www.pixabay.com

3 marsi, dita botërore e Jetës së Egër

3 Marsi i çdo viti i dedikohet një feste të kaq të veçantë për të kremtuar jetën në planetin tonë, atë të bimëve dhe të kafshëve. Eventet e përvitshme në këtë datë, synojnë të rrisin ndërgjegjësimin rreth kërcënimit dhe rreziqeve me të cilat përballet bota e bimëve dhe e kafshëve.  Si planet, aktualisht ne po përballemi me çështjen e mbishfrytëzimit të specieve ujore. Në 20 dhjetor 2013, në sesionin e 68-të saj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nënshkroi Konventën mbi Tregtinë Ndërkombëtare në speciet e rrezikuara të faunës dhe florës së egër dhe datën 3 mars e shpalli Ditën Botërore të Jetës së Egër për të sensibilizuar mbarë botën për florën dhe faunën.

Këtë vit, kjo ditë kremtohet nën moton “Pyjet dhe jetesa; duke mbështetur njerëzit dhe planetin”, si një mënyrë për të evidentuar rolin kryesor të pyjeve, specieve pyjore dhe shërbimeve të ekosistemit për të siguruar një jetesë të qëndrueshme për qindra milionë njerëz në mbarë botën, veçanërisht komunitetet lokale dhe indigjene me lidhje historike me pyjet dhe zonat ngjitur me pyjet. 200 deri në 350 milionë njerëz në botë jetojnë pranë zonave me pyje, jetesa e të cilëve varet dhe lidhet ngushtësisht më shërbimet e ekosistemit, duke përfshirë edhe nevojat bazike si ushqimi, strehimi, energjia dhe shërbimi mjekësor. Një vit më parë moto e Ditës Botërore e Jetës së Egër ishte “Ruajtja e jetës në Tokë”.

 

Alma Janka, UBgreen.al

Na Ndiqni në: