Pas nisjes së fazës së dytë të fiskalizimit në fillim të këtij muaji, një sërë pyetjesh dalin në pah. Por cila është kostoja e fiskalizimit? Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se për një biznes që regjistrohet për herë të parë, kosto fillestare e fiskalizimit është më e ulët në krahasim me koston e sistemit aktual të kasave:
DPT informon se për t’u fiskalizuar, çdo subjekt duhet të ketë 5 elementë të domosdoshëm të cilët janë:
– Certifikata elektronike, e cila merret tek AKSHI.
– Software i fiskalizimit.
– Një pajisje elektronike, tablet, telefon etj.
– Lidhje të thjeshtë me internetin.
-Printer jofiskal.
Sipas DPT, bizneset sot kanë një gamë të gjërë zgjedhjesh, ku janë certifikuar 28 kompani ofrues të shërbimeve të softwareve, që përkthehet në rritje të konkurrencës dhe rrjedhimisht në ulje të çmimeve.
Pas nisjes së procesit të fiskalizimit në 1 korrik të këtij viti, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konstaton një funksionim normal të procesit me një numër prej afërsisht 7000 subjektesh të fiskalizuara dhe rreth 24 mijë të pajisura me certifikate elektronike. Dispozita ligjore për këtë proces parashikon që gjobat e lidhura me këtë reformë do të fillojnë të aplikohen nga data 1 Janar 2022. Më herët drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimi sqaroi se nuk do të vendosen penalitete për moslëshimin e faturës elektronike, por sigurisht që do të vendosen penalitete nëse do të konstatohet moslëshimi i asnjë fature.
Sipas DPT-së, në këtë faze tranzitore, ku një pjesë e subjekteve operojnë të fiskalizuar dhe një pjesë të pafiskalizuar, përmes këtij vendimi do të shtyhet edhe afati i dorëzimit të librave deri në datën 1 Janar 2022.
Administrata Tatimore bën me dije se do të vazhdojë të ketë një qasje sensibilizuese dhe këshilluese, për të gjitha subjektet gjatë gjithë vitit 2021 përsa i përket fiskalizmit. Në këtë kuadër është duke u përgatitur një plan masash, i bazuar në informacionin mbi statusin e fiskalizimit të çdo subjekti, me qëllim kuptimin e problematikës dhe dhënien e suportit nga ana e administratës tatimore.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve