Blegtoria është një sektor agroushqimor shumë i rëndësishëm në Shqipëri. Rreth 1/2 e fermerëve janë të angazhuar në blegtori, duke përfshirë sektorin e bulmetit. Produktet e bulmetit zënë një pjesë të rëndësishme në shportën e konsumit të familjeve shqiptare. Prodhimi i qumështit dominohet kryesisht nga qumështi i lopëve (më shumë se 4/5).
Në përgjithësi prodhimet e bulmetit kanë si destinacion tregun e brendshëm, kështu që rritja e prodhimit është e nxitur kryesisht nga rritja e kërkesës vendase, ndërsa bilanci i tregtisë ndërkombëtare së produkteve të bulmetit tregon një deficit strukturor. Sektori i qumështit konsiderohet si sektor me përparësi nisur nga potenciali për zëvendësimin e importit.
Gjatë dekadës së parë të tranzicionit, ka pasur një prirje rritjeje të madhe të prodhimit të qumështit (dhe produkteve të bulmetit), rritje që ka vazhduar edhe përgjatë viteve 2000. Ndërkohë që numri i gjedhëve dhe të imtave është ulur gjatë kësaj periudhe, prodhimi i qumështit është rritur, duke konfirmuar një përmirësim të rendimentit (efiçencës), mundësuar nga investimet në raca cilësore dhe menaxhimi që lidhet me një tendencë konsolidimi për sa i përket përmasës së fermave blegtorale.
Pavarësisht këtyre përmirësimeve, rendimenti i qumështit (p.sh. për lopët, që është burimi kryesor i prodhimit të qumështit) është më i ulët se rendimenti në vendet e BE-së. Përveç rendimentit të ulët, një shqetësim tjetër kryesor është mungesa e plotësimit të standardeve, gjë që e pengon Shqipërinë të eksportojë produkte bulmeti në tregjet e BE-së.
Në këto arritje konkludon raporti studimor i kryer nga AASF, një program i financuar dhe zhvilluar nga BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) në bashkëpunim dhe me mbështetje nga qeveria shqiptare, i cili ka nisur aktivitetin në vitin 2016, i cili synon të japë një panoramë të përgjithshme të sektorit të qumështit dhe ofron informacione dhe rekomandime që mund të jenë të dobishme për të orientuar strategjitë e hyrjes (ndërhyrjeve) për institucionet financiare ose për përgatitjen e produkteve dhe shërbimeve financiare.
Ky studim informon institucionet financiare dhe palë të tjera të interesuara për mbështetjen e sektorit të qumështit për mundësitë kryesore të financimit në këtë sektor. Përmirësimi i efiçencës dhe nevoja për të përmbushur standardet e sigurisë nga përpunuesit i ka motivuar disa fermerë/sipërmarrës që të investojnë në krijimin e fermave më të mëdha të qumështit (me lopë dhe të imta), duke blerë raca më të mira dhe duke investuar në përmirësimin e stallave.
Gjithashtu investimi në krijimin e fermave të mëdha është një mundësi e mirë financimi për bankat. Nga ana tjetër dhe makineritë për prodhimin/përpunimin e ushqimit për kafshët përbëjnë gjithashtu një mundësi për financim. Investime të tjera që mund të merren në konsideratë për fermat e mëdha me lopë janë trajtimi i mbetjeve (përpunimi i plehut), prodhimi i biogazit dhe prodhimi i energjisë diellore (panelet diellore në çatitë e stallave).
Sipas raportit të AASF, mundësi të rëndësishme për financim që mund të konsiderohen për sa i përket konsolidimit të prodhimit të qumështit, përpunimit dhe marketingut janë mbështetja për sistemet e ruajtjes në temperatura të ulëta (psh. tanqe ftohës) të qumështit, investimet në fabrikat e madhësisë të mesme të përpunimit të prodhimit të qumështit dhe investimet në kompani të reja për përpunimin e qumështit në zona ku oferta e këtij produkti tejkalon kërkesën.
Mbështetja e bizneseve që përdorin mbetjet nga përpunimi i qumështit (si p.sh. mbarështimi i derrave që mund të ushqehen me mbetjet e industrisë të përpunimit të qumështit) përbën një mundësi gjithashtu. Shumë fabrika përpunimi kanë probleme me likuiditetin që lidhet me procesin e teknologjisë së prodhimit të djathit.
Për këtë arsye, ekziston nevoja për kredi afatshkurtra në këtë zinxhir vlere. Gjithashtu edhe përpunuesit e qumështit si liderë në zinxhirin e vlerës së qumështit, mund të konsiderohen për financim sipas qasjes së zinxhirit të vlerës.
Kur përgatisin ndërhyrje në këtë sektor, institucionet financiare duhet të marrin në konsideratë se mbështetja për investime varet në mënyrë thelbësore nga zhvillimet në zbatimin e standardeve të sigurisë së ushqimit (i cili është një kusht paraprak për investimet e reja në sektorin e blegtorisë) dhe se mund të përdorin bashkëfinancim për investimet: financimi nga banka i kombinuar me mbështetjen financiare publike nëpërmjet skemave mbështetëse të qeverisë shqiptare ose skemave të IPARd II.
Politika aktuale e granteve të pjesshme ka implikime të rëndësishme për institucionet financiare. Ata kanë mundësinë për të bashkëfinancuar investimet (stallat, zinxhiri i ftohjes, përpunimi i qumështit etj.) për investimin e 100% të shumës, nga e cila të paktën 50% mund të jetë kredi afatshkurtër (pjesa që duhet të rimbursohet nga granti pas përfundimit të investimit) dhe 50% kredi afatgjatë për pjesën që duhet të paguhet nga përfituesi.
AASF
https://aasf.com.al/