Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka ulur për herë të tretë vijën e financimit, për masat mbështetëse direkte për vitin 2021 duke shtuar në listën e përfituesve edhe 20 aplikantë të rinj që operojnë në fushën e bimëve mjekësore.
AZHBR bën të ditur se është masa 4, për të cilën vija e financimit do të zbresë nga numri rendor 80 që ishte më parë në 100.
“Masa 4: Mbjellje Bimë Aromatike dhe medicinale – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 100. Afati i dorëzimit të dokumenteve shtesë për aplikantët që ndodhen mbi vijën e financimit është deri më datë 10.08.2021. Dorëzimi përtej këtij afati do të rezultojë me skualifikim të aplikimit”, – njofton AZHBR.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021 ofron subvencionin për mbjellje bimësh mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 lekë/ha, por jo më shumë se 1 000 000 lekë për fermerët individualë dhe për grup fermerësh. Ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), jo më shumë se 4 000 000 lekë.
“Sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0,2 ha, për grup fermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0,2 ha, kur nuk është në bllok”, bën të ditur AZHBR-ja.
Sipas AZHBR-së, deri tani pagesat janë dhënë në total për 70% të fermerëve përfitues. Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021, ka të destinuar një fond prej 804 milionë lekë, subvencione për 3000 fermerë të kualifikuar deri tani përfitues për njërën nga 9 masat që mbështet Skema Kombëtare e këtij viti.
Burimi: ata.gov.al