JACLOU-DL - Pixabay.com

Projeksioni i rajonit kardiak dhe pikat e askultimit të zemrës (Punta maxima) në qen dhe mace

Sistemi kardiovaskular përbëhet nga zemra, gjaku dhe enët gjakore (arteriet, venat, kapilarët). Zemra është një organ muskular i zgavruar që pompon gjakun. Enët gjakore (arteriet, venat, kapilarët) formojnë një sistem të vazhduar dhe të mbyllur, përmes së cilit qarkullon gjaku.

Gjaku shpërndan oksigjen dhe molekula të tjera të nevojshme për metabolizmin normal të qelizës, indeve dhe në kthim transporton produktet qelizore nga indet në mëlçi, veshka dhe mushkëri për metabolizmin dhe ekskrecionin. Enët e gjakut dhe dhomat e zemrës formojnë një kavitet të vetëm, përmes së cilit qarkullon në mënyrë të vazhdueshme gjaku, si rezultat i veprimit pompues (shtytës dhe thithës) të zemrës. Volumi i gjakut në kafshët shtëpiake, përveç maceve, është afërsisht 6 – 8% e peshës trupore. Në mace, volumi i gjakut është rreth 4% të peshës trupore.

Koha e qarkullimit të një qelize gjaku nga vena jugulare në të gjithë trupin, varet  nga madhësia e kafshës, si dhe nga faktorët individualë të ndërmjetësuar nga sistemi neuroendokrin. Në kafshët e mëdha koha e qarkullimit të një qelize gjaku është afërsisht 30 sekonda, ndërsa në mace 7 sekonda.

Gjaku qarkullon në organizëm në sajë të një mekanizmi pompues të zemrës, si rezultat i alternimit midis tkurrjes (sistola) dhe relaksimit (diastola) të miokardit. Gjatë sistolës, fillimisht tkurret atriumi i zemrës që ndiqet nga tkurrja e ventrikujve. Tkurrjes së ventrikujve i duhen rreth dyfishi i kohës së tkurrjes së atriumeve, ku një rol të rëndësishëm për vonesën e tkurrjes së tyre luan nyja atrioventrikulare, e cila garanton një mbushje të plotë të ventrikujve me gjak. Paretet e ventrikujve tkurren pothuajse njëkohësisht me muskujt papilarë, duke parandaluar prolapsin e valvulave në atriume.

Volumi i gjakut, i pompuar nga zemra gjatë sistolës së ventrikujve, njihet si stroke volum. Stroke volum në një qen me peshë 20 kg është afersisht 11 ml gjak dhe në një ditë, deri në 1.5 ton. Sasia e gjakut e hedhur në qarkullim në një minutë, është produkti i volumit stroke me numrin e rrahjeve të zemrës në minutë.

Mbushja e kavitetit të ventrikujve gjatë diastolës së tyre është pasive. Faktorë të ndryshëm influencojnë në kthimin e gjakut në zemër, siç janë ventilimi apo tkurrja e diafragmës.

Zemra klinikisht mund të vlerësohet duke studiuar numrin e rrahjeve dhe ritmin e saj, matjeve të pulsimit arterial, matjeve të presionit të gjakut dhe presionin e venave qendrore. Mbyllja e valvulave prodhon tinguj karakteristikë që mund të dëgjohen me stetoskop. Rajoni i kraharorit në të cilin këto tinguj dëgjohen më qartë njihen si pika me intensitet të lartë – puncta maxima.

Në kafshët shtëpiake, me interes veterinar është njohja e rajonit kardiak dhe pikave të askultimit të vrimave valvolare. Këto janë thelbësore për një ekzaminim korrekt të perkutimit dhe askultimit të zemrës, me qëllim vlerësimin e shtrirjes së rajonit të shurdhësisë absolute dhe relative të zemrës, (në rastet e hipertrofisë së zemrës) si dhe në diagnostikimin e ndryshimeve eventuale të valvulave.

Në specie të ndryshme, vihet re variabilitet në shtrirje të rajonit kardiak dhe që kufiri i tij nuk korrespondon plotësisht me projeksionin e perimetrit të zemrës në murin e toraksit. Rajoni kardiak i përcaktuar topografikisht në këtë mënyrë përbën një zonë referimi për perkutim.

Në karnivorë ndodhet një zonë e shurdhësisë absolute, në të cilën zemra është në kontakt të drejtëpërdrejtë me paretin e majtë të kraharorit. Në mushkërinë e majtë ndodhet një ‘incisura cardiaca‘‘ e shprehur mirë.

Rajoni kardiak në karnivorë është rajoni i shurdhësisë absolute. Kufiri i sipërm është vija horizontale që kalon nga shpina e shpatullës. Kufiri i poshtëm është vija që bashkon gungën e madhe të humerit me procesin xiphoid të sternumit. Kufiri i përparmë është vija vertikale që kalon në brinjën e dytë, ndërsa kufiri i pasëm është vija vertikale që kalon në brinjën e katërt. Rajoni kardiak shtrihet midis hapësirës së 2 – 4 interkostale (fig. 1, 2).

Fig. 1 Fusha e projektimit të zemrës në paretin e kraharorit tek qeni.

Fig. 2 Fusha e projektimit të zemrës në paretin e kraharorit tek macja.

Në qen, zemra mund të askultohet më lehtë se sa në kafshët e mëdha sepse është më pak e mbuluar nga gjymtyra e përparme dhe stetoskopi mund të hyjë thellë në rajonin axillar. Zemra e qenit nuk paraqet ndryshime strukturale sinjifikative, megjithëse në shumë qen mund të jetë vënë re që valvula atriventrikulare e djathtë zotëron vetëm dy fletëza të mëdha.

Vrimat valvolare mund të dëgjohen në mesin e lartësisë së rajonit kardiak. Në anën e majtë dëgjohen vrima pulmonare (hapësirën e 3 ndërbrinjërore), vrima e aortës (më dorëzalisht në hapësirën e 4 ndërbrinjërore) dhe vrima antrioventrikulare e majtë (në hapësirën e pestë ndërbrinjërore). Vrima atriventrikulare e djathtë dëgjohet në anën e djathtë (hapësirën e 4 ndërbrinjërore).

Fig. 3 Pikat e auskultimit (puncta maxima) të vrimave valvolare në paretet e kraharorit tek qeni.

Në mace,  zemra është e mbuluar pak nga gjymtyra e përparme sepse muskuli triceps i supit nuk e kalon më shumë se brinja e katërt. Boshti gjatësor i saj formon një kënd më të ngushtë me sternumin, e cila rezulton me një zonë kontakti sternal më të madhe se tek qeni.

Puncta maxima e valvulës bikuspidale është në lartësinë e artikulacionit të supit në hapësirën e 5 ose 6 ndërbrinjërore. Valvula pulmonare dhe aortike në hapësirën e 2 dhe 3 ndërbrinjërore. Valvula antrioventrikulare e djathtë në lartësinë e artikulacionit të supit, në hapësirën e 4 dhe 5 ndërbrinjërore (fig. 4).

 Fig. 4 Pikat e auskultimit (puncta maxima) të vrimave valvolare në paretet e kraharorit tek macja.

Funksionimi i valvulave kardiake mund të vlerësohet edhe përmes ekzaminimit ekografik. Ky ekzaminim mund të realizohet përmes:

Plani (prerja) i skanimit lehtësisht mbi bazën e zemrës (majtas). Ky seksion siguron vlerësimin ekografik të valvulës pulmunare. AP = arteria pulmonare; Ao = aorta; Asx = atriumi i majtë; Vdx = ventrikuli i djathtë; V. Polmonare = valvula pulmonare.

Plani i skanimit korrespondon me aksin gjatësor të organit (djathtas). Baza e zemrës është poshtë djathtas, apex  lart majtas. Ky seksion vlerëson ekografinë e valvulës mitrale. Asx = atriumi i majtë; MIT = valvula mitrale; SIV = septum interventrikular; Vdx = ventrikuli i djathtë; Vsx = ventrikuli i majtë.

 

Prof. Dr. Pëllumb ZALLA
Departamenti i Moduleve Morfofunksionale, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: