stevepb - www.pixabay.com

A raportojnë njësitë ekonomike me aktivitet bujqësor në Shqipëri sipas SKK 13?

Në Shqipëri, sektori i bujqësisë1 vlerësohet si sektori më i rëndësishëm i ekonomisë referuar jo kontributit aktual të saj në Produktin e Përgjithshëm Bruto (aktualisht krijon 18.9%), por referuar strategjisë afatgjatë të zhvillimit të qëndrueshëm në vend si dhe faktit se sipas statistikave zyrtare në këtë sektor janë të punësuar 47.8% e popullsisë.

Sektori i bujqësisë nuk është thjesht një aktivitet tregëtar por një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi, duke theksuar faktin se njësitë ekonomike të vogla dhe të mesme në sektorin e bujqësisë kanë një rol të rëndësishëm në uljen e varfërisë. Sfidat e zhvillimit nuk mund të shihen të shkëputura nga zhvillimi në fushën e informacionit kontabël dhe raportimit financiar të këtij sektori.

Është e rëndësishme që njësitë ekonomike të përfshira në sektorin e bujqësisë, të kuptojnë mirë që sa më shumë të orientojnë aktivitetin e tyre drejt tregjeve të jashtme, aq më shumë do të kenë nevojë për një informacion të kujdesshëm të kostove dhe përdorim të një metode të përshtatshme për vlerësimin e aktiveve biologjike të tyre, bazuar në veçoritë që ndikojnë në krijimin dhe zhvillimin e aktiveve bujqësore apo blegtorale.

Dhjetëvjeçarin e fundit në Shqipëri janë bërë hapa konkretë dhe të rëndësishëm për përshtatjen dhe harmonizimin e kornizës rregullative të kontabilitetit me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar. Nisur nga vështirësitë dhe kostot për të zbatuar versionin e plotë të standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit, autoritetet shtetërore vendosën të hartonin standardet kombëtare të kontabilitetit duke përcaktuar edhe fushën e veprimit të tyre.

Kriteret u përcaktuan në ligjin nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.Në zbatim të këtij ligji u hartuan, publikuan dhe hynë në fuqi standardet kombëtare të kontabilitetit. Për mënyrën e trajtimit dhe paraqitjes së aktiveve biologjike u hartua një standard i ri SKK nr.13, “Aktivet Biologjike”. Ky standard zëvendësoi të gjithë praktikën e mëparshme kontabël për këto aktive.

Referuar përmbajtjes, standardi kërkonte vlerësimin e aktiveve biologjike me vlerën e drejtë, në pamundësi të saj me kosto. Ky ishte një ndryshim rrënjësor pasi vlerësimi dhe paraqitja e aktiveve biologjike lejonte vlerësimin e tyre vetëm me kosto. Por kjo mënyrë e re vlerësimi nuk u shoqërua me udhëzime për të sqaruar mënyrën e re të njohjes, matjes dhe paraqitjes së aktiveve biologjike.

Ndryshimi ligjor 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” zëvendësoi ligjin e mëparshëm për një përafrim më të mirë me Direktivën e Kontabilitetit të BE. Ky ligj hyri në fuqi në 1 janar 2019 duke u shoqëruar me SKK të reja të përmirësuara. Edhe SKK 13 u ndryshua por këtë herë jo më në harmoni me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar, por me orientin nga standardi ndërkombëtar për raportimin financiar të njësive ekonomike të vogla dhe të mesme, seksioni 34. SKK e përmirësuara u shoqëruan edhe më një udhëzues i cili më shumë shpjegonte referencat e paragrafëve të SKK 13 dhe përkthimin e disa shembujve të shkëputur pa lidhje logjike dhe orietuese në zbatimin e kontabilitetit, shembuj të cilët më tepër janë veprime matematikore.

Në këtë punim duam të evidentojmë se çfarë ndodh me raportimin financiar si dhe me vlerësimin e aktiveve biologjike për njësitë ekonomike të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e bujqësisë në Shqipëri, pra nivelin e zbatimit të SKK nr. 13 “Aktivet Biologjike”.

Në vitin 2019 ishin gjithësej 162,342 njësi ekonomike aktive që vepronin në Shqipëri, ku vlen të theksohet që 45,705 njësi  (fermerë dhe njësi ekonomike) kishin aktivitet në bujqësi. Po kështu u vu re një rritje e numrit të fermerëve prej 44,473 që janë të pajisur me Numër Identifikimi të personit të Tatueshëm (NIPT) krahasuar me vitin 2018. Por një numër prej 1,232 njësish ekonomike janë të regjistruara si shoqëri tregtare, përkatësisht 771 si persona fizikë dhe 461 janë persona juridikë të cilët duhet të bëjnë raportimin financiar dhe janë të detyruar të përdorin SKK 13.

Nga analiza studimore rezulton se vetëm 9 nga këto njësi arrijnë të raportojnë aktivet biologjike në postin e tyre në pasqyrat financiare, vetëm paraqitjeje, pasi vlerësimi i aktiveve biologjike në asnjë rast nuk është realizur referuar kërkesave të standardit. Arsyet për mungesën e zbatimit korrekt të standardit janë:

  1. Në përgjithësi kontabilistët, hartuesit e pasqyrave financiare dhe audituesit nuk i njohin mirë aktivet biologjike prandaj edhe i klasifikojnë si inventarë ose aktive afatgjatë amateria Mungesa e profesionalizmit në radhë të parë është tek kontabilistët të cilët hartojnë pasqyrat financiare.
  2. Përgjithësisht këto njësi ekonomike janë relativisht të vogla apo të mesme dhe qëllimi kryesor për të cilin hartojnë pasqyra financiare është detyrimi ligjor për efekte fiskale. I vetmi detyrim për bizneset bujqësore që të mbajnë kontabilitet dhe të raportojnë pasqyrat financiare është sistemi fiska Mosklasifikimi në vendin e duhur nuk përbën ndonjë gabim me pasoja fiskale dhe rrjedhimisht nuk shtrohet si problem për t`u rregulluar.
  3. Përdorues të tjerë të tyre mund të jenë edhe bankat për të cilat mjafton pjesa e likuiditetit kryesisht më shumë se lloji i pasurisë së njësisë ekonomike.
  4. Gjykimi i profesionistëve shkon edhe më tej për faktin se SKK13 është një prej standardeve i cili njihet më pak, jo vetëm pas përmirësimit por edhe para se të ndryshonte.

Analiza e rezultateve të nxjerra sjell në vëmendje një sërë faktorësh të cilët kanë ndikuar në moszbatimin me sukses të SKK 13 në Shqipëri. Këta faktorë lidhen si me kërkesat teorike të standardit, si metodat për gjetjen e vlerës së drejtë, trajtimi i grandeve dhe kapitalizimi i shpenzimeve, trajtim i padiferencuar i aktiveve biologjike pavarësisht llojit të tyre ashtu edhe me zbatimin në praktikë të tij, si kualifikimi i nevojshëm i mëtejshëm për profesionistët apo mungesa e kërkesave për raportimin si duhet të standardit.

Gjykojmë se përmirësimi i raportimit financiar në njësitë ekonomike realizohet nëpërmjet hartimit të një manuali  në të cilën të jepen në mënyrë të detajuar të gjitha veçoritë e kontabilitetit në bujqësi me qëllim përmirësimin e cilësisë së raportimit për përdoruesit e jashtëm. Në të duhet të përfshihet dhe të përshkruhet gjithë cikli i jetës së aktiveve biologjike në bujqësi dhe në blegtori, me qëllim raportimin sa më të drejtë dhe të besueshëm të vlerave të tyre në datën e hartimit të pasqyrave financiare.

Me hyrjen në fuqi të standardeve u hodh poshtë e gjithë praktika kontabël e mëparshme dhe u zëvendësua vetëm me paragrafë standardesh ndërkombëtare, pa u shoqëruar më një manual për kontabilizimin, vlerësimin dhe raportimin e aktiveve biologjike. Referuar rëndësisë që ka sektori i bujqësisë dhe agroturizmit në vendin tonë, e gjykojmë thelbësore hartimin dhe publikimin e një manuali për aktivet biologjike si një aset të domosdoshëm për profesionistët dhe institucionet gjithashtu.

 

Prof. As. Albana Jupe
Departamenti Financë Kontabilitet, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Dr. Lirola Këri
Departamenti i Kontabilitetit, Fakulteti i Ekonomisë, UT.

Na Ndiqni në: