Në kuadër të fushatës së vaksinimit kundër plasjes, organizuar nga autoritetet shtetërore përgjatë muajit maj në vendin tonë, dhjetëra-mijëra doza vaksina janë kryer nga veterinerët në 38 fshatra.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ndërmori kryerjen e profilaksisë shtetërore për vaksinimin e bagëtive të imta, gjedhit, derrave dhe njëthudrakëve në zonat me risk të lartë për shfaqjen e sëmundjes së plasjes, e cila përbën njëkohësisht një kërcënim edhe për jetën e njeriut. Po çfarë është plasja dhe cili mikrob e shkakton atë?
Plasja është një sëmundje bakteriale e shkaktuar nga Bacillus anthracis. Këto bakterie formojnë spore shumë rezistente, të cilat kontaminojnë mjedisin dhe ndihmojnë në përhapjen e sëmundjes. Plasja shkakton ngordhje të papritura/të menjëhershme në gjedhë, dhen e dhi dhe mund të prekë rëndë njerëzit.
Shpërthime të plasjes ndodhin herë pas here në zona të caktuara të Shqipërisë, sikurse ndodh kudo në botë. Sporet e plasjes mund dhe janë përdorur si armë biologjike. Në vitin 2001, plasja u përhap qëllimisht në Shtetet e Bashkuara përmes letrave që përmbanin një pluhur me spore të plasjes, nga ku u infektuan 22 njerëz dhe 5 prej tyre humbën jetën.
Cilat kafshë preken nga plasja?
Plasja prek kafshët ripërtypëse, gjedhët, dhentë e dhitë që janë më receptive, por edhe pse më pak receptive, nga plasja mund të preken edhe kafshët e tjera, përfshirë kuajt, derrat, qentë, macet e kafshët e egra.
Si merret/transmetohet plasja tek kafshët?
Shumica e kafshëve e marrin shkaktarin në rrugë orale përmes tokës së kontaminuar me spore të plasjes gjatë kullotjes. Bacili është shumë i qëndrueshëm, rezistent ndaj shumicës së dezinfektuesve dhe mund të mbijetojë për periudha të gjata në mjedis. Mishngrënësit mund ta marrin sëmundjen duke konsumuar karkasat e kafshëve të infektuara, të paasgjësuara apo të groposura cekët.
Cilat janë shenjat e plasjes?
Shenja më e zakonshme e infeksionit të plasjes është ngordhja e papritur. Para ngordhjes, kafshët mund të kenë ethe, dridhje të muskujve e vështirësi në frymëmarrje. Zakonisht në dhen, dhi dhe gjedhë ajo zhvillohet në formë hiperakute dhe formë akute. Kafshët gjenden të ngordhura pa shenja paraprake klinike ose kursi zgjat vetëm 1-2 orë; mund të vërehen ethe, dridhje muskulare, disapne e kongjestion të mukozave. Kafsha bie shpejt në gjendje kolapsi dhe ngordh pas konvulsioneve terminale. Tek kafsha e ngordhur zakonisht ka rrjedhje nga hundët, goja, anusi dhe vulva.
Në derra plasja mund të ketë rrjedhë akute ose subakute duke shfaqur ethe, mungesë gjallërie, anoreksi, madje karakteristikë në këtë rast është edema inflamative në gjoks e fytyrë.
Plasja në kuaj zakonisht ka rrjedhë akute, por manifestimet klinike janë të ndryshme dhe variojnë në përputhje me rrugën e infektimit.
A mund të preket njeriu nga plasja?
Plasja prek njeriun duke depërtuar nga një dëmtim ose gërvishtje të lëkurës pas kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara ose produktet e tyre, të tilla si gjaku, leshi ose lëkura. Plasja gjithashtu mund të transferohet nga mizat. Brenda disa ditësh ndodh skuqje e enjtje pasuar me formimin e një kokrre të zezë në vendin e infeksionit.
Kjo quhet forma e lëkurës e cila përbën edhe formën më të shpeshtë të sëmundjes. Plasja mund të merret gjithashtu me aerosol nëse thithet pluhuri i kontaminuar me spore si edhe përmes rrugës digjestive. Kjo quhet forma pulmonare, e cila është më e rënda dhe mund të çojë në vdekje. Mund të shfaqen ethe, kollitje, dhembje të forta në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje. Trajtimi i hershëm me antibiotikë është i rëndësishëm. Njerëzit mund të infektohen oralisht duke konsumuar mish të kafshëve të infektuara. Kjo përbën edhe formën intestinale e cila manifestohet me pështjellim, të vjella, dhembje barku dhe diarre të rëndë e të përgjakshme.
Me kë të kontaktoni nëse dyshohet për plasje në kafshë apo në njerëz?
Nëse ka dyshime për sëmundje në kafshë, kontaktohet mjeku veteriner ndërsa për çdo shqetësim shëndetësor human kontaktohet mjeku i familjes.
Si mund të mbrohen kafshët ndaj plasjes?
Në zona endemike të plasjes, vaksinimi mbron kafshët dhe vaksina është efikase. Asgjësimi i kadavrave të kafshëve të infektuara ka rëndësi për frenimin e përhapjen e sëmundjes.
Si mund të mbrohet njeriu nga plasja?
Është e rëndësishme shmangia e kontaktit me kafshët e dyshuara për plasje dhe mos-hapja e kadavrave të kafshëve me plasje, pasi janë jetike për mbrojtjen e mjeriut. Duhet përmendur fakti se ekziston një vaksinë për individët në rrezik të lartë ekspozimi ndaj plasjes për shkak të detyrës së tyre (p.sh. veterinerët, personeli laboratorik e ushtarak, pronarët e kafshëve).
Prof. Xhelil Koleci
Departamenti Shëndetit Publik Veterinar