Photo: krzys16 - www.pixabay.com

500 fermerë në Fier, kontrata ekskluzive për eksport në Austri të trangullit Kornishon

500 fermerë në qarkun e Fierit prodhojnë trangull “Kornishon” ekskluzivisht për eksport në Austri, mbi bazën e kontratave paraprake.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, solli shembullin e kompanisë “Vegetal”, që në dy vite është shndërruar në një sipërmarrje suksesi falë vizionit të qartë dhe një pune të pandalshme për të pasur sukses në biznes e në bujqësi.

Krifca tha se, “kryefjala e suksesit në këtë kompani është bashkëpunimi. Ndryshe ky njihet si model ‘contract farming’”.

“Fermerët, – tha Krifca, – janë të parakontraktuar për të prodhuar kastravecin kornishon/turshi i cili do të blihet me një çmim të dakordësuar nga kompania në prodhim. ‘Vegetal’ i jep farën dhe fidanin fermerit dhe më pas grumbullon dhe eksporton të gjithë produktin në Austri”.

Krifca tha se kompania po kërkon të zgjerohet më tej, pasi “Kornishon” jep rendiment të mirë dhe fitimin e kërkuar.

“Fermerët që takoj në fabrikë por dhe në ferma që mbjellin këtë kulturë ma lavdërojnë bashkëpunimin me Vegetal. E dinë prej fillimit sa fitim do marrin në sezon nëse punojnë mirë e me cilësi. Kanë bashkëpunim me katër agronomët e kompanisë të cilët ndjekin çdo problematikë në terren që prodhimi të jetë me cilësi dhe rendiment të lartë. Kështu arrijnë fitimet e synuara të gjithë, dhe fermerët dhe kompania”, – tha Krifca.

Ajo informoi se AZHBR e ka mbështetur këtë sipërmarrje me makineritë e seleksionimit dhe kalibrimit, procese të cilat ishin domosdoshmëri për t’u mekanizuar.

“Nëse kalon në autostradën e Fierit, ditën ose natën, qendra është e hapur. Brenda ka drita. Stafi punon, fermerët janë duke zbrazur furgonët dhe kamionçinat me mall. Këtë vit parashikohen 6000 tonë eksport. Janë në rrugë të mbarë. Ndjehet prej autostradës zhurma e punës dhe suksesit”, – u shpreh drejtoresha e AZHBR-së.

 

Burimi: ata.gov.al

Na Ndiqni në: