Kuajt, si edhe llojet e tjerë të kafshëve komunikojnë përmës sinjaleve dëgjimore, vizive dhe olfaktore. Kuajt i transmetojnë mesazhet me anë të thirrjeve që lëshojnë, pozicionimeve të trupit dhe sinjaleve olfaktive.
Ndër komunikimet vokale më të zakonshme të kuajve përmenden:
Hingëllima; thirrje që merr rëndësi në ruajtjen e kohezionit të tufës, dëgjohet kur meshkuj të rritur ose një pelë me mëzin janë veçuar nga njëri-tjetri; konsiderohet thirrje rreziku që individualisht vetëm femra mund t’i dallojë, ndërsa mëzi jo; mund të orientohen edhe ndaj pronarëve.
“Nicker”; thirrje e butë që shpreh sjelljen e dhënies apo kërkimit të kujdesit/ndihmës; jepet nga pela për mëzin në takimin e parë të tyre; mund të lëshohet edhe ndaj stallierit që e ushqen kalin ose edhe nga një hamshor ndaj pelës në estrus.
Hungërima; vokalizim me amplitudë të lartë e një hamshori drejtuar një pele.
Turfullima; nëse është e mprehtë konsiderohet një thirrje alarmi, më të zgjatura ose në formë teshtitjeje shprehin frustracion të një kali që mbyllet në stallë pas galopimit apo gjatë punës së detyruar.
Piskama; thirrje mbrojtëse ose në përgjigje të dhembjes. Dëgjohet kur kuajt janë duke formuar hierarki dominance e për pasojë shkëmbehen shumë kafshime; ose nga femrat jo në estrus që lëshojnë piskama dhe godasin ndonjë hamshor që mund t’u afrohet shumë pranë.
Komunikimi viziv realizohet përmes pozicionimeve të pjesëve të ndryshme të trupit.
Veshët e kalit janë mbase treguesi më i mirë i emocioneve të tij. Kali kur shfaq interes ndaj ndonjë objekti e sheh atë direkt dhe i mban veshët drejtuar përpara, pasi kuajt tentojnë t’i pozicionojnë veshët nga i njëjti drejtim nga edhe shohin. Ky mund të jetë kyçi për të kuptuar, nëse kali ka frikë ndonjë objekt. Kalorësi mund ta kuptojë objektin së cilit kali i druhet duke vëzhguar drejtimin e veshëve të tij.
Veshët e drejtuar prapa shprehin agresivitet (Fig. A) dhe kur ata shtrihen plotësisht pas kokës, japin pamjen më agresive të kalit. Përveç veshëve, për të shprehur agresivitet këmba e parme zgjatet para dhe bishti tendoset pas. Zakonisht para blerjes së kuajve kërkohen veterinerët për të ekzaminuar shëndetin e tyre. Nëse gjatë kontrollit ata reagojnë ashpër e madje edhe nqs shtrijnë veshët pas kokës gjatë vënies së shalës, mund të mos jenë ekzemplarë të rekomandueshëm, ndonëse fizikisht mund të jenë plotësisht të shëndetshëm.
Një kalë i nënshtruar i ngre veshët lart me hapje anash, fut bishtin mes këmbëve, ndërkohë që hap e mbyll gojën duke tërhequr buzët e kërkëllitur dhëmbët (Fig. B). Kjo pamje kaq dramatike vërehet kryesisht te mëzat e rinj apo te pela me mëzin e porsalindur gjatë afrimit të një hamshori.
Fig. A. (majtas) Pozicionimi i një kali agresiv. Veshët janë të shtrirë pas koke dhe kali shkelmon me këmbën e përparme, ndërkohë që bishti i lëkundet. Fig. B. (djathtas) Pozicionimi i një kali të nënshtruar me veshët që ngrihen lart me hapje anash, bishtin që futet mes këmbëve.
Kur kali i kthen veshët anash dhe me hapje mbrapa, ai është duke parë anash. Kali mundet të shohë një zonë të gjërë anash kokës dhe e ka të ngushtë zonën e errët pas kokës që nuk kontrollon më shikim. Gjatë kohës që kullot, kali sheh mirë në të gjithë drejtimet dhe e kupton lehtësisht nëse i afrohet ndonjë rrezik. Mendohet se kuajt shohin me ngjyra dhe munden të dallojnë të kuqen dhe blunë, por jo jeshilen dhe grinë.
Një kalë që e sheh ushqimin, por nuk arrin ta marrë dot ose që është në pritje të ushqimit, kryen lëvizje përtypëse dhe nxjerr jashtë gjuhën (Fig. C). Ndërkohë që më e vështirë është të dallohet një kalë, kur ai vuan. Nëse një kalë është shumë i lodhur ose i dhemb diçka, buzët do të jenë të varura, të çlirëta, por muskujt e faqeve do jenë të shtrënguara. Kur ai ka dhembje shumë të forta barku, e godet barkun e vet dhe ngre veshët herë pas here lart prapa.
Kali agresiv, ndërsa kërcënon të shkelmojë, fshikullon bishtin dhe mund të ngrejë edhe një nga këmbët e pasme. Ndërkohë që kali i frikësuar fut bishtin thellë mes këmbëve të pasme dhe qëndron me këmbët e bashkuara fort. Nëse kali ka dhembje, shihet qartë kontraktimi i muskujve. Nëse ndiqen disa pela mund të urinojnë e meqë është diçka e rrallë nuk duhet ngatërruar me urinimin e pelave në estrus. Hamshori kur i afrohet pelave të tij ka një pamje unike: zhvendohet me kujdes, nuhat, ecën me kokën të ulur poshtë gati duke prekur tokën dhe veshët i mban të ngjeshur fort pas koke, ç’ka njihet si sjellja e ndjekjes.
Nëse kuajt godasin tokën me thundra nuk shprehin agresion por frustracion, sidomos kur ata duan të kullotin apo të ecin në galop dhe pronarët i mbajnë nën fre.
Pela seksualisht receptive shfaq një ekspresion unik mating face (fytyrën e çiftimit) me veshët e ngritura prapa dhe buzët që i varen lirisht (Fig. D).
Fig. C. (majtas) Kalë në pritje të ushqimit; Fig. D. (në qendër) “mating face” e femrës; Fig. E1. dhe E2. (djathtas) Përgjigjja flehmen e mashkullit ose “qeshja e kuajve” me buzën e sipërme të përveshur ku me shigjetë tregohet pozicionimi i organit vomeronazal.
Olfaksioni
Komunikimi me anë të nuhatjes luan një rol shumë të rëndësishëm sidomos në sjelljen seksuale të kuajve. Kur hamshorët nuhasin urinën e një femre, ata përveshin buzët në pozicionin flehmen ose “qeshja e kuajve” (Fig. E1 dhe E2). Pasi mashkulli e kontrollon urinën duke futur buzën në të, pozicioni flehmen e dërgon urinën në kavitetin nasal. Kur buzët janë të përveshura në pozicionin flehmen, flegrat e hapura bllokohen pjesërisht dhe kali duke marrë frymë thellë e shpie urinën në organin vomeronasal. Informacioni nga organi vomeronasal transmetohet direkt në hipotalamus, domethënë transmetohet më shumë informacion nëpërmjet traktit aksesor olfaktor sesa në rrugën e sistemit olfaktor kryesor. Urina estrale nuk shkakton më tepër episode flehmen tek hamshorët sesa ajo anestrale, por frekuenca e flehmen nga një mashkull drejt një femre të veçantë në tufën e tij rritet kur ajo i afrohet estrusit, mbase sepse femra në estrus urinon më shpesh.
Ndonëse përgjigjia flehmen shfaqet nga meshkujt, edhe femrat apo meshkujt e kastuar reagojnë në përgjigje të stimujve olfaktivë apo gustatorë. Flehmen mund të shkaktohet edhe nga përdorimi i ndonjë ilaçi apo edhe ndonjë kafshim i fortë, gjë që kuptohet që nuk është shenjë zbavitjeje. Gjatë kohës që shfaqin përgjigjen flehmen, hamshorët gjithashtu edhe urinojnë, markojnë e lënë shënja.
Për të gjetur rrugën e kthimit, kuajt nuhasin jashtëqitjet e tyre apo të kuajve të tjerë. Hamshorët e egër për të lënë gjurmë e për të markuar përdorin grumbujt e plehut përgjatë rrugës së tyre. Këta grumbuj mund të shërbejnë edhe për të ndarë tufat e kuajve në hapësirë dhe në kohë.
Prof. Asoc. Dr. Doriana Beqiraj
Departamenti i Moduleve Morfofunksionale