Rreth 30 vite më parë agronomi specialist, Ruzhdi Koni, do të niste biznesin e tij të shit-blerjes së fruta- perimeve në Maminas, duke përdorur si pikë grumbullimi ish-magazinat e kooperativës të sistemit që lamë pas, pa e ditur se sot do të ishte një nga fermerët sipërmarrës më të suksesshëm jo vetëm të zonës por edhe në mbarëvendin. I është dashur të punojë fort dhe me përkushtim për të arritur aktualisht standartet më të larta në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë dhe jo vetëm.
Kompania AgroKoni ka si objekt të saj kultivimin, tregtimin dhe eksportin e produkteve bujqësore. Ajo është kompania e parë në Shqipëri, që nisi tregtimin e fruta-perimeve duke plotësuar standardet bashkëkohore, ku mund të përmendim ndarjen e produkteve dhe seleksionimin e tyre sipas cilësisë dhe madhësisë si dhe ambalazhimin në arka kartoni (sipas kërkesave bashkëkohore për ruajtjen e mjedisit), një ndër risitë e përqafuara dhe implementuara fillimisht në tregun vendas e më pas në tregjet e eksportit që prej vitit 2001.
Ruzhdiu kujton se ishin vitet e hershme ‘90 ku bashkë me ndryshimin e regjimit, ai nisi aktivitetin e tij në sektorin bujqësor, dhe me kalimin e viteve, falë shërbimit tepër cilësor ofruar nga AgroKoni, suksesi ka qenë dhe vazhdon të jetë në nivelet më të larta.
Ai, si një nga prodhuesit lider të fidanëve në vend me njohuri të mëdha në sektorin e bujqësisë, tregon se ky vit ka qenë një ndër më të suksesshmit përsa i përket prodhimit dhe eksportit të produkteve bujqësore. Kompania e tij deri tani ka arritur të eksportojë, vetëm këtë sezon, mbi 150 kamionë ose rreth 3000 ton shalqinj, një rezultat rekord ky i cili ndër të tjera flet edhe për përkushtimin e treguar.
“Si kurrë ndonjëherë”, – rrëfen Ruzhdiu, “viti 2021 ka qenë tepër i suksesshëm në këtë drejtim, pasi kemi siguruar një eksport të katërfishtë të këtij produkti”.
Kompania AgroKoni eksporton shalqi kryesisht në vendet balltike, siç është Lituania, vend me të cilin operon prej 10 vitesh. Gjatë bisedës me të, mësojmë se varitetet e shalqirit që kultivohen në fermën e tij janë të ndryshme. Varietet shumë i preferueshëm për shembull është ai Crimson. Gjithashtu Koni na tregon se edhe preferencat e vendeve të ndryshme për këtë lloj produkti gjithashtu janë të ndryshme edhe në përmasa. Kështu psh, Polonia preferon shalqinj me peshë nga 4-6 kg, Lituania 6-12 kg, ndërsa Kroacia preferon shalqinj mbi 12 kg.
Një ndër metodat efikase të mbjelljes së shalqirit, është edhe ajo që njihet si “mbjellja në tunel”, pra mbjellja me plastmasë. Por që të ketë më shumë hershmëri, si rrjedhojë më shumë eksport e të ardhura, gjatë këtij viti, AgroKoni kreu me sukses testimin e kultivimit të shalqirit në serrë. Ruzhdiu tregon edhe disa nga avantazhet apo benefitet e prodhimit të shalqirit në serra: Në krahasim me mbjelljen tradicionale me tunele plastmasi, mbjellja në serra krijon kushte më optimale për rritjen dhe zhvillimin e bimës; realizohet hershmëri 10-15 ditë më herët dhe eksporti i produktit mund të fillojë të paktën 10 ditë më herët; sigurohet furnizimi i tregut vendas deri në 20 ditë më herët duke patur parasysh që tregu vendas në muajin maj, që në 10- ditëshin e parë furnizohet nga importi dhe kryesisht nga Kreta.
Pasi vizitojmë magazinat e kompanisë AgroKoni në qendër të Maminasit, me një kapacitet prej 8 trailerash dhe ku gjenden 4 dhoma frigoriferike rreth 400 metër kub, i drejtohemi fermës së kompanisë Agro Koni në Koxhasë, po në Maminas.
Falë një pune tepër cilësore janë serrat moderne ku prodhohen të gjitha llojet e fidanëve të perimeve. Në këto serra mund të gjesh fidanë speci, domateje, trangulli, shalqiri, pjepri, qepe, fidanë të lulelakrës, brokolit, lakrës e shumë e shumë të tjera.
Në fidanishte njihesh më nga afër edhe me procesin e shartimit të bimës, për të cilën Ruzhdi Koni shpjegon se është mënyra më e mirë për të ruajtur produktin nga sëmundjet rrënjore, duke patur parasysh edhe problemet që tokat kanë me infeksione të ndryshme dhe që dëmtojnë bimën. Po nga Ruzhdiu mësojmë se mund të shartohet speci, shalqiri, kastraveci, pjepri, domatja, patëllxhani, etj.
Ai shpjegon më tej se shartimi i bimës është një proces mjaft i rëndësishëm dhe tashmë është kthyer në një tendencë e bujqësisë bashkëkohore, kjo edhe për shkak të “lodhjes” së serrave në vend.
Një sërë varietetesh prodhohen dhe tregtohen nga Agro Koni në të gjithë Shqipërinë, në Ballkan e më gjerë. Të suksesshme kanë rezultuar për fermerë të ndryshëm në mbarë vendin dhe jo vetëm varietete të tilla si domate CHEROKE F1 dhe LOBELLO F1; domatja ADRIATIKA F1 e cila dallohet për ngjyrën, ka super hershmëri, rendiment dhe shije të mrekullueshme; domatja OQEANO F1; speci MANKAP F1 apo kastraveci TRIUNF F1 e çdo lloj varieteti tjetër që trajtohet nga Agro Koni.
Të tilla rezultate e të tilla suksese dhe kërkesa e tregut sollën rreth 7 muaj më herët domosdoshmërinë e krijimit të një tjetër serre në këtë fermë. Një ambient i tillë u mundësua edhe me mbështetjen e AZHBR dhe Programit IPARD II, të serrës më sistem ngrohjeje për prodhimin e fidanëve perimorë, një serrë vertetë ultramoderne.
Ruzhdiu, së bashkë me djalin e tij, Bleis Koni, menaxhojnë këtë fermë prej së cilës furnizohen me fidanë, fermerë nga e gjithë Shqipëria. Serra e re është e pajisur me një sistem digjital ngrohjeje, ventilimi, ujitjeje me karel lëvizës, ekran termik, plastmas dhe çdo element tjetër që përmban një serrë në vendet e Bashkimit Europian.
Sipas Konit janë mijëra fermerë që furnizohen nga kompania së tij. Serrat për fidanishte arrijnë një sipërfaqe prej 18 000 metrash katrorë, ndërsa serra eksperimentale prej 6000 metra katrorë, përdoret për testimin e varieteteve të reja para hedhjes në treg. Ruzhdiu thotë se ka në plan të ndërtojë edhe një tjetër serrë me një sipërfaqe 4000 metra katrorë. Ambiciet e tij profesionale synojnë të arrijnë gjithnjë e më tepër teknologjitë më precize dhe më të avancuara për rritjen e fidanëve dhe një gjë e tillë do të çojë më pas edhe në prodhime më cilësore.
Puna e deritanishme dhe rezultatet e arritura në prodhimin e fidanëve nga gjigandi AgroKoni, si dhe teknologjia e përdorur, janë tashmë një garanci e madhe për fermerët por edhe për konsumatorin gjthashtu.
Një pjesë e suksesit të arritur deri më tani nga Ruzhdi Koni, ka qenë edhe largpamësia e tij, implementimi i metodave për të cilat shumëkush mund të ketë qenë skeptik në efikasitetin e tyre apo dëshira për të prodhuar cilësi e për të gjeneruar besim tek fermeri dhe konsumatori po ashtu. Në këtë drejtim ai ishte pionieri i prezantimit në Shqipëri të metodës së pjalmimit me bletë. Kjo metodë e aplikuar kryesisht 5-6 vitet e fundit synon përdorimin në bujqësi të bletëve pjalmuese (bombus terrestris) për pjalmimin e kulturave. Përdorimi i tyre stimulon një prodhimtari organike pasi eleminon përdorimin e hormoneve në bimë. Këto lloj bletësh falë pjalmimit të tyre garatojnë ndër të tjera frutifikim të qëndrueshëm. Bletët pjalmuese sigurojnë pjalmim 100 % të luleve, minimizojnë kostot e prodhimit, sigurojnë cilësi më të lartë të frutave, eleminojnë një sërë sëmundjesh, dhe për më shumë eliminojnë totalisht përdorimin e hormoneve në pjalmim.
Ruzhdi Koni thotë se për të përfshirë një teknologji të re dhe për ta bërë atë realitet, asnjëherë nuk është e lehtë por duhen parë përfitimet përkatës. “Përdorimi i bletës pjalmuese në serra duke zëvendësuar përdorimin e hormonit, padyshim rrit standartin e perimeve tona por i bën ato edhe me të sigurta për konsumatorin”– shpjegon Koni.
Kompania AgroKoni ka si ekskluzivitet, bashkëpunimin me kompaninë e njohur japoneze “Sakata”. Gjithashtu bashkëpunon me kompaninë italiane “Esasen”, me kompani izraelite por gjithashtu me kompani nga shumë vende të botës.
“Nëse do të kërkoni fara cilësore dhe të zgjedhura, fidanë të çertifikuar sipas standarteve europiane, nëse ju nevojitet asistencë teknike në sektorë të ndryshëm të bujqësisë apo nëse dëshironi të siguroni eksport për në vende të BE, nëse kërkoni shumëllojshërmi dhe cilësi, mjafton të shkoni në AgroKoni apo të komunikoni me përfaqësues të saj. AgroKoni, lehtësisht e aksesueshme, ofron për fermerin dhe konsumatorin gjithashtu produkte të garantuara dhe siguri ushqimore maksimale.” – Rruzhdi Koni, President i AgroKoni.
Përgatiti: Alma Janka
Ruzhdiu ka meriten qe duke e filluar nga zero arriti te ngreje hap pas hapi dhe te krijoje nje kompani agrobiznesi si Agro Koni e cila eshte pa dyshim nder me te suksesshmet ne Shqiperi persa i perket standarteve te cilesise se produkteve te saj (fara, fidane, prodhimet e fruta-perimeve) dhe teknologjise bashkekohore qe zbaton, dhe kjo fale perkushtimit, seriozitetit dhe vizionit te Ruzhdiut.