Vaksinimi i dhelprës së kuqe

Shumëkush mund të ketë parë javëve të fundit avionë të vegjël për të cilët pati një sërë dilemash në lidhje me qarkullimin e tyre në lartësi të ulëta por paqartësia në lidhje me fluturimin e tyre u sqarua shpejt nga autoritetet, të cilat konfirmuan se ishin pjesë e procesit të vaksinimit të dhelprës së kuqe. Ajo mund të shkaktojë tërbimin dhe ilaçi i vetëm ndaj kësaj sëmundjeje është vaksinimi. Ministria e Buqjësisë dhe Zhvillimit Rural konfirmoi se vaksinimi u krye nëpërmjet ajrit me disa avionë të vegjël, të monitoruar nga Bashkimi Europian dhe që shpërndanë karremat vaksinalë.

Por çfarë është sëmundja e tërbimit dhe ç’duhet të dimë për të?

Sëmundja e Tërbimit është një sëmundje zoonike (që kalon nga kafshët tek njeriu) dhe është një sëmundje virusale. Virusi përgjegjës për shkaktimin e kësaj sëmundje është tek dhelpra e kuqe. Por, tek kjo kafshë është një virus latent (që nuk është veprues), por në rastet ky ky virus takohet me qenin (dhe/ose si vëllezërit e tij ujkun, etj), shfaqet në formën e tërbimit. Kafsha irritohet shumë, shfaq fuqi të madhe dhe dëshirë për të kafshuar kafshët por edhe njerëzit. Një kafshim i tillë shkakton sëmundjen e rëndë të individit të kafshuar, e madje edhe vdekjen e tij.

Tërbimi është një nga zoonozat më vdekjeprurëse në botë. Çdo vit, tërbimi vret mbi 70.000 njerëz në vendet në zhvillim, shumica e të cilëve fëmijë. Mbi 95% e rasteve të tërbimit në njerëz janë pasojë e kafshimeve nga qentë dhe ndryshe nga shumë sëmundje të tjera, tashmë janë në dispozicion mjete shumë efektive për ta parandaluar dhe çrrënjosur atë. Perëndimi prej shumë vitesh e ka zgjidhur këtë problematikë dhe nuk ka shfaqje të zëmundjes së tërbimit. Kjo është arritur nëpërmjet vaksinimit të dhelprës, nëpërmjet shpërndarjes së karremave (që janë të ndërtuara me “mish” peshku të ngjedhur, në formën e kallëpëve në madhësinë e një kutie shkrepseje dhe brenda të c0ilave ndodhet vaksina), duke i shpërndarë në masën 20 karrema/Km2, shpërndarje nga ajri me avionë. Dhelpra, duke ndjekur këtë ushqim të preferuar për të, e gjen karremin, e kafshon e në këtë rast ndodh kasinimi oral, gjë që e bën virusin e tërbimit që gjendet tek ajo (dhelpra e kuqe) jo-virulent.

Shpërndarja e vaksinës kryhet nga ajri, ku avionët e vegjël do të hedhin në mënyrë të kontrolluar një lloj vaksine që është e futur në ushqim të posaçëm për dhelprat. Avionët e vegjël, nëpërmjet makinerive speciale dhe hartave të sakta shpërndajnë 20 vaksina për kilometër katror dhe në çdo sezon shpërndahen 560,000 vaksina-karrem. Ky proces bëhet dy herë në vit, në pranverë dhe vjeshtë.

Prej vitit 2014, edhe në Shqipëri, me mbështetjen e plotë (mbulimin e të gjitha shpenzimeve të vaksinës dhe të shpërndarjes nga BE), është aplikuar vaksinimi i dhelprës. Ka vetëm disa ditë që ka përfunduar më sukses fushata e 13-të e vaksinimit. Ky vaksinim është kryer dhe kryhet me këtë mënyrë në të gjitha vendet e Ballkanit dhe pas disa vitesh vaksinimi të rregullt, tashmë sëmundja konsiderohet që është zhdukur në vendet e Ballkanit. Megjithatë, për shkak të mundësive teorike që ndonjë dhelpër të mos e ketë marrë vaksinën, në vendet e rajonit, ashtu si edhe në vendin tonë do të vijojë të ketë fushata të tjera (sipas vendimit që do të merret, mund të mbuljnë gjithë vendin apo vetëm rajonet kufitare) dhe do të ketë monitorim të rreptë për të identifikuar menjëherë nëse sëmundja mund të rishfaqet në ndonjë vatër.

Shërbimi Veterinar Shtetëror do të jetë institucioni shqiptar përgjegjës për ndjekjen në vijimësi të situatës. Të dhënat nga fushata e vaksinimit të fundit tregojnë se kjo mënyrë ka qenë e suksesshme në Shqipëri. Parimi bazë për kontrollin e tërbimit është survejanca. Survejanca e qëndrueshme mbetet një sfidë dhe duhet forcuar për të mbështetur certifikimin “i pastër nga sëmundja” si një çështje prioritare. Kjo do të arrihet nga një nivel i lartë i ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e raportimit të rasteve të dyshuara dhe gatishmërinë e shërbimeve veterinare të Shqipërisë, për të reaguar dhe për t’u përgjigjur menjëherë në të gjitha rastet e dyshuara të raportuara. Institucionet e tjera qeveritare dhe agjencitë publike do të mbështesin survejancën, duke raportuar e dorëzuar kufomat e kafshëve të egra dhe ato të vrara në rrugë, për të forcuar investigimin e tërbimit. Gjithashtu janë paraqitur masat e kontrollit të zbatueshme në rast dyshimi dhe konfirmimi të tërbimit, mbi të cilat duhet të bazohet përgatitja e legjislacionit sekondar të tërbimit.

Z.GJETA

Koordinator i fushatës për palën e kontraktuar

 

Na Ndiqni në: