Photo by user18526052 - www.freepik.com

Vaksinimi në qen (Vaksinat e detyrueshme)

Çfarë është vaksinimi?

Qentë mund të preken nga shumë sëmundje, disa prej tyre mund të jene dhe fatale. Fatmirësisht qentë mund të mbrohen nëpërmjet vaksinimit. Vaksinimi është një mënyrë e thjeshtë, e sigurtë dhe efektive për të mbrojtur qenin nga sëmundje vdekjeprurëse, përpara se të jetë në kontakt me to. Vaksinimi përdor mbrojtjen natyrore të organizmit për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e bën sistemin imunitar më të fortë. Vaksinat stimulojnë sistemin imunitar të kafshës për të krijuar antitrupa ashtu si në rastet kur ekspozohet ndaj një sëmundjeje. Për shkak se vaksinat përmbajnë vetëm forma të vrara ose të dobësuara të mikroorganizmave, ato nuk shkaktojnë sëmundjen.

Çfarë është imuniteti i qenit nga nëna?

Kafshët e porsalindura ende nuk kanë krijuar imunitetin e tyre kështu që kanë nevojë për mbrojtje kundër infeksioneve të pranishme në mjedisin ku ndodhen. Ata e marrin këtë imunitet nga nëna e tyre, nëpërmjet antitrupave të saj. Një pjesë e këtij imuniteti pasiv transferohet nëpërmjet placentës ndërsa këlyshi është akoma në mitër, por pjesa më e madhe transferohet nëpërmjet qumështi ose kulloshtrës së parë. Ky imunitet është vetëm i përkohshëm pasi bie në mënyrë të qëndrueshme gjatë javëve të para të jetës dhe është zhdukur deri në javën e 12-të.

Përse është i rëndësishëm vaksinimi?

Vaksinimi është një mënyrë e sigurtë dhe efektive për të parandaluar sëmundjet dhe për të shpëtuar jetën e kafshës. Kur vaksinojmë qenin nuk mbrojmë vetëm atë por edhe personat me të cilët ai jeton dhe komunitetin me të cilin ai bashkëjeton.

Pse u jepet më shumë se një dozë vaksine këlyshëve?

Ka dy arsye përse këlyshëve u jepet më shumë se një dozë vaksine. Së pari, është e pamundur të dihet kur një këlysh ka humbur mbrojtjen pasive që merr nga nëna e tij. Një rënie e hershme e antitrupave të marra nga nëna mund ta bëjë këlyshin të ndjeshëm ndaj infeksioneve. Së dyti, veçanërisht me vaksinat e vrara, doza e parë është një dozë fillestare dhe doza e dytë rrit reagimin ndaj një niveli më të lartë të imuniteti që zgjat më shumë në kohë.

A duhet ta vaksinojmë qenin çdo vit?

Mbrojtja nga sëmundjet bazohet në titrin vaksinal i cili pasi kalon 12 muaj është gjithmonë në rënie dhe për këtë çdo vit rekomandohet rivaksinimi kundër sëmundjeve.

A ka nevojë për vaksinë nëse qeni jeton brenda në shtëpi?

Për fat të keq është e pamundur që qeni të jetë i mbrojtur plotësisht nga ekspozimi ndaj sëmundjeve të cilat hyjnë në një ambient shtëpiak në mënyra të ndryshme. Vaksinimi i plotë siguron mbrojtje në të gjitha rrethanat dhe gjatë gjithë kohës.

A janë të rrezikshme vaksinat?

Vaksinimi ka parandaluar sëmundje të rënda dhe ka shpëtuar jetën e mijëra qenve. Për shumicën e kafshëve shtëpiake përfitimet tejkalojnë rreziqet. Efektet negative të vaksinimit janë fatmirësisht të rralla (1 në 200-250 vaksina). Shumica e këtyre reaksioneve janë të lehta dhe afatshkurtra dhe tregojnë se vaksina stimulon në mënyrë efektive sistemin imunitar. Shenjat e zakonshme janë ënjtja në vendin e injeksionit, ethet të lehta, letargji dhe mungesë oreksi që zgjasin 24-48 orë. Duke qenë se sëmundjet mund të ndodhin në çdo kohë, nganjëherë ato mund të zhvillohen menjëherë pas vaksinimit por kjo nuk do të thotë se vaksina shkaktoi sëmundjen. Kontrolli veterinar para vaksinimit dhe nganjëherë testet e gjakut para-vaksinimit ndihmojnë në parandalimin e kësaj situate. Është e rëndësishme që një kafshë të jetë e shëndetshme kur vaksinohet për të siguruar zhvillimin e duhur të imunitetit.

Sa kohë i duhet një vaksine për të prodhuar imunitet?

Brenda disa orësh nga vaksinimi fillojnë të stimulohen fazat më të hershme të përgjigjes imune. Zakonisht nevojiten 10-14 ditë para se të vendoset një nivel i mirë i mbrojtjes. Vaksinat e vrara mund të mos ofrojnë mbrojtje adekuate deri pas dozës së dytë prandaj është e këshillueshme që këlyshët të mbahen larg qenve ose këlyshëve me histori të panjohur të vaksinimit derisa të ketë mbaruar kursin e vaksinimit.

Pse i jepet e njëjta sasi vaksine një qeni të vogël dhe një qeni të madh?

Dozat e vaksinimit janë të njëjta për të gjithë qentë pavarësisht madhësisë së tyre. Kur testohen këto vaksina, të gjithë qentë në grupin e provës marrin të njëjtën dozë vaksine dhe janë provuar të jenë të sigurta për qen të të gjitha madhësive. Doza më të vogla të vaksinës nuk mbrojnë në mënyrë adekuate kafshët shtëpiake. Përveç kësaj, nuk ka asnjë provë që doza më të vogla të vaksinimeve shoqërohen me reaksione post vaksinale më të vogla.

Cilat janë vaksinat e detyrueshme në qen?

Lija e qenve

Një sëmundje e rëndë dhe ngjitëse e shkaktuar nga një virus që sulmon sistemin e frymëmarrjes, atë gastrointestinal dhe nervor të qenve është lija e qenve. Sëmundja përhapet përmes ajrit (teshtitjes ose kollitjes) nga një kafshë e infektuar. Virusi gjithashtu mund të transmetohet nga enët e ushqimit dhe të pirjes së ujit të përbashkëta. Sëmundja shkakton rrjedhje nga sytë dhe hunda, ethe, kollë, të vjella, diare, kriza epileptike, paralizë dhe ngordhje. Qentë e infektuar janë bartës të shkaktarit për muaj të tërë. Nuk ka mjekim për këtë sëmundje.

Parvovirus

Parvo është një virus shumë ngjitës që prek të gjithë qentë dhe këlyshët e pavaksinuar më pak se katër muaj. Virusi prek sistemin gastrointestinal dhe shkakton humbje të oreksit, të vjella, ethe dhe shpesh diare të rëndë me gjak. Dehidratimi ekstrem fillon shpejt dhe shkakton ngordhjen në qen brenda 48-72 orësh. Vaksinimi për këtë sëmundje është thelbësor. Edhe kjo sëmundje nuk ka shërim.

Hepatiti

Hepatiti infektiv i qenit është një infeksion viral shumë ngjitës që prek mëlçinë, veshkat, shpretkën, mushkëritë dhe sytë. Kjo sëmundje shkaktohet nga një virus që nuk ka lidhje me hepatitin human. Simptomat janë ethe, të vjella, ikter, zmadhim të stomakut dhe mëlçisë. Nuk ka shërim për sëmundjen përveç trajtimit simptomatik.

Tërbimi

Tërbimi është një sëmundje virale e rrezikshme e gjitarëve që prek Sistemin Nervor Qëndror duke shkaktuar halucinacione, salivacion të shtuar, frikë nga uji, paralizë dhe ngordhje të sigurtë. Virusi transmetohet përmes kafshimit nga një kafshë e tërbuar. Tërbimi është një zoonozë e rrezikshme dhe vaksinimi i qenve është i detyrueshëm.

Skema e vaksinimit

 

Prof. Dr. Dhimitër Rapti
Departamenti Shëndetit Publik Veterinar, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

koment

Na Ndiqni në: