kkolosov - Pixabay.com

Shkencëtari i shquar dhe miku i mirë Ndue KANARI

Ai është nderuar nga organizatat shkencore më prestigjoze ndërkombëtare me “The International Award” nga web of Science and Publons (2019); me 2 çmime të tjera nga “The International Certificate of Excellence nga Elsevier“ (2013 dhe 2016); me ‘The International Award Scientific and Technological Innovation” nga Alpha Recyclage-WasteEng12 si dhe me “Science Award’ nga TMS-Minerals, Metals & Materials Society, USA” (2001).

Është autor i tre patentave ndërkombëtare nga të cilat dy përfaqësojnë “zemrën e tij“. Ndue Kanari i ka dhuruar botës “dashurinë e vet”, një proces të sintezës te “FeVI” stable, një super-oksidant me potencial të lartë dhe pa efekte anësore për trajtimin e ujit të pijshëm, ujërave të ndotura e deri tek trajtimi i ujit të kontaminuar nga bakteret dhe viruset.

Kanari është autor i qindra publikimeve shkencore dhe pjesëmarrës në konferenca internacionale; autor i dhjetëra raporteve shkencore, oponent i qindra artikujve, editor i ftuar i revistës “Materials”-MDPI dhe oponent i rreth 30 revistave më të njohura shkencore ndërkombëtare.

Ai është dashamirës dhe për më shumë se 20 vjet, promovues i marrëdhënieve midis Institutit Nacional Politeknik të Lorenës, sot Universiteti i Lorenës, Nancy Francë dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ai ka qenë mbështetës dhe pjesë e zhvillimit të idesë dhe projektit për zhvillimin e studimeve universitare dhe kërkimit shkencor në fushën e mjedisit pranë UBT.

Bëhet fjalë për Ndue KANARIN, i lindur në Kaçinar të Mirditës, aktualisht “Senior Researcher” në laboratorin “GeoRessources” në Universitetin e Lorenës, Francë.

Gjatë gjithë jetës Ndue ka parë atë që kanë parë të gjithë por ka menduar dhe vepruar si askush tjetër. Nga koha kur ishte student pranë Universitetit të Tiranës në vitet ‘80, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera, më pas do të vijonte si inxhinier pranë Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Metalurgjike në Elbasan e në vijim si kërkues dhe shkencëtar pranë Institutit Nacional Politeknik të Lorenës në Francë.

Sot, përmes web-it është shumë e lehtë të njohësh profilin dhe kontributin shkencor të Ndue KANARIT por në mënyrë të përmbledhur studimet dhe eksperimentimet e tij kanë fituar shumë popullaritet pas një sërë hulumtimesh dhe arritjesh në fushën e sintezës së ferrat-it (eve) të metaleve alkaline. Joni ferrat [Fe6+O4]2- kimikisht është pak i qëndrueshëm por përmban hekurin në valencën e tij të rrallë dhe pak të njohur Fe6+ (zakonisht hekuri është në gjendje valence Fe°, Fe2+ dhe Fe3+), por sinteza e ferrateve (Fe6+) me metoda klasike është e komplikuar dhe ka rendiment të ulët.

Ndue KANARI është autor i dy patentave të njohura në nivel ndërkombëtar në fushën e ferrateve. Kontributi shkencor ka të bëjë me një inovacion të procesit të sintezës dhe rritjes së stabilitetit të jonit ferrat [FeO4]2-. E ashtuquajtura “metoda Kanari” është e thjeshtë dhe unike, me kosto të ulët dhe e pa njohur më parë në fushën e sintezës së ferrateve. Eshtë një metodë novatore që certifikon të gjithë treguesit për t’u konsideruar si “green chemistry”.

Procesi i ri i sintezës së ferrateve (Fe6+) u bë i mundur pas qindra e mijëra orëve punë pa pushim, ditë e netë të tëra në laborator pa gjumë falë përkushtimit të Ndue KANARIT.

Substanca kimike e prodhuar sipas patentës me autor Ndue KANARI ka perspektivë të shkëlqyer në sajë të karakterit super-oksidues e të respektueshëm për mjedisin. Ferratet janë cituar në gjuhën shkencore si: “environmentally friendly oxidant”, “green oxidant”, “strong oxidant”, “novel oxidizing agent” “powerful oxidant”, “super-iron battery”… Kapaciteti i ferrateve (Fe6+) për dekontaminimin e ndotësve industrialë dhe pastrimin e ujërave është i padiskutueshëm dhe me perspektivë. Kohët e fundit, po flitet shumë për përdorimin e Fe6+ për të çaktivizuar viruset e rrezikshme në ujërat e ndotura.

Ndue KANARI vazhdon të kontribuojë edhe për menaxhimin e mbetjeve industriale dhe rikuperimin e metaleve me vlerë sipas një plani strategjik të fokusuar tek: (i) trajtimi i mbetjeve dhe stoqeve historike; (ii) ndërhyrja në skemat teknologjike për të përpunuar mbetjet brenda procesit; (iii) konceptimin e proceseve të reja për të tentuar drejt proceseve të pastra me të ashtuquajtura “zero” mbetje industriale.

Ndue KANARI vazhdon aktivitetin e tij shkencor në Universitetin e Lorenës si “Senior Researcher” në laboratorin e njohur “GeoRessources”. Dhjetra kolegë e studentë nga UBT e njohin prej shumë vitesh dhe kanë perceptuar shumë e më shumë nga sa u tregua në këto pak rreshta për Ndue KANARIN. Për ata që e njohin, është e vështirë të pretendosh se kush e ka më shumë mik ose shok Nduen ose KANARIN, pavarësisht sa kohë ke qëndruar me të, sepse ai me modestinë e vet ka një det mirësie e dashurie në zemër dhe është mik i mirë për të gjithë.

Nga miqtë e UBT-së

koment

  • Ndue Kanari eshte nje mik i madh i UBT, i cili mbeshteti profesoret, asistentet, studentet ne shume aspekte. Une jam nje nga ato qe ai me mbeshteti dhe i jam mirenjohese pafund. Ne miqte dhe koleget e tij jemi krenare e me fat qe njohem e bashkepunuam me Ndue.

Na Ndiqni në: