Ervin_Gjata - www.pixabay.com

Ndikimi COVID-19 në agjensitë turistike në Tiranë

Kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19 në botë por edhe në vendin tonë ka prekur më shumti sektorin e turizmit dhe ka pasur një ndikim të rëndësishëm në udhëtimet ndërkombëtare.

Për vendin tonë, sektori i turizmit është një burim kryesor i punësimit, i të ardhurave të qeverisë dhe fitimeve të këmbimit valutor. Duke marrë shkak nga situata e krijuar dhe duke qenë se sektori i agjensive turistike ka qënë më i përjashtuar jo vetëm nga politikat qeveritare, por dhe nga ana e studiuesve dhe kërkuesve të fushës, u realizua një studim sasior për të kuptuar më shumë se cfarë po ndodh dhe si do të jetë e ardhmja e këtij sektori përballë faktit të vazhdimit të pandemisë.

Duke përdorur shpërndarjen e pyetësorëve të mbyllur në internet, në periudhën shkurt-mars 2021, u arrit të evidentohen efektet e pandemisë COVID-19 në 130 agjensitë turistike që operojnë në Tiranë.

Rezultatet tregojnë se pasojat e COVID-19 kanë ndikuar në kërkesën për udhëtime dhe rrjedhimisht të ardhurat e agjensive turistike. Në këtë segment të industrisë së turizmit anulimi i rezervimeve ka qenë arsyeja kryesore e rënies së të ardhurave. Pozitiv është fakti që agjensitë kanë marrë masa zbutëse të cilat i kanë shërbyer që 50% e tyre të mbulojnë kostot fikse dhe borxhin e marrë. Nga ana tjetër, studimi vuri në dukje se agjensitë turistike dhe operatorët turistikë nuk përfituan nga programi i ndihmës financiare të qeverisë. Kjo mund të jetë për shkak të faktit se asnjë studim nuk është kryer për të treguar se cili segment i turizmit ka qenë më i ndjeshëm ndaj efekteve të COVID-19 dhe duhet të mbështetet financiarisht nga qeveria.

Masat mbështetëse të qeverisë ndaj këtyre agjensive nuk kanë pasur ndonjë ndikim të rëndësishëm, gjë që ka bërë që shumica prej tyre të mbyllin përkohësisht biznesin ose të shkojnë dejt falimentimit.

Nga gjithë ky studim vlen të theksohet fakti se përveç problematikave, sfidave dhe ndikimit ekonomik të COVID-19, e gjithë kjo situatë shërbeu që agjensitë të drejtonin sytë nga promovimi turisitik i vendit tonë, si e vetmja alternativë për të mbijetuar në treg.

Ky studim rekomandoi që ministria përkatëse, para se të marrë masat e mbështetjes për industrinë e turizmit, duhet të kryejë studime në lidhje me efektet e pandemisë. Së fundmi, rezultatet e marra do të ndihmojnë politikëbërësit dhe pronarët e agjensive të udhëtimit të marrin vendimet e nevojshme strategjike dhe operacionale për sezonin e ardhshëm turistik.

 

M. Sc. Ermelinda SATKA
Pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit,Departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural, UBT.

Na Ndiqni në: