realworkhard - www.pixabay.com

Influenca e rritjes së taksave në industrinë e duhanit në Shqipëri

Industria e duhanit në Shqipëri po përballet me një tendencë në rritje të prodhimit dhe shitjes së duhanit të papërpunuar të paligjshëm, fakt i cili dëmton seriozisht jo vetëm veprimtarinë e biznesit por ka efekte negative në të ardhurat totale të buxhetit qeveritar ndërsa ndikon edhe në shëndetin e njerëzve për shkak të konsumit të produkteve të pakontrolluara. Ky problem nuk prek vetëm Shqipërinë por konsiderohet si një nga sfidat globale e cila prek jo vetëm industritë, por gjithashtu qeveritë dhe njerëzit e thjeshtë. Tregtia e paligjshme dezinformon konsumatorët, privon autoritetet publike nga mbledhja e taksave dhe “furnizon” krimin e organizuar dhe terrorizmin (PMI 2018).

Niveli i lartë i duhanpirjes është shoqëruar me një tendencë në rritje të prodhimit dhe shitjes së paligjshme të duhanit të papërpunuar dhe të prodhimeve artizanale të duhanit për dredhje dhe cigareve, fakt i cili dëmton seriozisht jo vetëm veprimtarinë e biznesit formal por gjithashtu ka efekte negative në të ardhurat e buxhetit të shtetit si dhe në shëndetin e njerëzve për shkak të konsumit të produkteve të pakontrolluara (Muça E.D. 2020).

Në Shqipëri ekzistojnë ligjet për rregullimin e sektorit të duhanit, ligji për akcizën në produktet e duhanit, ligji për mbrojtjen e shëndetit nga përdoruesit e duhanit si dhe ligje për mallrat e paligjshme të cilat parashikojnë jo vetëm konfiskim apo shkatërrim të mallit por edhe gjoba e burgim për shkelësit e tij. Megjithatë situata vazhdon të mbetet kaotike për disa arsye të tilla si: Shkalla e ulët e zbatimit të ligjit; fakti që ligji për rregullimin e sektorit të duhanit krijon vakume dhe pamundësi për rregullimin e plotë të tij; niveli i lartë i korrupsionit nga ana e policisë doganore, kufitare dhe agjensive të tjera shtetërore të përfshira; mungesa e koordinimit mes institucioneve shtetërore që lidhen me sektorin e duhanit dhe mosshpërndarja e informacionit në të gjitha institucionet shtetërore të lidhura me sektorin.

Të gjithë këta faktorë sjellin një sërë problemesh e implikimesh në rang vendi si: Prodhimi dhe shitja e paligjshme çojnë në kriminalizimin e shoqërisë, humbjen e besimit në sistemet fiskale dhe të zbatimit të ligjit, pengimin e zbatimit të ligjit, etj., me pasoja të gjera për të gjithë aktorët në çdo sistem ekonomik të caktuar; produkti i duhanit i pataksuar del si zëvendësues i volitshëm për duhanpirësit, duke çuar në një tkurrje të tregut të ligjshëm; furnizimi afatgjatë nga industritë përkatëse me duhan të cilësisë më të mirë mund të kërcënohet, pasi fermerët mund të fillojnë t’u shesin kulturat e tyre blerësve të paligjshëm, jashtë sistemit të kontrollit, të tërhequr nga perspektiva financiare fitimprurëse.

Shqipëria ka nevojë të domosdoshme zhvillimin e strategjive afat-gjata dhe politikave bujqësore e fiskale që mbështesin fermerët për kultivimin, përpunimin dhe tregtimin e ligjshëm të duhanit, që garantojnë konkurrencën e ndershme, mbrojnë të ardhurat shtetërore dhe shëndetin e konsumatorëve dhe rrisin formalizimin dhe minimizojnë prodhimin, tregtinë e paligjshme dhe korrupsionin.

Mungesa e efiçencës së dispozitave rregulluese dhe shtrënguese lidhur me prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e ligjshëm të duhanit nga njëra anë dhe rritja e vazhdueshme e akcizës për prodhuesit dhe importuesit formalë nga ana tjetër, kanë ndikuar në një rritje të vazhdueshme të prodhimit dhe tregtisë informale.

Në përfundim mund të themi se në Shqipëri nuk duhet të ketë rritje agresive të akcizës së produkteve të duhanit pa arritur ulje të konsiderueshme të informalitetit në mbjelljen dhe prodhimin e duhanit dhe të cigareve.

Një rritje konstante graduale e akcizës në përputhje me kapacitetet administrative të administratës tatimore dhe doganore si dhe në përputhje me përballueshmërinë e çmimeve formale nga konsumatorët por edhe me një rritje graduale dhe ndërgjegjësim të konsumatorëve për dëmet e duhanpirjes, do të ishte mënyra e vetme e drejtë për të mbrojtur të ardhurat shtetërore, konkurencën e ndershme dhe shëndetin e popullsisë.

 

Prof.As.Dr. Etleva Muça (Dashi)
Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Na Ndiqni në: