ulleo - www.pixabay.com

Shqipëria, një nga prodhuesit kryesorë të bostanorëve në rajon

Shqipëria është një nga prodhuesit kryesorë të bostanoreve në rajon. Ajo ka një traditë të gjatë dhe një avantazh të fortë në prodhimin e shalqirit/bostanoreve, faktor që lidhet edhe me kushtet klimatike. Ky sektor ka qenë një nga sektorët e parë agroushqimorë në të cilin Shqipëria ka arritur një bilanc tregtar strukturor pozitiv. Prodhimi i shalqirit ka mbetur i qëndrueshëm, në rreth 250 000 tonë/vit që nga vitet 2000, megjithëse vërehen luhatje çdo vit. Eksportet e shalqirit janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit; nga të papërfillshme në vitin 2000 (rreth 28 000 USD) në mbi 4,5 milionë USD gjatë viteve të fundit, ndërkohë që për sasitë e importuara ka ndodhur e kundërta. Në kontekstin e orientimit drejt eskporteve për këtë zinxhir vlere, ekziston nevoja për investime që kanë si synim përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të produktit.

Zinxhiri i vlerës së shalqirit/bostanoreve konsiderohet një sektor me përparësi duke patur parasysh potencialin për eksport të tyre. Të dhënat bëhen me dije nga studimi i kryer nga ekspertë të Programit të Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar (AASF), i cili është një program i financuar dhe zhvilluar nga BERZH-i (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) në bashkëpunim dhe me mbështetje nga qeveria shqiptare, i cili ka nisur aktivitetin në vitin 2016. AASF siguron qasje në financa për sektorin e agrobiznesit në dy mënyra: Linjë kredish dhe/ose shpërndarjen e riskut të portofolit për institucionet mikrofinanciare (IMF) dhe bankat.

Ky studim evidenton se ka disa mundësi për institucionet financiare për financimin e investimeve në sektor. Tunelet e ulëta për prodhimin e shalqirit përbëjnë investimin tipik dhe kryesor në zinxhirin e vlerës së shalqirit. Duke parë kushtet e ofertës (ka ende sipërfaqe të disponueshme për investime në tunele të ulëta) dhe të kërkesës (kërkesë e qëndrueshme për eksport), institucionet financiare mund të marrin në konsideratë mbështetjen për tunelet e ulëta (sistemi i ujitjes, plastmasi dhe artikuj të tjerë). Serrat përfaqësojnë një mundësi interesante financimi, veçanërisht në zonën e Divjakës (por jo vetëm) duke pasur parasysh nivelin e lartë të fitimit; të ardhurat deri në tre cikle prodhimi në Divjakë. Ambientet frigoriferike nevojiten për të ruajtur cilësinë e frutit në rast eksporti drejt shteteve të BE-së me të ardhura të larta. Pavarësisht mendimit të përhapur se ambientet frigoriferike nuk nevojitet në rastin e ruajtjes së bostanoreve duke pasur parasysh praktikën e sinkronizuar të grumbullimit dhe shitjes, blerësi porosit produktin që dëshiron, e merr produktin dhe zakonisht e eksporton atë brenda një dite. Ekspertët mendojnë se shalqiri mund të ruhet për 2 deri në 3 javë në një temperaturë prej 100-130C, dhe pjepri 70-100C, ndërkaq financimi në dhomat e ftohjes për eksportuesit e shalqirit mund të përbëjë një mundësi për institucionet financiare.

Studimi del në konkluzionin se ekziston mundësia për financimin e zinxhirit të vlerës, veçanërisht në rastin kur blerësit janë edhe furnizues të inputeve. Me qëllim që “të kontrollojë” kultivarin e përshtatshëm për eksport dhe cilësinë e fidanit, eksportuesit-furnizues të fidanave u intereson që të krijojnë një marrëdhënie më të qëndrueshme me fermerin duke i ofruar atij fidanët, të cilët fermeri i paguan në momentin që dorëzon produktin. Në këtë rast, eksportuesi mund të luajë rolin e një agjenti bankar për institucionet financiare për të arritur aktorë të tjerë që përndryshe do të ishte e vështirë të arriheshin.

Zinxhiri i vlerës i bostanoreve konsiderohet si sektor me përparësi për qeverinë shqiptare bazuar në potencialin për eksport- sektori është përfshirë në të gjitha skemat e mbështetjes financiare publike, duke përfshirë skemat e fundit të mbështetjes. Politika aktuale për grante të pjesshme ka implikime të rëndësishme për institucionet financiare. Ata kanë mundësinë për të financuar investimet për investimin e 100% të shumës, nga e cila 50% mund të jetë kredi afatshkurtër (pjesa që rimbursohet nga granti pas përfundimit të investimit) dhe 50% kredi afatgjatë për pjesën që duhet të paguhet nga përfituesi.

 

AASF
https://aasf.com.al/

Na Ndiqni në: