Shqipëria është një vend që njihet për prodhimin e tregtimin e një sërë kultivarësh e një ndër to dhe më të suksesshmit, është edhe molla. Prodhimi i këtij fruti në vendin tonë arrin në 105.9 mijë ton dhe është Korça ajo që kryeson eksportet. Prodhimi i frutave jep një kontribut të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë në Shqipëri, duke siguruar rreth 20% të prodhimit të përgjithshëm bujqësor dhe molla është një nga frutat kryesore që prodhohet dhe konsumohet në Shqipëri.
Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri janë mbjellë rreth 2,566,832 rrënjë molle të cilat japin një prodhim prej 105,933 tonësh. Eksporti i frutave, megjithëse është ende modest, tregon një avantazh krahasues të sektorit. Edhe gjatë viteve të fundit prodhimi i mollëve është rritur ndjeshëm; nga 12 000 ton në vitin 2000 arriti në 54 000 ton në 2010, për të kaluar pragun prej 105,9 mijë tonësh në 2019. Në përgjithësi, prodhimi i mollës vazhdon të tregojë rritje të dukshme.
Varietetet më të prodhuara në Shqipëri janë dy derivatet e Red Delicious, Red Chief dhe Starking. Të dy këto varitetete janë referuar lokalisht si “Starking”, duke zënë 52% të pemëve frutore për të vijuar më pas me mollët e varietetit Golden Delicious që zënë 42%. Ndërsa varietetet e tjera të mollëve që rriten tradicionalisht në rajon, janë molla Gala, Mutsu dhe Granny Smith.
Por ajo që është më e rëndësishmja në këtë aspekt, ka të bëjë me faktin se për shkak të klimës së zonave ku rriten mollët shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, spërkatja me pesticide është 10 herë më e ulët se ajo tek mollët e rritura në vendet e tjera në Ballkan dhe 15 herë më e ulët se në vendet e Evropës Qendrore.
Pra, Mollët Shqiptare janë më natyralet dhe më të pastrat e Evropës. Dy zonat që njihen më së miri për prodhimin më të lartë të mollës në Shqipëri janë Korça dhe Dibra. Mollët e Korçës kanë pushtuar tregjet evropiane prej disa vitesh. Sot eksporti i mollëve shqiptare po tërheq vëmendjen e tregjeve të tjerë kryesorë të vendeve të Bashkimit Evropian, të tilla si Bullgaria, Greqia, Austria, Gjermania, etj. Edhe harta e eksportit të mollëve “Made in Albania” ka shënuar një dimension të ri të suksesit.
Veç Arabisë Saudite, vendi më i madh në rajonin e Azisë Jugperëndimore dhe Egjiptit të lashtë, i vendosur në Afrikën e Veriut, gjeografisë së eksporteve të mollëve i është shtuar edhe Pakistani, veç atyre ku ato shiten rregullisht si Greqia, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, etj. Sektori i kultivimit dhe tregtisë së mollës, ka mbështetjen edhe të institucioneve financiare në vend e qeverisë shqiptare, parë si një sektor me përparësi për këtë të fundit dhe është i përfshirë në të gjitha skemat e mbështetjes financiare publike.
Pëllumb Qosej
Ekspert i Zhvillimit të NVM-ve dhe Nxitjes së Eksportit
Artikull interesant