Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton skemën e mbështetjes me naftë bujqësore

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u vjen në ndihmë femerëve vendas duke menduar për ta një skemë të mbështetjes me naftë për sektorin e bujqësisë. Kështu, në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit nr. 137/2021, “Për buxhetin e vitit 2021”, të pikës 16 të Vendimit nr. 1142 datë 24.12.2020, “Për përcaktimin e kritereve bazë, masës së përfitimit dhe mënyrës së përdorimit të fondit për skemën e mbështetjes me naftë për bujqësinë. për vitin 2021”, ministria udhëzoi nëpërmjet një sërë dispozitash të përgjithshme skemën e mbështetjes me naftë për bujqësinë e cila mbulon kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore dhe sezonet përkatëse të mbjelljeve, ndërsa u bë me dije se nafta do të jepet falas për të gjithë fermerët që kanë një NIPT. Sipas ministres së bujqësisë, një proces i tillë për të cilin fermerët kanë nisur të aplikojnë që në muajin janar të këtij viti, do të jetë një ndihmë e konsiderueshme për ta.  Në udhëzimin e bërë publik për mediat po një muaj më parë, saktësohen edhe kriteret dhe normativat e përfitimit të kësaj skeme, ndërsa ndër të tjera specifikohet se:

  1. Subjektet përfitues të skemës mbështetëse të naftës për bujqësinë janë ata subjekte, të cilët për aktivitetin e tyre bujqësor kryejnë punime të mekanizuara në kulturat bujqësore, dhe plotësojnë përkatësisht kriteret si më poshtë:
    •  Fermerët individualë duhet të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv.
    •  Personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv.
  2. Çdo subjekt përfitues, duhet të provojë se ka tokë bujqësore në pronësi apo përdorim sipas përcaktimeve dhe dokumentacionit të kërkuar në Kreun IV të këtij udhëzimi.
  3. Aplikuesi vetëdeklaron kulturat bujqësore të mbjella ose që parashikon të mbjellë sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit, të paraqitur në Aneksin 2.
  4. Për të gjitha llojet e subjekteve përfitues, madhësia minimale e sipërfaqes së deklaruar për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kultturat bujqësore, duhet të jetë jo më pak se 0.4 Ha. e përbërë nga parcela/ngastra me sipërfaqe jo më pak se 0.1 Ha.
  5. Normativat e konsumit të naftës për punimet e mekanizuara dhe sasia e naftës që përfitohet falas nga çdo subjekt përfitues sipas kulturave bujqësore/grup kulturave, paraqiten në Aneksin 3, bashkëlidhur këtij udhëzimi.
  6. Përfitimi i sasisë së naftës falas për sipërfaqen që kultivohet, është si më poshtë:
    •  Aplikuesit me sipërfaqe deri në 10 ha, përfitojnë 100% sasinë e naftës sipas normativave të përcaktuara në Aneksin 3, bashkëlidhur këtij udhëzimi.
    •  Aplikuesit me sipërfaqe mbi 10 ha, për sipërfaqen mbi 10 ha, marrin sasinë e naftës me normativë të korrektuar/reduktuar kur sasia e naftës në dispozicion nuk plotëson të gjithë kërkesën për këto sipërfaqe.Normativa e reduktuar del nga raporti i normativës të konsumit të naftës (sipas pikës 5 më sipër) me një herës. Herësi del nga raporti i) i nevojave për naftë të aplikuesve me sipërfaqe mbi 10 ha, por jo më shumë se normativa e lejuar, me ii) sasinë e mbetur të naftës në dispozicion për vitin 2021, pasi janë plotësuar nevojat e të gjithë aplikuesve deri në 10 ha që janë kualifikuar si subjekte përfitues.
  7. Sasia e naftës falas duhet të tërhiqet nga përfituesit brenda muajit nëntor 2021.
  8. Përcaktimi i sasisë së naftës që përfiton aplikuesi, është i lidhur me sipërfaqen e kultivuar dhe llojin e kulturës bujqësore sipas vetëdeklarimit. Në rast se këto sipërfaqe nuk janë të kultivuara apo nuk kultivohen sipas vetëdeklarimit, subjekti përfitues nuk duhet të tërheqë sasinë respektive të naftës, në të kundërt, përbën element penalizues në momentin e verifikimit.

Në udhëzimin e bërë publik kohë më parë, ministria përkatëse sqaron edhe sesi do të përllogaritet masa e përfitimit. Aplikimi për skemën e naftës për bujqësinë për fermerët që plotësojnë kriteret e përcaktuara, bëhet online duke plotësuar të dhënat nëpërmjet vetëdeklarimit dhe duke ngarkuar në sistem dokumentacionin e kërkuar. Aplikimet bëhen në portalin e-Albania dhe afati i fundit i aplikimit dhe ngarkimit të dokumentacionit në e-Albania, është data 25 shkurt 2021.

Procesi do të menaxhohet nga MBZHR dhe Agjensitë Rajonale dhe synon të ndihmojë fermerin deri 10 ha por padyshim që do të jetë një përfitim edhe për fermerët që kanë sipërfaqe mbi 10 ha.

Për vitin 2021, buxheti i shtetit ka shtuar një fond prej 1 miliard lekë në ndihmë të fermerëve për heqjen e taksave të naftës për bujqësinë. Nafta për fermerët nuk do të ketë më taksën e akcizës (37 lekë), taksën  e qarkullimit (27 lekë) dhe as taksën e ndikimit në mjedis (3 lekë). Fermerët me NIPT marrin 1 litër naftë 54 % më lirë nga sa e merrnin më parë. Në total, për një litër naftë të përdorur për punime bujqësore, zbriten 67 lekë.

Për më shumë mund të lexoni vendimin e plotë nga MBZHR në:
https://bujqesia.gov.al/wp-content/uploads/2021/01/Application12021-1-110002.pdf

Punoi: Alma Janka, UBgreen.al

Na Ndiqni në: