Gripi i shpendëve është një sëmundje virusale që prek gati të gjithë llojet e shpendëve, të butë apo të egër, të tokës dhe të ujit.
Virusi është zoonotik, pra mund të kalojë tek njeriu, kur ky është në kontakt me shpendët e sëmurë. Shpendët e oborrit si pulat, rosat, patat apo gjelat e detit, infektohen gjatë kontaktit me shpendët e egër bartës të virusit. Format e gripit të shpendëve të shkaktuar nga të ashtuquajturit virusë të gripit të shpendëve me patogjenitet të lartë (HPAI), kanë tërhequr vëmendjen e komunitetit shkencor mbarëbotëror që prej vitit 1997.
Qëllimi kryesor është të pengohet përhapja e sëmundjes, por mbi të gjitha të minimizohet rreziku i infektimit të njeriut. Virusi i gripit të shpendëve H5N8, tashmë i pranishëm edhe në vendin tonë, bën pjesë në këtë kategori edhe pse rreziku i infektimit të njeriut është i ulët.
Shumë studime të kryera në Evropë dhe në botë nga qendrat më të rëndësishme kërkimore, kanë treguar që një nga aspektet më të rëndësishme në kontrollin e gripit të shpendëve, është sjellja e fermerëve të vegjël. Numrin më të madh të fermave në Shqipëri e zënë fermat e vogla.
Kafshët dhe shpendët e mbarështuara në këto ferma, përbëjnë mjetet kryesore të jetesës për pjesën më të madhe të popullsisë në fshat. Nga ana tjetër fermat e vogla bëhen burim kryesor infeksioni për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme ndërmjet kafshëve dhe shpendëve, por mbi të gjitha nga kafshët tek njeriu.
Është shumë e rëndësishme që fermerët e vegjël, kryesisht ata që rrisin shpendë oborri, të ndërgjegjësohen dhe t’i kuptojnë drejt problemet që shfaqen gjatë përhapjes së infeksionit të gripit të shpendëve.
Nga veterinerët shtetërorë dhe privatë, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë në terren, duhet të shpërndahet një informacion i bollshëm në lidhje me shkaktarin e sëmundjes, mënyrën e përhapjes, shenjat klinike dhe masat për mbrojtjen nga infeksioni.
Veprimi më i arsyeshëm në këtë kohë është ndjekja me përpikmëri e rregullave dhe kufizimeve të vendosura, sidomos në zonat rreth vatrave të infeksionit edhe atëherë kur duket se këto rregulla zgjatin në kohë apo sjellin dëm ekonomik tek fermerët. Kufizimet në këto raste janë:
- Eleminimi i detyruar i shpendëve në tufën e prekur.
- Izolimi i detyruar i vatrës dhe i fermave përreth, madje ky izolim shtrihet deri në 10 kilometra rreth vendit të shfaqjes së infeksionit.
- Ndalohet lëvizja dhe tregëtia e shpendëve të gjallë.
- Vendosen masa të reja higjieno-sanitare në zonat e kufizuara.
- Shumë vende kanë vendosur ‘‘futjen’’ brenda në kafaze apo ambiente të mbyllura të shpendëve të oborrit.
- Vaksinim i detyrueshëm ndaj shkaktarëve të tjerë virusalë, sidomos tek tufat e pavaksinuara të oborrit.
Nga eksperienca në vende të ndryshme të botës, vetëm një pjesë e vogël e fermerëve i zbatojnë me përpikmëri rregullat dhe kufizimet e vendosura, kjo sepse çdo aktivitet i papritur e i paplanifikuar në fermë, shoqërohet me një kosto financiare që rëndon në buxhetin e fermerit. Si rezultat, në një pjesë të mirë të rasteve kemi fshehje të infeksionit.
Gabimet më të shpeshta në rast shpërthimi të infeksionit
Ndryshe nga stabilimentet e përqëndruara, fermerët e tufave të oborrit bëjnë eleminimin e tufës kur rritet numri i dëmtimeve, madje disa prej tyre tentojnë t’i shesin shpendët e mbetur të gjallë me qëllim minimizimin e dëmit ekonomik. Në këtë mënyrë bëhen burim i përhapjes në shkallë të gjerë të sëmundjes.
Fermat e mëdha ndjekin një skemë të përcaktuar vaksinimi dhe i mbajnë shpendët në ambiente të mbyllura, të izoluar nga shpendët e egër. Në tufat e oborrit vaksinimi shpesh është jo i plotë, jo në intervale të rregullta dhe shpendët mbahen të lirë.
Rëndësia e aplikimit të masave të kontrollit të sëmundjeve nuk është e njëjtë midis fermerëve dhe kështu përhapja e infeksionit në fermat fqinje është e shpeshtë.
Ku duhet përqëndruar vëmendja?
Njohja e origjinës së infeksionit është shumë e rëndësishme, por jo e mjaftueshme. Më e rëndësishmja është të shihet angazhimi i fermerëve të vegjël në kontrollin e sëmundjes, faktorët që i pengojnë ata të jenë bashkëpunues. Në këto raste kërkohet domosdoshmërisht ndërhyrja e strukturave shtetërore me strategji mbrojtjen e fermave të vogla. Nismat personale dhe të izoluara japin rezultate të dobta në zbatimin e masave dhe kontrollin e infeksionit.
Eksperienca gjatë infeksioneve të mëparëshme me HPAI sic ishte rasti i H5N1, gjatë viteve 2003-2005, ka treguar se autoritet duhet të nxisin një sjellje prosociale të fermerëve të vegjël.
Ky është një element shumë i rëndësishëm në ecurinë e infeksionit. Fermerët do të sillen bujarisht kur ata janë të vetëdijshëm se sjellja dhe teknikat e tyre blegtorale mund të përbëjnë rrezik për komunitetin, fermat fqinje apo shëndetin publik.
Infeksioni nuk duhet fshehur, përkundrazi duhet bërë raportimi i menjëhershëm tek veterinerët zyrtarë dhe rasti duhet të konfirmohet me provat standarde laboratorike.
Dr. Liljana Lufo
Departamenti i Moduleve Paraklinike, Fakulteti i Mjeksisë Veterinare, UBT