UN Women, FAO dhe Bashkëpunimi Italian prezantuan, më datë 10 shkurt 2021, një iniciativë tre-vjeçare që do të kontribuojë në fuqizimin e grave rurale në Shqipëri dhe do të forcojë rolet dhe kontributin e grave në zhvillimin rural.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Programi Gjinor Rural dhe Turizmit (GREAT) do të zbatohet në rajonet e Shkodrës, Vlorës dhe Gjirokastrës, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të grave rurale dhe komuniteteve të tyre duke rritur të ardhurat e tyre nëpërmjet punësimit.
Kontributi i grave në bujqësi në Shqipëri është jetik, me 54 përqind të grave të punësuara në këtë sektor. Sidoqoftë, një kontribut i tillë shpesh mbetet i padukshëm për shkak të niveleve të larta të informalitetit, i cili shpesh i lë ato pa mbrojtje ose përfitime shoqërore.
“Fuqizimi i komuniteteve rurale me mundësi të përshtatshme ekonomike kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, për sa kohë që përpjekje të tilla i vendosin gratë rurale në qendër të vëmendjes si agjente të ndryshimit”, thotë UN Women në Shqipëri, Michele Ribotta.
Programi do të synojë të zhvillojë kapacitetet e grave rurale për të zhvilluar biznesin e tyre, për t’u vetë-organizuar dhe regjistruar si grupe lokale dhe për të përmirësuar mundësinë e tyre të financimit. Njëkohësisht, GREAT do të mbështesë bashkitë e synuara për t’i dhënë përparësi dhe për të promovuar bizneset e grave rurale, turizmin rural dhe zhvillimin e zinxhirit të vlerës.
“Ky është një udhëtim që ne jemi krenarë të fillojmë së bashku me UN Women, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe FAO! Qëllimi ynë është të ndihmojmë në rritjen e sipërmarrjes së grave në bujqësi, duke mbështetur fuqizimin e tyre dhe, në të njëjtën kohë, zhvillimin social, ekonomik dhe turistik të zonave të synuara”, – thekson ambasadori italian në Shqipëri Fabrizio Bucci.
Programi GREAT u zhvillua bazuar në nevojat e identifikuara nga UN Women dhe FAO në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pas rekomandimeve të studimeve të ndryshme dhe vlerësimeve të ndërmarra nga këto njësi.
Përshtati Erald Lamja, UBgreen.al