Ulliri në Shqipëri – Praktikat e mira të ullirit që nga fusha e deri në tavolinë dhe zinxhiri i vajit të ullirit

Nuk mund të përftohet një vaj ulliri me cilësi të mira organoshqisore kur përpunohet nga ullinj të cilësisë të dobët. Një gjë e tillë nënkupton që nëse dëshirojmë të përftojmë një vaj me karakteristika të mira, duhet pasur kujdes në momentin e vjeljes, trasportit, kohës së ruajtjes së frutit, përpunimit të tij dhe duhen respektuar kushtet e ruajtjes.

Faktorët që ndikojnë në cilësinë e frutit në fushë janë:

  1. Varieteti
  2. Koha e vjeljes (Indeksi i pjekurisë)
  3. Medotat e vjeljes
  4. Trajtimi pas vjeljes së ullirit

Faktorët që ndikonë në procesin e përpunimit të frutit:

  1. Lloji i mullirit
  2. Menaxhimi i fabrikës
  3. Ruajtja e vajit të ullirit

 

  1. Varieteti

Varieteti i ullirit ndikon në cilësinë dhe sasinë a vajit të ullirit. Mesatarja e përmbajtjes së vajit në frut me pjekuri të plotë, varion nga 10 deri në 25 % të peshës së freskët. Sasia e antioksidantëve natyralë që gjenden në vajin e ullirit është i ndryshëm në varësi të varietetit.

Varietetet më të rëndësishme të kultivuara në Shqipëri janë:

– Kalinjot

– Kokërmadh i Beratit

– Ulliri i Bardhë i Tiranës

Gjithashtu varitete të tjera të rëndësishme janë: Frenku, i Holli i Himarës, Kotruvsi, Mixani, Nisjoti, etj.

Më shumë se 70% e sipërfaqes së kultivuar me ullinj është e mbjellë me ullinj për vaj ndërsa pjesa tjetër është e mbjellë me ullinj tavoline.

  1. Koha e vjeljes së ullinjve

Koha optimale e vjeljes së ullirit është një diskutim i vazhdueshëm tek ullishtarët, pasi ndikon në rendimentin e prodhimit, aromës dhe cilësisë së vajit, në sasinë e vajit që gjendet në frut si dhe në ngjyrën e tij.

Koha e më e mirë është koha kur përftohet sasia më e madhe e vajit me një cilësi të lartë. Momenti i vjeljes së frutit fillon kur ngjyra e frutit të ullirit sapo ka filluar të kalojë nga jeshilja në të zezë.

Në përgjithësi sasia e vajit në frutin e ullirit rritet me rritjen e tij dhe mbetet e qëndrueshme kur fruti arrin madhësinë maksimale. Rendimeni i vajit rritet me rritjen e pjekurisë së frutit për shkak të dehidratimit të ullirit.

Ashtu si çdo pemë frutore, fruti i pjekur i ullirit është më i ëmbël dhe më frutor për shkak të rritjes së disa komponentëve kimikë që gjenden në fruta të tilla si alkooholet, esteret dhe aldehidet.

  1. Mënyrat e vjeljes së frutit

Vaji i ullirit në frut gjendet në kushte perfekte por ndryshimet në cilësinë e tij ndodhin gjatë procesit të ekstraktimit.

Ekzistojnë disa metoda të vjeljes së ullirit; metoda tradicionale dhe ajo mekanike

  1. Metoda Manuale

Vjelja me dorë e ullinjve është mënyra më e mirë por kjo metodë vjeljeje është shumë e kushtueshme dhe kërkon kohë.

  1. Metoda Mekanike

Kjo medotë e vjeljes realizohet më shpejtë dhe brenda një kohe më të shkurtër. Për të patur një vjelje sa më cilësore duhet të merren parasysh këto çështje:

-Të përdoren rrjetat plastike (Fig 1 a&b) për të evituar çdo kontakt të frutit me tokën;

-Nuk duhet që gjatë vjeljes pema të goditet (Fig 2) pasi dëmtohen degët prodhuese të vitit të ardhshëm;

-Nuk duhet asnjëherë që të përzihen frutat e vjela direkt nga pema me ato rreth kurorës, pasi këto të fundit mund të shkaktojnë procese fermentuese negative për cilësinë e vajit.

Figura 1 (a dhe b). Përdorimi i rrjetave gjatë kohës së vjeljes së frutit të ullirit.

Figura 2. Vjelja e gabuar e ullirit

  1. Ruajtja e ullirit pas vjeljes

– Frutat ruhen në kosha (Fig. 3) ose arka plastike të ajrosura. Duhet të evitohet përdorimi i qeseve (Fig. 4), kryesisht i atyre qeseve të mëdha prej najloni;

– Duhet të bisedohet me prodhuesin përpara se të transportohen për të evituar pritjen e gjatë

– Preferohet që ullinjtë të ruhen në kontenierë plastikë për një kohë jo më shumë se 48 orë

-Të ruhen në vende të pastra dhe të ajrosura dhe të mos ekspozohen në diell apo në shi

Figura 3. Ruajta e frutit të ullirit në kosha të ajrosur

Figura 4. Metoda e gabuar e ruajtes dhe transportimit të ullirit në qese plastike

Vëmendje:

Fermentimi i frutave që nga momenti i vjeljes deri në momentin e bluarjes mund të dëmtojë seriozisht cilësinë e vajit të prodhuar, duke ulur çmimin në treg.

  1. Procesi i përpunimit të ullirit

2.1. Lloji i Mullirit

Ekzistojnë dy metoda përpunimi për ekstraktimin e vajit të ullirit:

  1. Metoda Tradicionale (Me Presim) (Fig.5 dhe 6)
  • Avantazhet: Përdorim i ulët i energjisë; prodhon bërsi më të thatë; nuk kërkon shtesë uji;
  • Disavantazhet: Operon me linjë të nderprerë; ka kostro të lartë dhe fuqi punëtore të ulët; vaji është në kontakt me oksigjenin e ambientit (shkakton oksidimin e vajit);
  • vështirësi për pastrimin e disqeve filtruese

Figura 5 dhe 6. Ekstraktimi i vajit me presim

  1. Metoda Moderne (Ekstraktimi i vajit me linjë të vazhduar) përdorimi i dekanterit (Fig 7 dhe 8).

Avantazhet: Operon me linjë të vazhduar me kosto të ulët pune dhe krah pune me produktivitet të lartë; kërkon hapësirë të vogël; ekstraktimi zhvillohet me kohë të shkurtër dhe kjo ul rrezikun nga oksidimi; pastrohet lehtë; nuk përdoret filtër.

Disavantazhet: Prodhon ujëra vegjetative me sasi të lartë; ul cilësinë e vajit për shkak të shtimit të ujit; ka kosto të lartë; kërkon energji të vazhdueshme.

Figura 7 dhe 8. Ekstraktimi i vajit të ullirit me linjë të vazhduar

Dekateri me 3-fasa (vaji, bërsia, dhe ujrat vegjetative)

Avantazhet: Prodhon vaj me cilësi të mirë dhe bërsi relativisht të thatë; ka ekstraktim me rendimet të lartë dhe fleksibilitet të impiantit të ekstraktimit (në aspektin e përdorimit) me cilësi të ndryshme të ullinjve.

Disavantazhet: Prodhon ujëra vegjetative me sasi të lartë; ul cilësinë e vajit për shkak të shtimit të ujit.

Dekanteri me 2-fasa (vaj, bërsi + ujë vegjetativë)

Avantazhet: Shtim me sasi të ulët uji ose aspak; prodhon vaj me sasi të lartë të polifenoleve;

Disavantazhet: Prodhon bërsi me lagështi; ka fleksibilitet të ulët për cilësi të ndryshme ulliri; rendiment të ulët esktraktimi.

2.2. Manaxhimi i fabrikës

Një fabrikë duhet të ketë:

  • Kanale kulluese në dysheme për të larguar ujërat vegjetative;
  • Dysheme të veshura me materiale të posaçme që pengojnë grumbullimin dhe rrjedhjen e vajit;
  • Dukshmëri e mirë dhe reduktim të zhurmës.

Hapat e ndryshëm për përpunimin e ullinjve në vaj janë si më poshtë:

  • Ndarja e frutit nga gjethet ose pjesët e tjera të huaja, pastrimi dhe larja me ujë (nëse është e nevojshme);
  • Blurja e frutit dhe formimi i pasters, përzierja e ngadaltë, temperaturat e homogjenizimit jo më shumë se 27 ºC dhe jo më pak se 20 ºC. Koha e homogjenizimit zgjat nga 20 deri në 40 min., në varësi të karakteristikave të frutit të ullirit;
  • Ndarja e vajit nga bërsia: Larja e vajit me ujë jo më shumë se 0.1 %, ose sasia e vajit që gjendet në bërsi ose uji vegjetativ duhet të përmbajnë më pak se 0.1% të tij.

Vaji i bërsisë që merret nga procesi i nxjerrjes duhet të ekstraktohet me anë të solventëve duke përdorur nxehtësinë.

Ullinjtë më cilësi të ulët dërgohen për prodhimin e sapunëve (rreth 15% e ullinjve total) (MOA, 2007).

2.3. Ruajtja e vajit të ullirit

  • Të shmangen enët plastike (Fig.9); Për magazinimin e vajit duhet të përdoren kontejnerë prej çeliku inox (Fig.10) ose xham i errët, i pastruar mirë, me mbyllje hermetike dhe i mbushur plotësisht (Fig. 10). Për marketingun e vajit të ullirit duhet të përdoren shishe qelqi me ngjyrë;
  • Vaji ruhet në 12-15°C, në kushte të errëta, në vende pa erë dhe të ventiluar mirë kontenierët duhet të mbushen me azot (gaz inert) në hapësirat e hapura;
  • Vaji duhet dekantuar 1 – 3 herë, filtrohet direkt para mbushjes;

Figura 9. Metoda e gabuar e ruajtjes së vajit të ullirit

Figura 10. Tanku i ruajtjes së vajit të ullirit

2.4. Klasifikimi i vajit të ullirit

  • Vaj i ullirit është vaj i cili përftohet vetëm nga frutat e pemës së ullirit (Olea europaea sativa);
  • Vaji i ullirit nuk duhet të përzihet asnjëherë me ndonjë lloj vaji tjetër vegjetal. Ai duhet të kalojë analizën shqisore nga një panel i certifikuar i shijuesve dhe të plotësojë kriteret analitike;
  • Një nga aspektet më të rëndësishme të klasifikimit të vajit të ullirit është edhe përcaktimi i vlerësimit sensorial;
  • Vlerësimi organoshqisor i vajit realizohet nga një panel i kualifikuar degustuesish, I njohur zyrtarisht nga Këshilli Ndërkombëtar i Ullirit (IOOC);
  • Vaji i ullirit i Virgjër përftohet vetëm nga proceset mekanike pa përdorur asnjë nga metodat e tjera alternative.

KRITERET DHE STANDARDET E CILËSISË SË VAJIT TË ULLIRIT (IOC&CEE, 2009)

EKSTRA I VIRGJËR VAJ ULLIRI LAMPANT(1)

Karakteristikat Sensoriale (2)

Mesatarja e Defekteve (3) = 0<2.5 > 6.0

Mesatarja Frutore (4) > 0.0 > 0.0 > 0.0

Karakteristikat Kimike *

Aciditeti total % (5) < 0.8 <2 <3.3

Indeksi i Peroksideve (meq. O2/Kg) (6) < 20 < 20 No limit

  1. Nuk është për konsum tek njeriu;
  2. Karakteristikat sensoriale përcaktohen në bazë të aromave dhe shijeve të vajit;
  3. Defektet shkaktohen gjatë vjeljes, përpunimit dhe ruajtjes;
  4. Aromat frutore lidhet direkt me cilësinë e ullirit dhe përcaktohet nga pjekuria dhe varieteti;
  5. Aciditeti i lirë mat sasinë e acideve të lira që gjenden në vaj. Sasia e lartë e tij tregon cilësi të ulët të vajit;
  6. Indeksi i peroksideve është një indikator që tregon oksidimin fillestar të vajit;

* Një tjetër karakteristike kimike e vajit është edhe absorbanca UV, që është një indikator që tregon oksidimin e vajit. (vlerat për vajin ekstra të virgjër janë: K232 ≤ 2.5; K270 ≤ 0.22; ∆K ≤ 0.01)

  1. Përcaktimi i Vajit Ekstra të Virgjër

Është lëng natyral që rrjedh nga shtypja e ullinjve me aromë delikate dhe përfitimet shëndetësore nga komponentë antioksidues natyral.

  • Atribute pozitive: 7 frutore, hidhësia, jeshile, agrume, erëza, tropikale, frut i pjekur e pikante, të përcaktuara sipas cilësisë së frutit;
  • Atributet negative (vlerësimi i defekteve): i vjetëruar, myk, lagështi, drurore, acide dhe uthullore, rancide, metalike;
  • Aciditeti i lirë më pak se 0.8%;
  • Indeksi i peroksideve jo më shumë se 20 milli equivalent i O2/kg of oil;
  • Ekstraktuar vetëm me metoda mekanike pa solvent dhe nxehje;
  • Nuk duhet të përzihet me vajra të tjerë vegjetalë ose kimikate.
  1. Atributet Pozitive (frutore) dhe negative (defektet) përcaktohen nga Këshilli Ndërkombëtar.

Dr. Onejda Kycyk
Pedagog në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT. Përgjegjëse e Qendrës së Kërkimit të Ushqimit.

Na Ndiqni në: