trevor pye - www.unsplash.com

Pyjet, rëndësia dhe roli i tyre

Që nga koha e shfaqjes e deri më sot, pyjet kanë kontribuuar në mënyrë të theksuar në zhvillimin e njerëzimit si prodhues të lëndëve të para (dru, lëvore, fruta) dhe ndikimeve që ushtrojnë në mënyrë indirekte, prej të cilave përfiton shoqëria njerëzore. Kuptimi i rolit dhe i rëndësisë së pyjeve ka ndryshuar në kohë sipas vendit dhe rrethanave. Njëkohësisht ka ndryshuar edhe trajtimi i tyre. Në fillim pylli vlerësohej për frutat dhe barin që prodhonte, ndërsa më vonë, për gjahun që strehonte ose për krerët e bagëtive që mund të kullosnin në të. Si rregull, në krahinat veriore mbizotëron përdorimi i pyjeve për gjueti, në krahinat me klimë të temperuar prodhimi kryesor që nxirret prej pyllit është druri, ndërsa në krahinat tropikale, pylli vazhdon të vlerësohet kryesisht nga prodhimi i frutave, esencave aromatike, gomave etj. Po ashtu, gjithnjë e më shumë po shfrytëzohen edhe efektet e dobishme që ushtron pylli mbi mjedisin rrethues, në përmirësimin e kushteve klimatike dhe tërthorazi mbi rritjen e prodhimeve bujqësore. Siç kuptohet qartë, pyjet luajnë një rol të dyfishtë: fiziko-gjeografik dhe antropo-gjeografik.

 

Roli fiziko-gjeografik i pyjeve

a) Ndikimi mbi koren tokësore, (roli gjeomorfollogjik)

Sikurse është bërë me dije, biosfera është një nga agjentët e rëndësishëm në evolucionin e kores së tokës. Pyjet luajnë rol mbizotërues në bimësi. Me prodhimin dhe depozitimin e materialeve organike, pyjet kanë vonuar formimin e erozionit dhe rrëshqitjet e tokës. Me kalimin e kohës, ky rol i pyjeve u shtri edhe në thellësi të mëdha, për arsye të masës së madhe bimore që prodhojnë e grumbullojnë dhe të ndikimeve të tërthorta që ata ushtrojnë mbi faktorët që marrin pjesë në dinamikën e krijimit të formave të relievit siç janë, natyra e shkëmbinjve, lagështia, temperatura, era, etj.

b) Ndikimi mbi klimën (roli klimatik)
Ambienti i pyllit ngjall gjithmonë kënaqësi tek vizitori

Nga kërkime të gjata në kohë, është konstatuar se pyjet zbusin ekstremet e temperaturës si në dimër ashtu edhe në verë. Ato shtojnë lagështinë absolute dhe relative të ajrit, duke ndikuar mbi reshjet, pakësojnë shpejtësinë e erërave dhe lehtësojnë rënien e dëborës, pengojnë në të njëjtën kohë avullimin e ujit nga toka dhe transpiracionin e tepruar të bimëve. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve që u bëhen elementëve klimatike, pylli krijon në brendësi të tij, një fitoklimë që është e ndryshme nga ajo jashtë tij dhe që ushtron një ndikim të ndjeshëm mbi kulturat bujqësore në afërsi, mbi faunë, etj.

c) Ndikimi mbi tokën (roli edafik)
Procesi i tokëformimit nuk mund të kuptohet pa rolin e bimësisë

Pyjet ushtrojnë ndikim edhe mbi vetitë fizike, kimike e biologjike të tokës. Drurët dhe bimët e tjera të pyllit, me anën e rrënjëve, ndihmojnë në zbërthimin e shkëmbinjve e në rritjen e shtresës së tokës, shkriftërimin e përmirësimin e strukturës së saj. Gjithashtu, mbeturinat bimore e shtazore të pyllit, pasurojnë çdo vit tokën me lëndë të asimilueshme dhe humus. Pyjet janë mjeti më i sigurtë për të konsoliduar shpatet që rrëshqasin dhe për mbrojtjen e tokës ndaj shpëlarjes sipërfaqësore. Pyjet pengojnë formimin e ortekëve të dëborës. Për këtë arsye, pylli zë vendin kyç në të gjitha punimet e përmirësimit të terreneve të degraduara. Ai mund të përdoret me sukses në stabilizimin dhe vlerësimin e dunave e të ranishteve bregdetare, përfshi edhe ato lëvizëse.

ç)  Ndikimi mbi regjimin e ujërave (roli hidrologjik)

Duke ndikuar në mënyrë të favorshme mbi lagështinë atmosferike dhe mbi sasinë e reshjeve, pyjet vënë në dispozicion të bimësisë, sasi më të madhe uji të përdorshëm. Uji që arrin në tokën e pyllit, duke rrjedhur më me vështirësi, thithet pothuaj tërësisht nga legusha dhe humusi, të cilët veprojnë si një sfungjer, pastaj ai filtrohet gradualisht në thellësi të tokës. Thithja e ujit që hyn në tokë është e ngadalshme dhe e vazhdueshme. Në krahinat me pyje, pylli u siguron atyre një prurje konstante. Pylli pengon përmbytjet dhe pasojat e tyre. Nga ndikimi i posaçëm që ushtrojnë mbi rregjimin e ujërave, pyjet luajnë rol vendimtar në prodhimin e energjisë elektrike. Ndërtimi i hidroçentraleve është i kushtëzuar me mbrojtjen dhe kujdesin për pyjet e pellgjet ujëmbledhës. Gjithashtu për arsye të transpiracionit të madh që kryhet nga ana e masës së gjetheve, pyjet me Eucalyptus, Taxodium etj., përdoren me sukses në punimet e tharjes së kënetave.

Roli anthropo-gjeografik i pyjeve

a) Roli si prodhues i lëndëve të para

Sot nuk ekziston degë e ekonomisë, e cila të mos përdorë drurin ose prodhimet e tjera të pyllit si dhe të mos përfitojë nga ndikimet e tij të dobishme. Sipas natyrës së tyre, lëndët e para të prodhuara nga pylli ndahen në dy grupe: drunore dhe jodrunore.

Prodhime drunore

Druri që vilet nga pylli mund të përdoret në industri si lëndë punimi dhe për dru zjarri. Është interesant të vihet re se drurët e zjarrit në konsumin botëror arrijnë shifra të çuditshme, ato përfaqësojnë rreth 45 %. Për arsye të pakësimit të pyjeve, në kohën e sotme vazhdon zëvendësimi i druve me lëndë të tjera djegëse si qymyri i gurit, gazi, energjia elektrike etj. Druri gjen përdorime të gjera dhe të shumëanëshme në ndërtimet social-kulturore dhe industriale, në transport, në ndërtimin e anijeve dhe makinave, për traversa, shtylla telefonike e minierë, për vegla muzikore, kompesato e rimeso, të mobilje, fuçive, amballazh, celulozë, letër, pllaka, mëndafshit artificial, medikamenteve dhe parfumeve, prodhimeve ushqimore, acidit acetik, nxjerrjes së katranit, vajrave lubrifikante, etj.

Deri më sot njihen mbi 5000 përdorime të ndryshme të lëndës së drurit, të cilat shtohen me shpejtësi, si pasojë e shtimit të nevojave të shoqërisë njerëzore për prodhime drunore dhe modernizimit të teknollogjisë së përpunimit të drurit. Megjithëse druri është zëvendësuar me materiale të tjera si metal, çimento, beton, xham, alumin, lëndë plastike, etj., ai po gjen gjithnjë e më shumë përdorim të gjerë e të vlefshëm. Është për t‘u shënuar se druri i specieve të ndryshme nuk ka patur gjithmonë po atë përdorim dhe rëndësi ekonomike që ka sot. I tillë është rasti i hormoqit dhe i ahut. Po kështu ka ndodhur në shumë vende të tjera me drurin e shkozës, mështeknës etj, të cilët tani kërkohen e çmohen shumë.

Prodhime jo drunore

Nga prodhimet më të rëndësishme jodrunore ose të dyta të pyllit, mund të përmendim gjahun, lëvoren, lëndët regjëse e ngjyrosëse, rrëshirën dhe terpentinën, kauçukun, barin, frutat, bimët mjekësore, kërpudhat. Konceptimi mbi rëndësinë e këtyre prodhimeve ka ndryshuar me kohën. Kështu në vendet nordike, prodhimet jo drunore paraqesin një rëndësi ekonomike të theksuar, sidomos gjuetia. Në vendet e tjera, nga prodhimet jo drunore, vlerësohen më tepër lëndët regjëse e ngjyruese. Kështu, nga lëvorja e disa drurëve apo nga lëngu i tyre (Parthenium argentatum, Heveia braziliana), nxirren goma të ndryshme dhe kauçuku. Të vlefshme janë gjithashtu tapa që nxirret nga lëvorja e Quercus suber dhe Phellodendron amurense, rrëshira dhe terpentina e halorëve etj.

Disa specie drunore ose bimë barishtore të pyjeve, përdoren shpesh për ngjyrosjen ose regjien e lëkurëve, siç është rasti i zoglës, panjës fletërrap, verriut, shelgut, gjetheve të arrës, shqemës, zhguajve të valanidhit, etj. Nga disa të tjera nxirren esenca parfumesh si psh, nga lëngu i mështeknës ose nga myja e Haematoxilon campechianum, nxirret ngjyrë e kuqe. Frutat e disa drurëve paraqesin disa herë vlerë të madhe ushqimore. Gjithashtu lulet, gjethet, lëvorja, rrënjët e disa drurëve të tjerë mund të përdoren si bimë mjekësore të vlefshme. Përhapje po gjen rritja e krimbit të mëndafshit duke përdorur si ushqim gjethet e manit e të dushkut. Krahas këtyre aktiviteteve, në vendin tonë përhapje mjaft të gjerë ka patur nxjerrja e rrëshirës, lëndë e parë në industrinë kimike, farmaceutike, parfumeri, për prodhimin e kollofonit, të terpentinës, në industrinë e letrës, etj.

Kafshët e shpendët e gjahut, banorët e përhershëm të pyjeve tanë, janë një pasuri e madhe që duhen ruajtur, mbrojtur e shtuar me kujdes, si për popullimin e vetë pyjeve ashtu edhe për eksport. Përvoja në rritjen e fazanit në rezervate gjuetie të zonës bregdetare nuk duhet harruar por të eksperimentohet edhe për rritjen e thëllëzes, të pëllumbit, rosës e të derrit të egër, të kaprollit, etj. Duhet bërë më tepër për shtimin e bletëve e të krimbit të mëndafshit prej gjetheve të dushkut. Janë të gjitha mundësitë që këto aktivitete të zgjerohen akoma më shumë në të ardhmen.

b)  Ndikimi i pyjeve mbi kulturat bujqësore dhe blegtorinë

Nga prania e pyjeve përfitojnë si kulturat bujqësore ashtu dhe kullotat e livadhet. Pylli lëshon gradualisht në atmosferë lagështinë e nevojshme për kulturat bujqësore e foragjerëve dhe i mbron ato nga thatësia e madhe dhe erërat e nxehta. Për këtë arsye, shpesh shtrohet domos-doshmëria e krijimit të brezave pyjorë mbrojtës për qëllimet e mësipërme. Në historinë e silvikulturës të vendit tonë, në të kaluarën ka ekzistuar një kontradiktë e theksuar midis sektorit pyjor dhe atij blegtoral. Për rritjen e blegtorisë është kërkuar gjithmonë të sakrifikohen sipërfaqe të reja pyjesh, ndërsa gjatë dimrit janë prerë gjethe në masë për bagëtinë dhe është kullotur pa kriter bari i pyjeve. Kështu shpjegohet fakti që blegtorët, në të kaluarën, u janë drejtuar pyjeve duke i djegur për të siguruar sipërfaqe të bollshme kullosore, për prerje gjethi, për kullotje bari, etj. Kjo praktikë ka qenë e dëmshme dhe ka çuar në degradimin e pyjeve, sidomos atyre të lisit. Rritja e blegtorisë duhet të bëhet duke shfrytëzuar kullotat natyrore, livadhet dhe kulturat foragjerë, pa përjashtuar edhe rastet e caktuara të kullotjes në pyje. Atëherë kur të realizohet kjo pylli do të rifitojë rolin e tij të vërtetë, që të jetë vetëm si prodhues i masës drusore dhe si faktor biotik, i aftë për të përmbushur sa më mirë dhe plotësisht funksionet e tij dobiprurëse.

c) Roli higjenik dhe estetik i pyjeve

Masivet pyjore në afërsi të qendrave të banuara, zonave industriale dhe me mjedis të ndotur, ushtrojnë një rol të veçantë higjenik, me përmirësimin që u bëjnë kushteve fizike në të cilat jetojnë njerëzit. Tymi i qymyrit dhe pluhuri në qytetet industriale shkaktojnë formimin e mjegullës, e cila ul intensitetin e dritës, gjë që dëmton sidomos njerëzit e dobët fizikisht. Drurët pyjorë me një sipërfaqe gjethore që mund të tejkalojë deri 20 herë projeksionin horizontal, përbëjnë një filtër natyror të fuqishëm në ndalimin e pluhurit dhe tymit si edhe për shkatërrimin e mikrobeve. Pyjet brenda qyteteve asimilojnë CO2 e prodhuar nga fabrikat duke i kthyer ajrit oksigjenin. Lëndët antiseptike (fitoncidet) që lëshohen nga gjethet dhe lulet e drurëve të pyllit, shfarosin disa nga mikroorganizmat pathogjenë të atmosferës. Pyjet e halorëve kanë një vlerë të veçantë, për arsyen se dezinfektojnë dhe ozonifikojnë ajrin, fakt që justifikon vendosjen e sanatoriumeve dhe të kampeve të pushimit në masivet pyjore si në Qafështamë, Voskopojë, Llogora, etj.

Mjedisi pyjor i krahinave malore, intensifikon funksionet e organizmit njerëzor, duke aktivizuar djegiet, duke shtuar numrin e rruazave të kuqe, përmbajtjen në kalcium dhe fosfor të gjakut, stimulimin e gjendrave me sekretim të brendshëm, etj. Pyjet ndikojnë gjithashtu në mënyrë të favorshme dhe mbi cilësinë e ujit të pijshëm. Nga pikëpamja estetike, pyjet me larminë e madhe të formave dhe ngjyrave, zbukurojnë peisazhin e krahinës ku ndodhen, duke i dhënë njerëzve një kënaqësi vizuale. Pyjet përbëjnë objekt frymëzimi për krijimtarinë artistike (Götte per ahun) dhe shkencore (rëndësi turistike). Për të gjitha këto arsye, është e rëndësishme që përreth qyteteve të krijohen kurorat e gjelbërta me pyje. Nga pikëpamja ushtarake, pyjet kanë luajtur një rol të dorës së parë qysh nga koha e Skënderbeut e deri në luftën e dytë botërore.

ç) Roli shoqëror i pyjeve

Kuptohet se roli shoqëror i pyjeve rezulton si nga përdorimi i të mirave të prodhuara drejtpërdrejtë ose tërthorazi, ashtu dhe për faktin se sigurojnë fronte pune në aktivitete të ndryshme të silvikulturës, shfrytëzimit dhe industrisë së drurit. Në ekonominë kombëtare të vendit tonë, pyjet zënë një sipërfaqe prej rreth 1,24 mijë ha, ose rreth 35 % të sipërfaqes së përgjithëshme të Republikës, prej të cilave 63 % janë pyje dhe 27 % janë shkurre. Ato kanë një vëllim total prej rreth 89 milionë m³, të ndarë 60 % lëndë punimi dhe 40 % dru zjarri. Pra me veprimin e tij modifikues mbi mjedisin rrethues, pylli është një faktor aktiv në proçesin e evolucionit të kores së tokës. Në një krahinë të pyllëzuar ndikimet dobiprurëse të pyjeve mund të kalojnë pa u vënë re, ndërsa atje ku këto prishen, del menjëherë në dukje roli që kanë luajtur pyjet në zhvillimin e jetës. Shkatërrimi i pyjeve sjell me vete pasoja të rënda mbi kuadrin fizik dhe anthropo-gjeografik. Në përfundim mund të thuhet se pylli përmbush një rol kompleks për faktin se ai nuk është vetëm një prodhues i masës drusore, por përbën njëkohësisht një mjedis biologjik të qëndrueshëm. Edhe sikur në të ardhmen druri të humbasë vleren e përdorimit në disa drejtime, pylli në të kundërtën do të marrë gjithmonë e më shumë rëndësi me ndikimet pozitive që luan. Në vertetë kemi një pasuri të madhe pyjore, por jo kurdoherë ka një vlerësim mbi baza shkencore në mbjelljen, trajtimin e mbarështrimin e pyjeve dhe shfrytëzimin e drejtë të lëndës së drurit. Pikërisht ngushtimit të këtij raporti dhe për ecjen drejt balancimit të rritjes me prerjen, duhet t‘i kushtojmë vëmendjen e nevojshme, për të cilën dy janë rrugët. Së pari, prerja me kritere shkencore dhe shfrytëzimi racional i lëndës së drurit dhe së dyti, shtimin e fondit pyjor.

 

Prof. Dr. Vath Tabaku
Departamenti i Pyjeve, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

Na Ndiqni në: