Photo: ata.gov.al

Lehtësi doganore për eksportuesit, 19 kompani me statusin e Eksportuesit të Miratuar

Subjekte që arrijnë të marrin statusin e Eksportuesit të Miratuar kanë më shumë lehtësi në procedurat doganore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se, janë 19 kompani që kanë marrë statusin e Eksportuesit të Miratuar dhe 2 të tjera janë në proces miratimi, që kanë përfituar lehtësi për eksportet që kryejnë.

Sipas saj, aplikimi për të përfituar këtë status bëhet në portalin e-Albania dhe biznesi ka një sërë avantazhesh.

“Statusi i Eksportuesit të Miratuar, eliminon orarin e pritjes për lëshimin e certifikatës EUR.1; zvogëlon rrezikun e gabimit dhe thjeshton burokracitë”- shprehet Denaj.

Një eksportues i miratuar është një eksportues të cilit në kushte të caktuara i është lejuar nga Autoritet Doganore të bëjë vetë vërtetimin e origjinës nëpërmjet Deklaratave-Faturë pavarësisht nga vlera.

Autoritetet doganore mund t’ia japin eksportuesit këtë status, por ata gjithashtu mund të tërheqin dhënien e tij, nëse eksportuesi keqpërdor autorizimin.

Procedura për dhënien e statusit “Eksportuesi i miratuar” është e përcaktuar nga autoritetet doganore shqiptare mbi bazë të rregullores bashkëlidhur. Eksportuesit që kërkojnë të pajisen me këtë status duhet të plotësojnë dhe Formën e Aplikimit.

Gjithashtu rregullat e origjinës preferenciale gjenden në tekstin e çdo Marrëveshjeje të Tregtisë së Lirë, në Protokollin “Mbi Përkufizimin e Konceptit të Produkteve Origjinuese dhe Metodat e Bashkëpunimit Administrativ”.

 

Burimi: ata.gov.al

Na Ndiqni në: