sasint - www.pixabay.com

Bujqësia organike: çfarë duhet të dimë për të?

Le të nisim me kuptimin e thjeshtëzuar të termit “bujqësi natyrale”.

Bujqësia “natyrale” e cila për të ushqyer bimën përdor produkte gjithmonë po natyrale që nuk prodhohen në fabrika nëpërmjet sintezës kimike, ka lindur me njeriun. Fjala natyrale edhe mund të keqkuptohet.  Të jetë e qartë: atje ku ndërhyn njeriu, atje ku favorizon duke e ushqyer dhe ndihmuar të shumohet një lloj bime apo kafshe në krahasim me të tjerat, nuk mund të flasim më për natyralitet absolut.

Në kohën e sotme në mos të gjithë, shumica e njerëzve e kanë dëgjuar dhe përdorur fjalën  dhe togfjalëshat “bio”, “produkte bio”, “ushqim bio”, “bujqësi organike”, “produkte organike” dhe “ushqime organike”.

Si fjalët  “bio” ashtu edhe “organik” përdoren si fjalë që kanë të njëjtin kuptim dhe thonë të njëjtën gjë, pavarësisht se ka shumë konfuzion për këto dy terma midis njerëzve që nuk janë të profesionit. Edhe në media jo pak herë është ndeshur interpretim dhe kuptim i gabuar i fjalëve “bujqësi organike” dhe “bio”.

Bujqësia organike moderne u zhvillua si përgjigje ndaj dëmit mjedisor të shkaktuar nga përdorimi i pesticideve kimike dhe plehrave sintetikë në bujqësinë konvencional. Produktet e prodhuara nga bujqësia organike dhe vetë bujqësia organike na siguron disa përfitime: në radhë të parë përfitime mjedisore që lidhen me rritjen/ruajtjen e biodiversitetit,  mbrojtjen e ajrit, tokës dhe ujit nga ndotësit të cilët vijnë nga përdorimi i pesticideve dhe i ushqyesve sintetikë. Kjo ndotje arrin deri tek njeriu si nëpërmjet ushqimit direkt nga bimët dhe kafshët e rritura në kushtet e bujqësisë së kimizuar të ashtuquajtur konvencionale,  ashtu edhe nga bimë dhe  kafshë (përfshirë peshqit), tek të cilët nuk janë përdorur produkte sintetike direkt por që i kanë marrë nga mjedisi i ndotur dhe duke u ushqyer me organizma që janë rritur në atë mënyrë.

Produktet ushqimore që vijnë nga bujqësia organike konsiderohen më të shëndetshëm për njeriun për faktin se nuk përmbajnë mbetje të kimikateve që përdoren sot në masë të gjerë në prodhimin bujqësor dhe blektoral. Herë –herë vihet barazia midis bujqësisë organike të sotme dhe asaj antike. Të bësh bujqësi organike sot është mirë dhe e këshillueshme të mblidhen, të provohen dhe përdoren metodat e vjetra të të ushqyerit të bimëve, por asnjeherë nuk mund të vendosim barazim midis tyre.

Kjo sepse edhe kushtet e të prodhuarit dhe të të bërit bujqësi kanë ndryshuar. Me rritjen e popullsisë në nivel botëror është rritur nevoja për ushqim dhe produkte të tjera që vijnë nga bujqësia, është pakësuar toka për frymë, ndaj intensifikimi ose rritja e prodhimit për një sipërfaqe të caktuar është e domosdoshme të rritet. Dhe si rrjedhim kjo çon në situatën ku ndërhyrja e njeriut është më e madhe, më shumë ushqyes dhe madje më shumë produkte që përdoren për mbrojtjen e bimëve nga sëmundjet e dëmtuesit, sepse këta të fundit pikërisht janë shtuar sepse ndërhyrja e njeriut ka prishur ekuilibrat natyrorë.

Bujqësia organike është sistemi bujqësor që përdor kontrollin e sëmundjeve dhe dëmtuesve dhe plehrat organike që rrjedhin kryesisht nga mbetjet e kafshëve dhe bimëve dhe nga përdorimi I bimëve të fiksimit të azotit të ajrit që realizohet nga bimët bishtajore si batha, bizelja, fasulja, soja etj.

Bujqësia organike e sotme mund të ketë si synim nivelin e shëndetit të bimëve dhe të gjithë ekosistemit si në kohët e hershme, por nuk mund ta arrijë ekzaktësisht me të njëjtat mjete dhe njohuri të krijuara në mijëvjeçarë nga eksperienca direkte e fermerëve/bujqve. Dhe e para që ndryshon këtu, është niveli i njohurive të bujqve dhe ekspertëve të sotëm. Bujqësia organike në radhë të parëështë intensive në njohuri .

Krahasuar me bujqësinë konvencionale, bujqësia organike përdor më pak ushqyes/plehra nga jashtë fermës, zvogëlon erozionin e tokës, zvogëlon kalimin e nitrateve në ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore dhe riciklon mbeturinat e bimëve dhe kafshëve brenda fermës.

Nga ana tjetër prodhimi organik ka rendimente më të ulëta si dhe kosto më të lartë të ushqimit për konsumatorët. Në përgjithësi, rendimenti në bujqësinë organike vlerësohet të jetë rreth 25 përqind më i ulët sesa kulturat e rritura në mënyrë konvencionale, megjithëse kjo mund të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme në varësi të llojit të bimëve. Sfida për bujqësinë organike të ardhshme do të jetë sigurimi i përfitimeve mjedisore ndërkohë që rriten rendimentet, sigurohet ulja e çmimeve, përballohen sfidat e ndryshimit të klimës në kushtet e rritjes së popullsisë botërore.

Sot bujqësia pothuajse në gjithë botën është e rregulluar me legjislacion që do të thotë se kush deklaron që prodhon ose shet produkte organike ose bio, mund ta deklarojë këtë vetëm pasi të ketë zbatuar standartet e bujqësisë organike të rregulluar me legjislacion, por edhe të ketë kaluar në një process kontrolli, vlerësimi dhe çertifikimi nga një organizatë ose institucion i specializuar dhe i aprovuar nga autoritetet shtetërore. Këto organizma quhen trupa çertifikimi dhe tashmë janë prezente në territor.

Si lëvizje e kohëve moderne, lëvizja e bujqësisë organike nisi në fillim të viteve 1900 si një përpjekje filozofike dhe intelektuale që pati si inspirues dhe përkrahës emra të rëndësishëm të shoqërisë si studiues, avokatë dhe filozofë. Një libër i rëndësishëm ishte edhe “Silent Spring” (Pranvera e heshtur) i botuar në vitin 1960. Ky libër dokumentoi dëmtimin e mjedisit të shkaktuar nga përdorimi i pesticideve që në fakt kishin nisur të përdoreshin në bujqësi pas luftës së dytë botërore dhe që prodhoheshin nga ish-industritë e luftës tashmë të transformuara. Me botimin e këtij libri si dhe të librave e artikujve të tjerë në vitet 60-të kemi edhe ngjallje të interesit dhe lindjen e kërkesës për produktet organike për t’u konsumuar (në atë kohë akoma s’kishte ‘’lindur’’ legjislacioni, standartet e çertifikimit dhe trupa e çertifikimit). Tashmë kemi një lëvizje të bujqësisë organike më të fortë, të organizuar  në nivel ndërkombëtar, të mbështetur nga kërkimi shkencor dhe politikbërja, me më shumë mbështetje financiare dhe me një konsumator më të ndërgjegjshëm. Përveç shoqatave, organizatave të fermerëve, konsulentëve dhe konsumatorëvë prezentë në çdo vend, në nivel ndërkombëtar operon Federata Ndërkombëtare e Lëvizjes së Bujqësisë Organike (shkurt IFOAM) e cila ka ndikuar pozitivisht në trajnimin e fermerëve, lobimin dhe avokatinë e prodhuesve organikë. Në nivel të Mesdheut për më shumë se 20 vjet është krijuar “Agribiomediterraneo”, një strukturë e organizuar brenda lëvizjes botërore të Bujqësisë organike (IFOAM) e cila mbështet këtë lëvizje në vendet si: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Italia, Franca, Spanja, Izraeli, Greqia, Maroku, Tunizia etj.

Shqipëria, meqënëse pjesën më të madhe të territorit e ka malor, mund të përdorë bujqësinë organike si një instrument të rëndësishëm të zhvillimit të vendit. Jo vetëm sepse në kushtet e relievit që ka Shqipëria (me përjashtim të zonave fushore) nuk mund të realizohet bujqësia intensive, por edhe sepse duke pasur parasysh rritjen e interesit në nivel kombëtar e ndërkombëtar për natyrën dhe për produktet organike, kjo e fundit mund të kombinohet fare mirë me turizmin dhe kuzhinën tradicionale në zonat rurale.

 

Prof. Asoc. Dr. Xhevaire Dulja
Përgjegjëse e Departamentit të Menaxhimit të Turizmit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Na Ndiqni në: