Photo: ar130405 - www.pixabay.com

Liçensimi i tregut të sigurimeve në Shqipëri

Sektori i sigurimeve si industri, luan një rol shumë të rëndësishëm në ekonomitë dhe zhvillimin e tregut jo financiar të vendeve në zhvillim siç është edhe rasti i Shqipërisë. Në fakt, një zhvillim i tillë i tregut të sigurimeve në raport me tregjet e tjera financiare jo bankare është vënë re jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve të tjera europiane për shkak të vetë karakterit dhe dinamikave që karakterizojnë këtë treg. Kur flitet për tregun e sigurimit, një moment kryesor është edhe liçensimi i këtij tregu i cili është objekt i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF). Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka si detyrë rregullimin dhe mbikqyrjen e tregjeve të sigurimit të kapitalit dhe pensioneve vullnetare të operatorëve që operojnë në të, si dhe çdo treg tjetër financiar dhe bankar që AMF e konsideron si të tillë.

Gjatë 2020 vitit të vështirë të pandemisë mbarë botërore COVID-19, veprimtaria e AMF lidhur me liçencimet në tregun e sigurimeve ishte më e kufizuar. Ajo u fokusua në:

  • Liçencimin e shoqërisë së sigurimit (zgjerim liçence) për të ushtruar veprimtari sigurimi në territorin e Republikës së Shqipërisë në klasën e 14-të (ndarja në klasa të sigurimeve të jojetës);
  • Miratimin e delegimit të funksioneve të IT-së dhe mbikqyrjes së shoqërisë së sigurimit “Insig Jetë” sh.a. tek personi i deleguar, shoqëria “Eurosig” sh.a.;
  • Liçencimin/miratimin/revokimin e liçencës së ndërmjetësve në sigurime (broker, agjent në sigurime) si dhe të vlerësuesve të dëmeve në sigurime.
  • Miratime të ndryshme në  tregun e sigurimeve që lidhen me miratim statuti dhe ndryshimeve në të, emërimin/riemërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës (KM)/ Këshillit të  Administrimit (KA), të Drejtorëve/Administratorëve apo anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të shoqërive të sigurimit dhe të shoqërive të brokerimit. (Raporti i AMF- 2020).

Në veprimtarinë e licencimit në tregun e sigurimeve, Autoriteti ka mbajtur parasysh kërkesat ligjore dhe procedurat për liçencimin e subjekteve të mësipërme dhe i ka përmirësuar ato, sidomos  kërkesat  lidhur me respektimin e afateve kohore për depozitimin e dokumentacionit të kërkuar, informacionit të detajuar lidhur me deklarimin e burimit të të ardhurave të përdorura nga aksionerët për zotërimin e aksioneve në një shoqëri dhe dokumentacionin që vërtetojnë burimin e tyre, dokumentacionin që vërteton plotësimin e kërkesave nga aksionerët, administratorët, anëtarët e KM/KA të shoqërisë për të qenë të duhurit dhe të përshtatshëm.

  • Liçencimi i shoqërisë së sigurimit për të ushtruar veprimtari sigurimi në territorin e Republikës së Shqipërisë në klasën e 14-të (zgjerim liçence)

Aktualisht në tregun e sigurimeve operojnë gjithsej 12 shoqëri sigurimi, nga të cilat 8 shoqëri sigurimi në klasat e jojetës dhe 4 shoqëri sigurimi në klasat e jetës. Liçencimi i të parës shoqëri sigurimi është bërë në 1999.

Në zbatim të kërkesave të neneve  36 dhe  37, të Ligjit nr. 52, datë 22.05.2014  “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, të kërkesës e të dokumentacionit  të paraqitur nga shoqëria “Albsig” sh.a., Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare miratoi me Vendim Bordi nr. 21, datë 27.02.2020 liçencimin e saj për ushtrimin e veprimtarisë së sigurimit të jojetës edhe për klasën e 14-të. (Zgjerim objekti i liçencës së saj nr. 10/2014 dhënë shoqërisë në vitin 2014 për të ushtruar veprimtari sigurimi  jojete edhe për klasën e 14-të jojetës “sigurimi i kreditit”).

