U zhvillua në ambientet e UBT-së, ceremonia e ndarjes së çertifikatave për menaxherët e eksportit. Pas frekuentimit të një programi 9-javor, 35 studentë të programit Master, Bachelor dhe përfaqësues të sektorit të eksportit, u çertifikuan për të ofruar shërbime këshillimi për bizneset në sektorin bujqësor që dëshirojnë të eksportojnë në tregje me vlera të larta.
Bizneset dhe eksportuesit shqiptarë që kanë nevojë për menaxherë dhe forcë pune të kualifikuar në fushën e eksportit, tashmë kanë mundësinë të punësojnë menaxherë të trajnuar profesionalisht në këtë aspekt. Me mbështetjen e RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, 23 studentë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe 12 përfaqësues nga kompanitë e eksportit të fruta- perimeve iu nënshtruan një trajnimi të posaçëm 9-javor për menaxhimin e eksportit.
Köstinger Consulting me qendër në Austri zhvillon për herë të parë këtë program në Shqipëri. Ky program synon zhvillimin e mundësive për vende pune për të rinjtë në NVM-të shqiptare që dëshirojnë të rrisin biznesin e tyre sa i takon eksportit dhe që kanë nevojë të përdorin njohuri dhe aftësi specifike për këtë fushë në kompaninë e tyre. Gjithashtu programi synon të stimulojë dhe rriti aftësitë tek punonjësit ekzistues të eksportuesve për të përmirësuar praktikat në menaxhimin e eksportit.