Një sërë projektesh, aktivitetesh e trajnimesh janë zhvilluar e vijojnë të zhvillohen në vendin tonë në kuadër të zhvillimit gjithnjë e më të madh të sektorit të turizmit për një zhvillimin ekonomik sa më të qëndrueshëm dhe jo vetëm. Një ndër to ishte edhe projekti “Menaxhimi i destinacionit inteligjent të turizmit’’ zhvilluar pak kohë më parë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të projektit NEST (Networking for Smart Tourism Development), projekt i financuar nga programi Interreg – IPA CBC Itali – Shqipëri – Mali i Zi, i cili konsistoi në zhvillimin online të një trajnimi ku përveç partnerëve, i rëndësishëm ishte edhe kontributi i dhënë nga përfaqësues edhe të Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit në UBT.
Turizmi inteligjent është sektori i radhës tek i cili janë orientuar dhe do të orientohen bizneset shqiptare për të zhvilluar idetë e tyre. Me një kontribut gjithnjë në rritje në eksportet globale, turizmi është dëshmuar si një burim i rëndësishëm i gjenerimit të të ardhurave dhe krijimit të vendeve të punës në shumë sektorë të ekonomisë ndaj dhe vemendja që i kushtohet këtij sektori është po aq e madhe.
Tematikën dhe objektivat e këtij trajnimi i shpjegon në vijim Prof. As. Edmond Kadiu, pedagog në Departamentin e Menaxhimit të Turizmit Rural, në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit në UBT, i cili ishte një ndër moderatorët e këtij trajnimi të rëndësishëm të orientuar ndaj bizneseve të operatorëve turistikë. Qëllimi i temës sipas prezantimit të kryer nga Prof. Kadiu konsistonte në përshkrimin e fazave të zhvillimit të turizmit në tërësi dhe atij masiv në veçanti, shpjegimin e rëndësisë së turizmit në një kontekst ekonomik, identifikimin e faktorëve përcaktues të zhvillimit të turizmit masiv, identifikimin e qëllimit të biznesit të turizmit si dhe burimeve kryesore të turizmit dhe identifikimin e faktorëve kryesorë të biznesit të cilët janë të lidhur me menaxhimin e organizmave të turizmit.
Po sipas Prof. Kadiut roli dhe rëndësia e menaxhimit smart në bizneset e turizmit varet nga një sërë faktorësh siç janë; vlerësimi dhe analizimi i strukturës dhe tregut turistik, vlerësimi dhe analizimi i raportit të shtetit me biznesin tuaj, vlerësimi i rëndësisë së sjelljes organizative të biznesit, vlerësimi i rolit të burimeve njerëzore në biznes, vlerësimi i karakteristikave të produktit turistik, vlerësimi i rolit dhe karakteristikave të marketingut që përdoren si dhe karakteristikat e menaxhimit të cilësisë së prodhimit turistik. Eksperti thekson se objektivat e realizimit të produktit turistik duhet të ndihmojnë në realizimin e vizionit dhe misionit të tij.
Prof. As. Edmond Kadiu
Departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.