Liçencimi i saj për këtë klasë u bazua  në Vendimin nr.1, datë 14.01.2020 të Asamblesë së Aksionerëve të shoqërisë “Albsig” sh.a., për zgjerimin e veprimtarisë së saj për klasën e 14-të,  në dokumentacionin e shoqërisë për burimin e shtesës së kapitalit për klasën 14-të jojetës, dokumentacionin për depozitimin e shtesës së kapitalit, vërtetimin e fondit të garancisë që tregon se shoqëria ka mjaftueshëm burime financiare për zgjerimin e veprimtarisë së saj edhe për këtë klasë, raportin e fizibilitetit në studimet e tregut dhe buletinet statistikore të AMF për vitet 2018 dhe 2019 për ofrimin e këtij shërbimi në tregun e sigurimeve, të dhënat për punonjësit e punësuar dhe pajisjet teknike për këtë aktivitet, vlerësimin e burimeve financiare të parashikuara për të mbuluar përgjegjësitë e marra dhe nivelin e aftësisë paguese në klasën e 14-të të sigurimit (ndarja në klasa të sigurimeve të jojetës).

  • Miratimi i delegimit të funksioneve të IT-së dhe mbikqyrjes të shoqërisë së sigurimit “Insig Jetë” sh.a. tek personi i deleguar, shoqëria “Eurosig” sh.a.

AMF bazuar në kërkesën dhe dokumentacionin e depozituar nga shoqëria e sigurimit “Insig Jetë” sh.a, në zbatim të kërkesave të Ligjit nr. 52, datë 22.05.2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” dhe Rregullores nr. 120 date 26.11.2015 “Mbi kriteret, rregullat dhe proçedurat për delegimin e disa funksioneve nga shoqëritë e sigurimit” e ndryshuar, miratoi me Vendim Bordi nr. 64, datë 22.05.2020 delegimin e funksioneve të IT-së dhe mbikqyrjes së shoqërisë së sigurimit të jetës “Insig Jetë” sh.a. tek personi i deleguar, shoqëria “Eurosig” sh.a, pasi u bind që delegimi i tyre:

  1. nuk cënon rezultatet financiare, stabilitetin e shoqërisë dhe vazhdimësinë e aktiviteteve të saj;
  2. nuk cënon cilësinë e administrimit dhe vendimmarrjes së shoqërisë së sigurimit;
  3. nuk cënon aftësinë e shoqërisë për t’u ofruar të siguruarve një shërbim të vazhdueshëm;
  4. nuk krijon një rritje të pajustifikuar të rreziqeve operacionale.
  • Liçencimi/miratimi i ndërmjetësve në sigurime (broker, agjent) si dhe i vlerësuesve të dëmeve në sigurime.

Ndërmjetësit në sigurime përfshijnë brokera fizikë, shoqëri brokerimi, agjentë, shoqëri agjentësh, subjekte të tjera, banka dhe subjekte financiare jobankë të liçencuar/miratuar nga AMF mbi bazën e rregullave të miratuara për çdo kategori, të cilat janë përmirësuar sidomos lidhur me forcimin e luftës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Gjatë vitit 2020, pavarësisht situatës pandemike, ka vazhduar interesi për licencimin/miratimin e subjekteve fizikë dhe juridikë në veprimtaritë e ndërmjetësimit.

Brokerimi në sigurime

Aktualisht në tregun e sigurimeve ushtrojnë veprimtari brokerimi në sigurime 19 persona juridikë, nga të cilat 14 janë shoqëri brokerimi dhe 5 banka të nivelit të dytë. Ndërsa numri i brokerave të punësuar si persona fizikë gjithsej është 62 nga të cilët 28 janë të punësuar në bankë, 23 në shoqëri brokerimi, 4 të pavarur, 6 jo aktivë dhe 1 tërheqje liçence. Përsa i përket shoqërive të brokerimit sipas klasave të sigurimit (në numër mund të themi se nga 14 shoqëritë e brokerimit, 7 prej tyre dhe 1 bankë ushtrojnë veprimtari vetëm në fushën e sigurimit të Jo-Jetës, ndërsa 4 shoqëri ushtrojnë veprimtari brokerimi në sigurime të Jetës, të Jo-Jetës dhe risigurime, 3 shoqëritë e tjera si edhe 4 banka ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të dy fushat e sigurimit, të jetës dhe jojetës. (Raporti i AMF-së- 2020)

Veprimtaria e agjentit në sigurime

Gjatë vitit 2020 vijoi puna për miratimin e personave fizikë për ushtrimin e veprimtarisë si agjentë në sigurime të jetës dhe të jojetës, në bazë të kërkesave të depozituara në Autoritet nga shoqëritë e sigurimit. Gjatë vitit 2020 u miratuan 108 persona fizikë (agjentë) në sigurime. Në procesin e liçencimit për të vepruar si agjentë u përfshinë edhe 6 persona juridikë, si subjekte  të tjera me aktivitet financiar dhe tregtar.

Vlerësuesit e dëmeve në sigurime.

AMF, bazuar në Ligjin nr. 52, datë 22.05.2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” dhe në Rregulloren nr. 85, datë 03.07.2017 “Mbi liçencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së vlerësuesit të dëmeve në sigurime”, gjatë vitit 2020, miratoi për 2 persona fizikë rinovimin e liçencës. Në vitin 2020 numri i vlerësuesve të dëmeve të liçensuar në sigurime sipas statusit të punësimit ishte 54 ku 23 ishin të pavarur dhe 31 të punësuar, ndërsa sipas llojit të dëmit ishte 1 në dëme materiale, 16 në dëme shëndetësore dhe 37 në dëme materiale & shëndetësore.

  • Miratime të ndryshimit të statuteve, emërimit/riemërimit të anëtarëve të KM/KA, të Drejtorëve/Administratorëve apo Bordit të Drejtorëve të shoqërive të sigurimit, të shoqërive të brokerimit.

Gjatë vitit 2020 sektori i liçencimit në sigurime ka miratuar statute të shoqërive që operojnë në tregun e sigurimeve si shoqëri sigurimi, shoqëri agjenti apo brokeri apo vlerësuesi dëmesh në sigurime, ndryshime statuti, emërimin/riemërimin e anëtarëve të KM/KA, të Drejtorit, Administratorit apo anëtareve të Bordit të Drejtorëve (përfshirë edhe DPE-në e BSHS-së), si vijon:

  • 4 miratime statuti dhe ndryshime statuti në shoqëritë e sigurimit “Ansig sh.a., ”Insig” sh.a., “Insig Jete” sh.a. dhe “Albsig Jete” sh.a;
  • 22 emërime/riemërime të anëtarëve të KM/KA, nga të cilat 17 riemërime dhe 5 emërime të reja në shoqëritë e sigurimeve “ Sicred” sh.a. ., “Insig” sh.a., “Eurosig” sh.a, “Intersig VIG” sh.a., “Sigma Interalbanian VIG” sh.a, “Insig Jete” sh.a., “Ansig” sh.a. (përfshirë edhe atë të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve);
  • 7 emërime/riemërime të administratorit/Drejtorit të shoqërive të sigurimit, nga të cilat 1 i ri dhe 6 riemërime, në shoqëritë e sigurimit “Insig” sh.a., “Intersig VIG” sh.a, “Sigma Interalbanian VIG” sh.a, “Insig Jete” sh.a;
  • 11emërime/riemërime të anëtarëve të KM/KA në shoqëritë e brokerimit, nga të cilat 6 emërime të reja dhe 5 riemërime në shoqeritë e brokerimit “ABI Broker Sigurime” sh.a., “Suntrust Broker” sh.a.“Assibroker” sh.a., “Eurobroker” sh.a. dhe “MAI” sh.a;
  • 3 emërime/riemërime të administratorëve/drejtorëve të shoqërive të brokerimit, nga të cilët 1 emërim i ri dhe 2 riemërime, në shoqëritë “Suntrust Broker” sh.a, “Eurobroker” sh.a dhe “MAI” sh.a;
  • Miratimin e pjesëmarrjes influencuese të aksionarit të ri, shoqërisë “UNIQA Osterreich Versicherungen AG”, në nivelin 86.93% në kapitalin e shoqërisë së sigurimit “Sigal Uniqa Group Austria” sh.a., si aksionar influencues.
  • Miratimi i pjesëmarrjes influencuese në masën 100% të aksionarit të vetëm të Insig Jete sh.a., që është shoqëria e sigurimit të jojetes “Eurosig” sh.a.

Gjatë vitit 2019 në Shqipëri kanë ndodhur dy ngjarje; “Tërmeti” dhe konkretisht me magnitudë 5.6 (21 shtator 2019) dhe 6.4 (në 26 nëntor 2019) me pasoja “katastrofike” në jetë të humbura si dhe dëme materiale (ekonomike). Këto ngjarje ishin edhe sfida më e madhe për tregun e sigurimeve në vend. Me ndodhjen e këtyre ngjarjeve, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tregut të sigurimeve, Autoriteti ka mbikqyrur dhe monitoruar me shumë kujdes këtë situatë, duke kërkuar raportim ditor nga shoqëritë e sigurimit. Referuar numrit të dëmeve të raportuara, në linjë me pronat e siguruara, vihet re që rreth 85% e tyre i përkasin të siguruarve, të cilët kanë siguruar pronën për efekt kredie, ndërsa pjesa tjetër janë prona të siguruara në mënyrë vullnetare.

Nisur nga treguesit e shoqërive të sigurimit, vihet re se tregu i sigurimeve e përballoi faturën financiare të dëmeve të ndodhura nga dy ngjarjet e tërmetit duke e ndarë këtë faturë edhe me shoqëritë e risigurimit. Bazuar në kontratat e risigurimit në fuqi për vitin 2019 për secilën ngjarje, vlera e dëmeve që pritet të paguhet nga tregu i sigurimeve arrin deri në 220 milionë lekë, ndërsa diferenca pritet të paguhet nga shoqëritë e risigurimit. Me vendimin nr. 207, datë 22.11.2019, Bordi miratoi elementet dhe kushtet e përgjithshme të kontratës së sigurimit të detyrueshëm në ndërtim në bazë e për zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 650, datë 02.10.2019 “Për sigurimin e ndërtimeve”. Ky produkt sigurimi, me afat 10-vjeçar me përfitues blerësin/blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve, mbulon dëmet e ndërtesës, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë.

Autoriteti në aktivitetin e liçencimit ka mbajtur parasysh kërkesat ligjore dhe procedurat për liçencimin e subjekteve si dhe i ka përmirësuar ato sidomos lidhur me respektimin e afateve kohore për depozitimin e dokumentacionit të kërkuar, informacionit të detajuar lidhur me deklarimin e burimit të të ardhurave të përdorura nga aksionerët për zotërimin e aksioneve në një shoqëri dhe dokumentacionin që vërteton burimin e tyre, zbatimin e kërkesave që duhet të plotësojnë aksionerët, administratorët, anëtarët e Këshillit Mbikqyrës/Këshillit të Administrimit për të qenë të duhur dhe të përshtatshëm. Kështu, u rishikuan Rregullorja nr. 85, datë 3.7.2017 “Mbi liçencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së vlerësuesit të dëmeve në sigurime”, e ndryshuar, si edhe u hartua Rregullorja e re nr. 37, datë 27.3.2019 “Mbi rinovimin e licencës së aktuarit të autorizuar”.

Gjatë vitit 2019 Autoriteti ka marrë vendime lidhur me kërkesën e tre shoqërive për liçencimin e tyre per ushtrimin e veprimtarisë në sigurime në territorin e Republikës së Shqipërisë, të paraqitura prej subjekteve si vijon: Me Vendimet nr.165, datë 14.08.2019 dhe nr. 171, datë 13.09.2019, Autoriteti dha miratimin paraprak të veprimtarisë së sigurimit në klasat e jetës të shoqërisë “Albsig Jetë” sh.a. dhe për liçencimin përfundimtar të saj për të ushtruar veprimtari sigurimi në klasat e Jetës në Republikës së Shqipërisë, pas plotësimit të kërkesave ligjore për liçencimin si e tillë. Gjithashtu, AMF me vendimet nr.18, datë 4.3.2019 dhe nr. 105, datë 31.5.2019, ka refuzuar kërkesat e paraqitura nga dy shoqëri potenciale për liçencimin e ushtrimit të veprimtarisë në sigurime në klasat e Jo-Jetës, pasi nuk plotësuan kërkesat e parashikuara nga kuadri ligjor. Pas liçencimit të shoqërisë “Albsig Jetë” sh.a. në tregun shqiptar të sigurimeve ushtrojnë veprimtari sigurimi 12 shoqëri, nga të cilat 4 shoqëri në klasat e jetës dhe 8 shoqëri në klasat e Jo-Jetës. Një shoqëri është e liçencuar edhe për ushtrimin e veprimtarisë në risigurime (Raporti i AMF-2020).

Në zbatim të kërkesave rregullative, liçencimi i profesionit të brokerit në sigurime apo i vlerësuesit të dëmeve në sigurime është i lidhur me kalimin me sukses të testit për njohuritë profesionale në fushën përkatëse. Gjatë vitit 2019 Autoriteti ka organizuar 2 testime për aplikantët që kërkuan të pajisen me licencën e brokerit në sigurime dhe 2 testime për vlerësuesit e dëmeve. Qëllimi i organizimit të testimeve ka qenë çertifikimi i njohurive profesionale, me synim kryerjen e shërbimeve financiare nga profesionistë që njohin legjislacionin dhe fushën e aktivitetit ku do të operojnë. Pavarësisht dinamikës së tregut të sigurimeve në Shqipëri, tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe situata e Covid-19 çoi në nevojat e diskutimit për hartimin e një ligji të sigurimit në raste të fatkeqësive natyrore.

 

Prof. Asoc. Dr. Ina Pagria
Pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Departamenti Matematikë dhe Informatikë, UBT

Na Ndiqni në: