Gjarpërinjtë helmues dhe ata johelmues

1-Gjarpri johelmues e ka beben e syrit të rrumbullakët kurse ai helmues e ka në formë elipsoidi pingul me tokën.

2-Dhëmbët e gjarpërit johelmues janë të barabartë në nofullën e sipërme në dy rreshta, kurse ai helmues ka edhe dy më të mëdhenj 3-6 cm në nofullën e sipërme që quhen çataj dhe duken qartë në pjesën e kashuar.

3-Luspat e bishtit tek gjarpëri helmues janë vendosur në një rresht kurse tek gjarpri johelmues në dy rreshta.

4- Një pjesë e gjarpërinjve helmues që kanë ngjyrat kryesore verdhë e zi, për helmuesit janë një rreth i zi i pasuar nga një i verdhë, ndërsa tek johelmuesit janë dy rrathë të zinj që pasohen nga një i verdhë.

Megjithatë pacienti i pickuar gjithmonë do të trajtohet njëlloj si të jetë pickuar nga një gjarpër helmues.

Pohime dhe të dhëna të rëndësishme për gjarpërinjtë.

Gjarpri është zvarranik me prejardhje nga kafshë të ngjashme me hardhucën. Paraardhësve të tyre mendohet që t’u jetë zgjatur trupi shumë dhe pastaj t’u jenë gërryer këmbët nëpër tokë. Me përjashtim të Polit të Veriut, Polit të Jugut dhe vendeve subpolare, në të gjithë botën hasen rreth 3000 lloje gjarpërinjsh dhe nga këta 400 lloje janë helmues. Nga lloji në lloj trupi i gjarpërinjve mund të ndryshojë, p.sh. disa mund të kenë një trup të trashë me bisht të shkurtër, kurse disa të tjerë variojnë duke u holluar normal nga koka e deri te fundi i bishtit. Edhe madhësia e gjarpërinjve ndryshon shumë, nga 10 cm (gjarpri më i vogël) deri në mbi 10 m që arrn Pitoni (gjarpri më i madh). Është i pavërtetë pohimi i shumë njerëzve se gjarpri më i madh është anakonda me 10 m gjatësi sepse deri më sot askush nuk ka mundur të gjejë një anakondë mbi 9 metra e gjysmë. Gjarpri jeton 10-40 vjet në varësi të llojit ku bën pjesë. Speciet e gjatësive të vogla jetojnë më pak 3-10 vjet kurse të mëdhenjtë, si psh Pitoni, deri 40 vjet. Ai jeton rreth 1 muaj pa ngrënë dhe 1-2 javë pa pirë ujë. Kafka e gjarprit është e ndërtuar në mënyrë të atillë që të jetë sa më e lëvizshme. Nofullat e gjarprit nuk janë si të njeriut, të ngjitura, por, janë vetëm të lidhura ndërmjet tyre dhe  kjo i mundëson gjarprit të hapë gojën shumë. Dhëmbët e rendit të parë tek gjarpëri shërbejnë për kapjen e presë, kurse dhëmbët e rendit të dytë shërbejnë për të bartur prenë deri në laring e më pas në lukth. Meqënëse të gjitha kockat e gojës tek gjarpri nuk janë të lidhura ndërmjet tyre, ai pas çdo kafshimi apo gëlltitjeje të gjahut duhet që të hapë e të mbyllë gojën disa herë që të gjitha kockat të venë në vend.

Dhëmbët gjarpri nuk i ka për të përtypur por për mbajtjen e presë ose në rast se është gjarpër helmues, i ka për të lëshuar helmin. Të gjitha dhëmbët i ka të kthyer nga brenda. Nëse preja (gjahu) mundohet të ikë nga goja e gjarprit, atëherë dhëmbët e gjarprit i hyjnë më thellë në mish dhe nëpërmjet kanalit që përshkruan dhëmbin e tij (si age e shiringave) injektohet helmi i cili në disa raste shërben për ngordhjen e gjahut, në raste të tjera shërben si tretës i ushqimit. Shumica e organeve të brendshme të gjarprit janë të gjatë. Mushkëria e majtë e gjarprit nuk është thuajse aspak e formuar, kurse mushkëria e djathtë mund të shkojë deri në 2/3 e gjatësisë së trupit. Me anën e këtij thesi mushkëror ai mund të qëndrojë për një kohë të gjatë pa frymë (p.sh. kur gjarpri kap prehun shumë të madh dhe ai nuk mund të marrë më frymë me gojë, atëhere ai i ka rezervat e ajrit në thesin mushkëror. Kjo veti e bën atë që të qëndrojë gjatë në ujë pa marë frymë. Tek gjarpërinjtë të cilët jetojnë nëpër lisa, zemra është më afër kokës, në mënyrë që edhe nëse gjarpri zvarritet lart, zemra të mund ta furnizojë trurin me gjak. Gjarpërinjtë të cilët jetojnë në tokë, zemrën e kanë diku pas 1/3 e trupit. Gjarpërinjtë e ujit e kanë zemrën diku në mes të trupit. Kështu kanë mundësi që të qëndrojnë në ujë. Pra, me pak fjal nuk është vrarë një gjarpër nëse i është shkëputur vetëm bishti apo diçka më shumë.

FAKTE RRETH GJARPRIT

Gjarpri femër është më i madh se ai mashkull.

Gjarpërinjtë nuk janë vegjetarianë, ata hanë insekte ose kafshë të vogla dhe shumica prej tyre janë dëmtues si psh minjtë, brumbujt etj.

Ai ha vetëm kur është i uritur , ka raste që rri edhe muaj pa ngrënë.

Gjarpri e ka kohën e çiftimit në pranverë (prill-maj) pasi ka zbritur nga malet ku fillon të shkrijë dëbora, pjell zakonisht çdo vit vezë/ disa lloje gjarpërinjsh pjellin këlyshë 13-15 cm me peshë rreth 2 g.

Koha e pjelljes është zakonisht vjeshta. Shumica e gjarpërinjve e arrijnë pjekurinë seksuale në moshën 4-vjeçare dhe janë më agresivë gjatë sezonit të shumimit.

Të gjithë llojet e tyre mund të notojnë për bukuri dhe pickimi prej tyre në ujë është njëjtë i dëmshëm si pickimi në tokë.

Llojet e gjarpërinjve që jetojnë në Shqipëri

Në Shqipëri njihen rreth 18 lloje gjarpërinjsh por jam i sigurtë se ka akoma me tepër se kaq duke marë parasysh që midis llojeve ka edhe nënlloje. Ata e kafshojnë njeriun vetëm kur janë të detyruar ta bëjnë këtë për vetëmbrojtje. Shumë njerëz nuk e kanë idenë dhe nuk dinë të dallojnë gjarpërinjtë helmues nga ata të padëmshëm Më poshtë po rendisim specie që jetojnë në vendin tonë.

Ndihma e pare në rast kafshimi ;

1-Largojmë menjëherë të pickuarin nga gjarpëri, nga gjymtyra e pickuar i hiqen unaza , byzylykë etj, shpëlahet vendi i kafshimit me ujë të bollshëm e sapun.

  1. Identifikohet gjarpëri me anën e telefonave celular apo aparateve të ndryshme të bëjmë video/foto të gjarpërit duke rrezikuar sa më pak veten tonë.

3- Mbulohet vendi me një beze, dhe bëhet lidhja e krahut ose këmbës së pickuar rreth 3-4 cm mbi pickim dhe shtrëngohet aq sa të hyjë lirisht një gisht mes krahut dhe bendes lidhëse. Lidhja e gjymtyrëve bëhet vetëm kur ajo mund të jetë nën pozicionin e zemrës .

-Dërgimi me shpejtësi në ambulancë .

KUJDES!

-Mos tento të çash më tepër plagën dhe të thithësh helmin , sepse vërtet që helmi të vdes kur ka kontakt me gjakun , por ti mund të kesh ndonjë plasaritje të mukozes së gojës ose ulçeracion dhe nga shpëtimtar këthehesh në viktimë .

-Mos përdorni akull apo kompresa të ftoha. Aplikimi akullit për një periudhë të gjatë në vendin e pickuar dëmton indet e shëndetëshme qoftë dhe aplikimi për një periudhë të shkurtër rrezikon pasi disa ekspertë mendojnë se efekti i helmit rritet ndjeshëm kur has në temp të ftohtë.

-Mos i jep ushqim, alkool, kafe,çaj ,duhan etj të pickuarit nga gjarpëri.

-Mos përdor pomada të ndryshme në plagë.

-Gjarpërin e sapo vrarë siguroje mirë duke e mbyllur në një kuti apo kavanoz dhe duke e mbajtur larg sepse ndodh që dhe që dhe të pickojë në mënyrë reflektore (vertet shumë rallë por ndodh) .

Meqënse gjarpëri është kafshë e tokës veç serumit anti-vipera duhet që plaga të quhet e molepsur dhe nga bacilli i tetanozit dhe mikrobe të tjera , pra në mjekim këto duhet të meren parasysh.

Parandalimi prej pickimit

Mënjano ecjen në muzg e zhveshur nëpër të çarat e shkëmbinjve, apo afër shkureve apo pirgjeve me gurë në vendet ku ka lëvizjë gjarpërinjsh.

Mos fli përtokë nëse mundesh dhe kontrollo gjithçka nën objektet afër, para se të flesh në tokë. Përdor preparate që largojnë gjarpërinjtë ( si psh V.S.R) rreth shtëpisë, vilës, tendave staneve të bagëtive në mal etj, këto preparate kanë si përbërës kryesorë squfurin,kamforën etj dhe shiten në farmacitë veterinare e bujqësore.

Masë tjetër është dhe luftimi i minjve në shtëpinë tuaj i cili është ushqimi kryesor që tërheq gjarpërinjtë.

Në të gjitha rastet kur dyshoni se jeni pickuar nga gjarpëri por nuk jeni të sigurt pasi nuk mundët të shihni apo kapni gjarpërin, mos neglizhoni por paraqituni tek klinika më e afërt për të marrë ndihmën e duhur nëse do të jetë e nevojëshme.

Artikulli u soll për revistën “Mjekësia Veterinare Shqiptare” nga Dr Mjek Veteriner Arben Qafëzezi.

Na Ndiqni në: