Komunikimi i kafshëve, çfarë duhet të dimë rreth këtij koncepti?

Komunikimi i kafshëve është transferimi i informacionit nga një kafshë/grup kafshësh (dërgues) tek një/shumë kafshë të tjera (marrës), më qëllim ndikimin në sjelljen e marrësve. Informacioni i dërguar mund të jetë i qëllimtë (psh tek sjelljet mikluese gjatë periudhës së çiftimit) ose i paqëllimtë (psh. gjatë transferimit të aromave nga preja tek grabitqari). Informacioni mund t’i transferohet një “audience” të disa marrësve, ndër të cilët edhe humanët që bashkëjetojnë me kafshët.

Pse ka rëndësi njohja prej njerëzve e mënyrave të komunikimit të kafshëve?

Komunikimi me kafshët dhe përpjekja apo aftësia për të kuptuar mesazhet që kafshët përcjellin, është moment shumë i rëndësishëm gjatë punës së një mjeku veteriner, përditshmërisë së një mbarështuesi të suksesshëm kafshësh apo kujtdo që bashkëjeton me kafshët.

“Leximi” korrekt i mesazheve që pacienti përcjell (psh. përmes impostimeve të trupit apo tingujve të emetuar), e ndihmojnë një mjek veteriner klinicist që para se të kërkojë analiza komplete gjaku apo teste të funksionalitetit të organeve të caktuara, të jetë i orientuar drejt diagnozës; gjithashtu ndihmojnë pronarin/mbarështuesin të kuptojë nëse kafsha ka një problem shëndetësor që duhet adresuar tek mjeku.

Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i komunikimit mes njeriut dhe kafshës, është vlerësimi i gjendjes emocionale të kafshës dhe temperamentit të tij. Për veterinerin, një pacient i vetëpërmbajtur apo akoma më preferueshëm i qetë, lehtëson ekzaminimin dhe diagnostikimin. Ndaj për sigurinë e tyre si dhe për të arritur t’a përcaktojnë lehtë diagnozën, mjekët e klinikës duhet të mësojnë të dëgjojnë mesazhet që pacientët i dërgojnë atyre dhe njëri-tjetrit. Edhe fermerët dhe kafshëdashësit mund t’i parandalojnë lëndimet vetjake, nëse kuptojnë dhe interpretojnë mesazhet e kafshëve. Dikush që ka praktikë dhe ekspertizë arrin të dallojë një kafshë agresive, e për pasojë di si të veprojë nëse kafsha duhet qetësuar, i duhet vendosur gojëza apo duhen përdorur të tjera metoda më të rrepta. Të mësosh të dallosh gjendjen shpirtërore të kafshëve, të mësosh të njohësh sjelljet e kafshëve mund të jetë shumë më mirë se një dorë e kafshuar keq apo një këmbë e shkelmuar, e për më tepër edhe mund të parandalojë orientimin e sjelljeve të padëshiruara agresive ndaj të tretëve: njerëz apo kafshë rastësisht të pranishëm.

Njohja e komunikimit të kafshëve është në dobi gjithashtu edhe një trajnimi të suksesshëm të kafshëve shtëpiake dhe në veçanti të mirëqënies së vetë kafshëve, në fokus tashmë prej pak dekadash të interesit human. Sigurimi i mirëqënies së kafshëve optimizon kapacitetin e tyre prodhues dhe riprodhues si dhe përmbush pritshmëritë ekonomike të mbarështuesve të kafshëve.

Si komunikojnë kafshët?

Kafshët komunikojnë jo vetëm me sinjale dëgjimore, siç kryesisht bëjnë njerëzit, por edhe me sinjale olfaktore dhe vizive. Shumë mesazhe olfaktore mund të mos perceptohen nga njerëzit, megjithëse feromonet mashkullore që ndodhen në urinën e maceve janë krejt të dallueshme nga humanët. Sa i përket komunikimit vokal të kafshëve, për tingujt e emetuar prej tyre ne jemi të gjithë të vetëdijshëm, por shumica e këtyre thirrjeve ende nuk mund të dekodohen prej humanëve. Ndaj janë kryesisht sinjalet vizive që bëhen me veshë, bisht, gojë, këmbë apo pjesë të tjera të trupit, ato që ndihmojnë njerëzit të vlerësojmë temperamentin dhe shëndetin e kafshëve.

Si perceptojnë kafshët?

Komunikimi i kafshëve varet nga aftësitë e tyre për të perceptuar mesazhet. Duke qënë se konsideratat mbi perceptimin e kafshëve jepen prej humanëve, pothuajse gjithmonë ky perceptim krahasohet me atë të njerëzve, ndaj me evolimin e teknologjisë në të ardhmen, mund të ketë shumë për t’u rikonsideruar. Kafshët perceptojnë përmes aftësisë vizive, olfaktive dhe dëgjimore.

Aftësia vizive.

Aftësitë vizive të kafshëve shtëpiake, me përjashtim të qenve dhe maceve, nuk janë studiuar akoma sistematikisht dhe thuajse gjithmonë krahasohen me ato të njerëzve.

Mprehtësia e shikimit.

Qentë dhe macet kanë një “critical flicker fusion” (pika në të cilën një dritë që regëtin duket si dritë e qëndrueshme) më të lartë se njerëzit, ç’ka tregon që qentë dhe macet kanë një sistem konesh të zhvilluar mirë në retinën e tyre. Macet mund të shquajnë ndriçimin në 1/5 e pragut të njerëzve, por fuqia e tyre dalluese është vetëm 1/10 e asaj të njerëzve. Macet siameze nuk kanë shikim stereoskopik siç kanë macet e tjera. Mendohet se kushtet mjedisore ndikojnë në tipin e shikimit, psh., macet në gjendje të lirë e të egër kanë tendencë hipermetropie, ndërsa macet e mbajtura në kafaz tendence miopie.

Gjatë krahasimeve të mprehtësisë relative të të parit të disa llojeve të tjera kafshësh, derri renditej i pari i ndjekur nga delja, lopa, qeni dhe kali. Gjatë matjes së mprehtësisë së shikimit të gjedhëve (duke përdorur një rreth të mbyllur/pjesërisht të hapur vendosur në distanca të ndryshme nga kafsha), gjetja ishte se mprehtësia e shikimit është inferiore ndaj asaj të njeriut. Gjedhët mund të dallojnë objekte në ndriçim prej 2 lux. Gjedhët janë më inferiore se njeriu gjithashtu edhe në perceptimin e shkëlqimit. Pragu i tyre i perceptimit të shkëlqimit në dritë të shkëlqyeshme është 66 lux, ndërsa në dritë të turbullt (psh. në kohë të vrenjtur) është 4.8 lux, ndërkohë që pragu i perceptimit të njerëzve është respektivisht 105 e 4,2 lux.

Shikimi i ngjyrave.

Një pyetje që shpesh ngjall interes është nëse i shohin kafshët ngjyrat apo jo. Është treguar se gjithë kafshët shtëpiake kanë një shikim më ngjyra. Ato bëjnë dallimin bazuar në ngjyrat, por për kafshët shtëpiake ngjyrat nuk kanë të njëjtën rëndësi sa ç’kanë për zogjtë, peshqit apo primatët. Për shembull është shumë e vështirë që t’u mësohet maceve të bëjnë dallimin midis ngjyrave, megjithatë ato mësojnë me lehtësi të tjerë tipe dallimi viziv dhe kanë 2 tipe konesh që absorbojnë ngjyrën jeshile dhe blu. Gjithësesi macet, qentë, kuajt, gjedhët, derrat, dhitë dhe delet munden të bëjnë dallime bazuar edhe vetëm në ngjyrat. Por të parit e ngjyrave nga kafshët shtëpiake nuk është i njëjtë me atë të njerëzve. Nga studimet e kryera është gjetur se qentë e shohin botën jo me hije ngjyrë gri, por me hije violetë, blu dhe të verdhë. Shikimi i tyre është i njejtë me atë të njerëzve që s’i shohin ngjyrat ose të njerëzve dikromatë, që shohin dritën jeshile si të verdhë të zbehtë, të verdhën si të verdhë dhe të kuqen si të verdhë të errët.

Ruminantët mund të shquajnë valë të mesme dhe të gjata (verdhë, portokalli, e kuqe) më mirë se gjatësitë e shkurtra të valëve (violet, blu dhe jeshil). Demat e perceptojnë të kuqen e pelerinës së matadorit. Kuajt mund të dallojnë të kuqen dhe blunë por jo jeshilen dhe grinë.

Shikimi monokular dhe binokular. Vendosja e syve në kokë gjithashtu ndikon në aftësitë vizive. Shikimi monokular dhe binokular përcaktohet nga pozicionimi i syve në kokë. Kuajt i kanë sytë të vendosur pothuajse lateral dhe mund të shohin anash dhe prapa, por nuk mund të shohin mirë drejt, përpara kokës. Shikimi lateral është monokular dhe kuajt shohin binokular vetëm 70° direkt përballë kokës (Fig. A). Tek kafshë të tjera shifrat do të varionin sipas anatomisë përkatëse, psh zona e errët e shikimit të deleve është 90°, ndërsa tek macet shumë më e gjerë.

Fig. A. Fushat e shikimit të kalit, ku vihet re se ka vetëm një zonë të vogël të shikimit binokular por një zonë shumë të gjerë të shikimit monokular.

Aftësia e të dëgjuarit.

Në dëgjim si edhe në shikim, qentë dhe macet duket se perceptojnë më shumë se njerëzit. Njerëzit mund të dëgjojnë 8,5 oktavë, macet 10. Macet kanë 40000 fibra kokleare dhe njerëzit kanë 30000. Megjithatë kufiri i dëgjimit të maceve është vetëm 1,5 oktavë më i lartë se i njerëzve, sepse dallimi i një frekuence më të lartë kërkon një rritje joproporcionale të fibrave të nervave kokleare; numri i fibrave i duhur për oktavë nuk është konstant por rritet me rritjen e frekuencës. Macet, megjithëse kanë pinnae të lëvizshme, mund të dallojnë ndërmjet tingujve 5° larg, ndërkohë që njerëzit mund të dallojnë tinguj me diferencë 0,5°. Pinnae ul në mënyrë sinjifikative pragun e dëgjimit tek macja. Limiti i sipërm absolut i dëgjimit tek macet dhe qentë është 60 në 65 KHz. Qentë dhe macet mund të shquajnë 1/8 deri 1/10 tone. Edhe delet vërehen se perceptojnë frekuenca më të larta se njerëzit. Nuk njihet ende nëse qentë dhe macet e rritura prodhojnë thirrje ultrasonike por brejtësit prodhojnë zhurma ultrasonike që i bëjnë mishngrënësit t’i lokalizojnë ata.

Olfaksioni

Aftësia olfaktive është mbase shqisa më e rëndësishme e kafshëve shtëpiake, pasi njohja e erërave dhe çlirimi i feromoneve janë pjesë shumë të rëndësishme për komunikimin e tyre. Olfaksioni për kafshët është çfarë është shkrimi për njerëzit, një mesazh që mund të transmetohet pa praninë e dërguesit. Që të merret një mesazh viziv apo auditiv dërguesi duhet të jetë i pranishëm, ndërsa një mesazh olfaktiv mund të vijojë edhe disa minuta (apo ditë) pas largimit të dërguesit.

Mendohet se qeni ka nuhatjen më të mirë dhe ky lloj makroosmatik është një nga më të studiuarit. Qentë mund të zbulojnë praninë e acideve alifatike në përqëndrime 1/100 herë më të vogël se ai që dedektohet nga njerëzit; ata mund të dallojnë erërat e dy binjakëve identikë si dhe mund të zbulojnë erëra të shenjave të gishtërinjve deri në 6 javë pasi lihen në xham. Shumë shpesh qentë stërviten që të nuhatin drogëra dhe rrjedhje të gazit natyror. Qentë kanë aftësinë të dallojnë edhe erërat e ndryshme, që vijnë nga pjesë të ndryshme të trupit, psh nga duart me ato të bërrylave. Qentë e policisë janë përdorur gjatë shekujve për të ndjekur njerëz; praktikisht asnjë shpikje moderne nuk është aq e besueshme sa mukoza kanine e olfaksionit. Kur administrohen medikamente ndaj qenve që zbulojnë drogën ose atyre që përdoren për ndjekje, duhet treguar kujdes nga mjeku veteriner, pasi ndonjë përzierje kortikosteroidësh mund të frenojë diskriminimin olfaktor.

 

Prof. Asoc. Dr. Doriana Beqiraj
Departamenti i Moduleve Morfofunksionale

Na Ndiqni në: