100-Vjetori i lindjes së Vasil Tagarit, profesorit të njohur të mjekësisë veterinare, u përkujtua në një ceremoni mes pedagogesh/ësh, kolegësh, ish-studentësh e familjarësh të tij, në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, UBT.
Në fjalën e mirëseardhjes për të pranishmit në këtë ceremoni, dekani i FMV, Rezart Postoli përmendi ndër të tjera rolin e rëndësishëm që V. Tagari pati në shkencat veterinare, për pasionin që kishte për punën dhe kërkimin shkencor, për kontributin e madh që ai ka dhënë ndër vite dhe për marrëdhënien e shkëlqyer që prof. Tagari pati me studentet/ët .
Prof. Postoli shprehu mirënjohjen dhe respektin për punën e pakursyer të Tagarit në FMV dhe e cilësoi atë si një frymëzim për breza të tërë.
Një fjalë përshëndetëse në ceremoninë për nder të V. Tagarit mbajti edhe Dr. Agim Nelaj i cili e konsideroi Tagarin si ‘’dekani i dekanëve’’ . Nelaj shtoi ndër të tjera se jeta dhe vepra e tij e vendosin atë në panteonin e personaliteteve më të spikatura të shkencës dhe praktikës veterinare dhe se me profesionalizmin e tij të spikatur, Tagari ka ditur të ndërtojë ura lidhëse me konstitucionin shpirtëror për breza të tërë mjekësh veterinerë deri në ditët tona.
Nelaj përcolli për të pranishmit edhe një prezantim të dhënash e informacionesh për/rreth Prof. Tagarit, ku nuk munguan edhe fotografi nga jeta studentore, ajo si pedagog e dekan i FMV, por edhe nga jeta familjare e tij.
Me përshtypjet më të mira folën për prof. Tagarin edhe ish-dekanë e pedagogë e ish-studentë të tij, të cilët thanë se Tagari meriton të kujtohet me vëmendjen më të madhe jo vetëm nga brezat aktualë por edhe ata që do të pasojnë dhe e cilësuan atë një krenari për të gjithë.
Me impresionet më të mira, si një njeri që do të jetojë gjatë pikërisht për atë që la pas, si një njeri që përveçse pedagog i shkëlqyer ishte edhe një prind i gjendur për studentët dhe si një model i thjeshtësisë dhe urtësisë, të pranishmit në ceremoninë përkujtimore, parashtruan ide e sugjerime për ta lartësuar edhe më tej emrin dhe figurën e shquar të Prof. Dr. Vasil Tagarit edhe në të ardhmen. Ceremonia u përmbyll me fjalën e mbajtur nga vajza e V. Tagarit e cila përcolli emocione të tjera nga jeta familjare dhe roli i babait të saj si një shembull i virtyteve më të mira, pasionit për punën e përkushtimit për familjen e këdo që kishte nevojë.
Cili është Vasil Tagari?
Prof. Dr. Vasil Tagari ka dhënë një kontribut të madh shumëvjeçar në Universitetin Bujqësor të Tiranës në fushën e kërkimit shkencor dhe mësimdhënies, në përgatitjen e specialistëve të rinj, në konsolidimin, modernizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të universitetit.
Ai u lind në Janinë të Greqisë në 21.11.1921 nga një familje minoritare arsimdashëse nga fshati Hllomo të krahinës së Pogonit të Gjirokastrës. Pasi kreu shkollën fillore dhe gjimnazin gjithashtu në Greqi, kthehet në Shqipëri në 1942 dhe në vitin 1946 i jepet e drejta të studiojë për veterinary në Zagreb të Jugosllavisë por 1 vit më vonë, ai vazhdon studimet në Brno të Çekosllovakisë për t’u diplomuar Mjek Veteriner në qershor të 1952. Me një diplomë të veçantë nga mbrojtja e dizertacionit me një punim shkencor, Tagari përfiton edhe gradën e Doktorit.
Në 1952 ai kthehet në Shqipëri dhe emërohet kryeveteriner i rrethit të Sarandës. Më 20 korrik 1954 transferohet në Institutin e Lartë Buqjësor të Tiranës (sot UBT) në Fakultetin e Veterinarisë.
Në vitn 1961 V. Tagari emërohet dekan i Fakultetit të Veterinarisë, detyrë të cilën e ka mbajtur për 22 vjet.
Krahas punës pedagogjike në zhvillimin e lëndës së anatomisë, ai ka udhëhequr edhe studentët për mbrojtje diplomash dhe ka qenë udheheqës shkencor për shumë pedagogë në pregatitjen dhe mbrojtjen e dizertacioneve përkatëse.
Studimet e Tagarit janë pasqyruar në shumë artikuj dhe punime shkencore ndërsa kontributi i tij është pjesë e shumë teksteve dhe dizertacioneve e referimeve.
Për punën e tij si pedagog, punonjës shkencor, drejtues fakulteti dhe për kontribute të tjera jo vetëm në fakultet por edhe për vendin, Tagari është vlerësuar e nderuar me një sërë dekoratash urdhëra pune, çertifikata mirënjohjeje, tituj nderi e shumë të tjera, ndër të cilat edhe titulli “Nderi i Universitetit’’ nga UBT (pas vdekjes).