Barry Weatherall - www.unsplash.com

Teoria e Lojës në bujqësi

Teoria e lojës (TL) ka një gamë të gjerë aplikimesh si; psikologjinë, biologjinë evolucionare, luftën, politikën, ekonominë, biznesin dhe një rëndësi të veçantë në këtë shkencë zënë aplikimet në sektorin bujqësor. Pavarësisht përparimeve të shumta, TL është ende një shkencë e re dhe në zhvillim.

TL është aplikuar në situata bujqësore që përfshijnë sjelljen e tregut të fermerëve, pasigurinë klimatike, adoptimin e inovacioneve, negociatat dhe marrëdhënieve midis firmave. Në mënyrë absolute të gjitha problematikat bujqësore të zgjidhura nëpërmjet teorisë së lojës mbeten në kuadrin sugjestiv për çdo fermer. Ajo çfarë bën TL, është të sugjerojë procedura të cilat zgjerojnë bazën e formimit të fermerëve.

Prodhimi bujqësor varet nga shumë rreziqe si; toka, kushtet klimatike, pesticidet, farat dhe sëmundjet e ndryshme. TL përdoret për të përcaktuar kultura të ndryshme të cilat maksimizojnë fitimin neto të fermerëve.

Objektivi kryesor i aplikimit të TL-së është të garantohet një produktivitet më i lartë në kohën më të shkurtër me kosto minimale. Veçantia e zgjidhjes që merret nëpërmjet TL-së është se merret në konsideratë studimi i situatës në kushtet më të këqija. Shumë problematikave të ndryshme ekonomike dhe bujqësore iu është dhënë zgjidhje nëpërmjet problemave të programimit linear, me ndihmën e metodave simplekse, problemit të transportit etj. Ajo çfarë nuk merret parasysh në mekanizmat e lartpërmendur është rreziku dhe pasiguria që duhet të ndërmarrë një fermer. Pikërisht në këtë kontekst, TL është një mjet i dobishëm matematikor i përdorur për planifikime të cilat kanë pasiguri.

Përgjithësisht rolin e variablave e luajnë pikërisht bimët që do mbillen nga fermeri. Fermerët duhet të zgjedhin varietetet/bimët e të korrave të çdo sezoni prodhimi por gabimi më i madh që bëhet jo rallë, është se shumica e fermerëve nuk bëjnë një studim të mirëfilltë për zgjedhjen e këtyre varieteteve por mbjellin ato të cilat kanë pasur një rendiment të kënaqshëm vitin e kaluar.

Ndryshimi në teknikat e prodhimit të zhvilluara në kultura të reja, zhvillimi i produkteve ose inputeve të reja dhe prezantimi i inovacioneve te tjera nuk mund të zgjidhet me saktësi. Pasiguria e çmimeve është problem më i rëndësishëm i fermerëve. Teoria e Lojës është analiza matematikore e luajtjes së lojërave të kësaj natyre nën një sërë supozimesh rreth lojtarëve dhe rregullave të lojës. Supozimet me klasike dhe të përdorshme janë:

Lojtarët janë inteligjentë dhe racionalë;

Secili prej lojtarëve ka si qëllim maksimizimin e dobisë së pritur;

Secili nga lojtarët i njeh strategjitë, rezultatet e mundshme dhe funksionet e dobisë të të gjithë lojtarëve të tjerë.

Në varësi të bashkëpunimit ose jo të lojtarëve me njëri-tjetrin, lojërat klasifikohen në :

Lojëra Kooperative në të cilat janë të mundura marrëveshjet dhe koalicionet midis lojtarëve me qëllim maksimizimin e përfitimeve të veta.

Lojëra Jokooperative në të cilat janë të ndaluara marrëveshjet dhe shkëmbimet e informacionit midis lojtarëve të lojës.

Alternativat dhe opsionet që ka në dispozicion çdo lojtar për të zgjedhur në TL quhen strategji. Disa nga kriteret më të përdorshme që përdoren për marrjen e vendimeve në aplikimet bujqësore të TL-së janë:

Kriteri minimax nëpërmjet të cilit vlerësohet çdo opsion në aspektin e rezultatit më të keq të mundshëm.

Kriteri i Wald disa prej studiuesve e quajnë dhe nënkategori të kriterit minimax. Vendimmarrësi krahason rezultatet më të vogla të fitimit në përdorimin e strategjive të rezultatit më të keq dhe zgjedh pikërisht vlerën më të lartë ndër gjithë minimalet.

Kriteri maximax është një qasje për personat optimistë. Vendimarrësi merr në konsideratë shpërblimin maksimal nga alternativat e disponueshme dhe zgjedh atë që do ketë rezultatin më të mirë.

Kriteri i Laplasit i bazohet në hipotezën se vendimmarrësi nuk ka ndonjë njohuri për “gjendjen e natyrës” nëse do jetë në favorin e të mbjellës së tij në periudhën kyçe të rritjes së bimës. Për këtë arsye fermeri duhet të veprojë duke patur parasysh që çdo gjendje e natyrës e ka probabilitetin e njëjtë për të ndodhur.

Kriteri i Dobisë. Ky kriter nënkupton që lojtari është një shmangës i mirëfilltë i rrezikut. Vendimet e marra konsiderohen pesimiste në lidhje me rezultatet që do të merren në të ardhmen. Këto kritere iu sigurojnë vendimmarrësve që edhe përballë kushteve më të këqija ekziston një fitim edhe pse në një vlerë më të vogël.

Sektori i bujqësisë është një sektor që luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë. Me zhvillimin e këtij sektori janë siguruar vende pune, është siguruar një burim të ardhurash për gjithë komunitetin, është siguruar ushqimi e shumë të tjera. Për të bërë të mundur zhvillimin e këtij sektori duhet të merren në konsideratë të gjitha kushtet për maksimizimin e fitimit dhe uljen e kostos në vlerë monetare dhe në atë kohore. Faktorët kryesorë të cilët pengojmë në arritjen e qëllimeve të vëna nga fermerët janë pikërisht faktorët klimatikë, duke vazhduar më tej me informacionin e vakët që përdorin për të përcaktuar se cila bimë do prodhohet.

Nëpërmjet TL-së jo vetëm që fermerët kanë një pasqyrë të qartë të të gjithë situatave të mundshme por ata evitojnë atë që quhet falimentimin total duke përdorur racionalitetin e tyre si lojtarë të një loje.

 

Anjeza Bekolli
Pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Departamenti Matematikë dhe Informatikë, UBT.

Na Ndiqni në: