Photo: www.diariocordoba.com

Studentet e FMV-së, UBT, Fei Shehu dhe Dhurata Dyrmishi, tashmë me studime në Spanjë, flasin për median spanjolle

Prej kohësh UBT, përveç misionit të rëndësishëm të mësimdhënies dhe profilizimit sa më efikas të studentëve në degë të ndryshme, u vjen në ndihmë këtyre të fundit me kualifikime e specializime nga më të larmishmet, më të duhurat e më profesionalet, jo vetëm brenda por edhe jashtë kufijve. Një gjë e tillë është mundësuar në vazhdimësi edhe falë projekteve apo programeve me partnerë të ndryshëm siç është Erasmus+. Ky program ka për qëllim ndër të tjera rritjen e aftësive, punësimin, arsimimin e trajnimin e të rinjve.

Nëpërmjet bursave të dhëna nga Erasmus+, jo pak studentë të UBT-së kanë mundur të studiojnë apo të trajnohen jashtë vendit. Dy ndër to janë Dhurata Dyrmishi dhe Fie Shehu të cilat studiojnë në Spanjë. Dy vajzat, pjesë e grupit të dytë të studentëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës që kanë shkuar për të studiuar në Universitetin e Cordobas në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare falë bursave Erasmus +, kanë dhënë përshtypjet e tyre në lidhje me këtë eksperiencë ndërsa janë intervistuar nga gazetarë spanjollë të gazetës “Diario Cordoba”.

Dhurata Dyrmishi tregon se Universiteti i Cordobas (Kordoba) është një vend i shkëlqyer për të studiuar dhe realizuar praktikat, ndërsa shton se kjo është një ndër eksperiencat të cilat nuk do t’i harrojë kurrë. Ajo tregon gjithashtu se kampusin Rabanales është një vend shumë i këndshëm për të kaluar kohën me miq e shokë.

Të shkëlqyer e konsideron këtë eksperiencë edhe Fei Shehu ndërsa tregon se është adaptuar shumë shpejt në këtë ambient të ri. Ajo shton se koordinatorët e projektit e lehtësuan shume këtë proces duke i dhënë shumë shpejt përgjigje të gjitha pyetjeve.

“Nga ana tjetër, megjithëse mësimi zhvillohet online, profesorët mundohen të na japin të gjithë informacionin e mundshëm duke e lehtësuar shumë të kuptuarit e këtyre leksioneve duke u thelluar edhe më tepër dhe ndihmuar në realizimin e detyrave që ata na ngarkojnë” – tregon Shehu për gazetën “Diario Cordoba”.

Sipas dy studenteve Universiteti i Cordobas (Kordoba) po njihet gjithnjë e më tepër nga studentët e UBT-së në Shqipëri. Kjo edhe për vetë faktin se studentët e Erasmus kur kthehen në atdhe, ndajnë ekperiencën e tyre me të gjithë studentet e tjerë dhe përcjellin përshtypje të mira për Universitetin e Cordobas.

Shehu shton ndër të tjera se megjithë situatën e vështirë të krijuar nga Covid-19, shumë studentë të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare kërkuan të ishin pjesë e studimeve pranë Universitetit të Cordobas pasi Spanja dhe veçanërisht Cordoba, ofrojnë kushte shumë të mira për të jetuar dhe studiuar.

Pyetjes nëse mendojnë që eksperienca e fituar do të jetë një vlerë e shtuar për studimet e tyre kur të kthehen në Shqipëri, Dhurata Dyrmishi i përgjigjet: “Padyshim që po. Më pëlqejnë shumë kuajt dhe falë eksperiencës së fituar këtu, kam shumë informacion. Tani dëshira ime është të specializohem për kuaj falë edhe njohurive që fitova këtu’”.

Për të njëjtën pyetje Fie Shehu përgjigjet: “Studimet për Mjekësinë Veterinare nuk kanë shumë diferencë me ato që unë realizoj në Shqipëri. Gjithësesi realizimi i studimeve këtu më bëri të kuptoj drejt ku duhet të fokusohem në të ardhmen. Objektivi im është të fokusohem në higjienën dhe inspektimin e produkteve me origjinë shtazore. Këtu, pranë Fakultetit të Mjekësisë Veterinare në Cordoba kam patur mundësinë të mësoj shumë gjëra pranë laboratorëve shumë cilësorë. Sot unë jam në gjendje të realizoj eksperimente ose kërkim shkencor. Padyshim më ndihmon shumë dhe fakti që kam filuar të flas dhe spanjisht”.

Dy studentet u përgjigjen ndër të tjera edhe pyetjes nëse do të kishin dëshirë të ishin sërish pjesë e Erasmusit dhe ato përgjigjen pozitivisht me bindje të plotë: “Absolutisht po dhe nuk do ta mendoja dy herë- thotë Dhurata Dyrmishi, pasi kjo bursë jo vetëm më ndihmoi me studimet por më dha mundesinë të mësoj spanjisht dhe të njoh kultura të tjera”.

“Do më pëlqente të fitoja sërish një bursë Erasmus, vecanërisht në Kordoba. Gjashtë muaj nuk janë kurrë të mjaftueshëm për të njohur kulturën spanjolle dhe kulturat e ndryshme të studentëve Erasmus”.

 

https://www.diariocordoba.com/universidad/2021/06/02/nivel-asignaturas-alto-52501879.html?pimec-widget=1&pimec-mod=0&pimec-pos=1

Na Ndiqni në: