;
- Kryerja e krasitjeve në periudha pa reshje shiu, duke kufizuar plagët e rënda dhe duke hequr degët e infektuara;
- Heqja, sa të jetë e mundur, e tumoreve bakteriale mbi trung dhe në degët e trasha;
- Dezinfektimi i mjeteve krasitëse në kalimin nga njëra bimë tek tjetra dhe krasitja e bimëve të infektuara në fund;
- Evitimi i plagëve gjatë procesit të vjeljes;
- Mbajtja e bimëve në kushte të mira vegjetative duke kryer plehërime të ekuilibruara.
Këshillohet të dezinfektohen plagët e rënda të shkaktuara nga heqja e tumoreve ose nga prerja e degëve kryesore ose lezionet e shkaktuara nga breshëri me pastë bordoleze të koncentruar. Limiti maksimal i lejuar i bakrit për hektar është 6 kg/vit.
Prof. Dr. Shpend Shahini
Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.