geralt - www.pixabay.com

Roli i teknologjisë së informacionit në konkurrueshmërinë e NMV-ve

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NMV) janë shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Ato përbëjnë më shumë se 98% të të gjitha kompanive të regjistruara në vend. Agjensi të ndryshme shtetërore i janë dedikuar zhvillimit të NMV-ve duke mbështetur rritjen e tyre. Zhvillimi i NMV-ve dhe kontributi i tyre në stabilitetin ekonomik afatgjatë varet nga madhësia dhe struktura e tyre, që në kushtet e tregjeve të zhvilluara mirë u lejon atyre të kenë fleksibilitetin dhe aftësitë që të përshtaten në kushtet e një konkurrence të ashpër. Ekonomitë moderne operojnë si një rrjet kompleks firmash në të cilën pozicioni konkurrues i një firme varet pjesërisht në efikasitetin e furnizuesve të tyre. Prandaj, konkurrenca e NMV-ve ndikon në pozicionin konkurrues të ekonomisë në përgjithësi.
Objektivi kryesor i punimit është ekzaminimi i mënyrave të përdorimit të teknologjisë së informacionit në bizneset e vogla dhe të mesme Në funksion të qëllimit të studimit është ndërtuar një hipotezë, të cilës i është dhënë përgjigje gjatë analizës së të dhënave dhe interpretimit të rezultateve. Teknologjia e informacionit është një nga sfidat me të cilat përballet ky komunitet biznesi në këto kohë moderne. Qëllimi i përdorimit të teknologjisë së informacionit është fitimi i avantazhit konkurrues.
Për realizimin e këtij studimi është zgjedhur si zonë studimi Tirana dhe Durrësi. Pyetësorët janë pranuar gjerësisht si një mjet kyç dhe i rëndësishëm për t’u realizuar dhe aplikuar në metodologjinë themelore të kërkimit shkencor-social. Zgjedhja e mostrës u krye duke zgjedhur mënyrën rastësore. Më pas në mënyrë rastësore është zgjedhur një përqindje proporcionale e ndërmarrjeve. Qëllimi kryesor në zgjedhjen rastësore ishte që të sigurohej që ndërmarrje të ndryshme të të dyja madhësive të përfaqësoheshin sa më mirë.

Kriza ekonomike globale ka vënë nën presion të madh sektorin privat për të zvogëluar shpenzimet dhe për të rritur efikasitetin. Kontributet e rëndësishme të bëra nga ndërmarrjet e mesme dhe të vogla (NMV-të) janë shumë të spikatura në zhvillimin kombëtar, rajonal dhe punësimin në mbarë botën.
Për të rritur konkurrueshmërinë e NMV-ve shqiptare duhet të ndërmerren një sërë masash për një periudhë disavjeçare, duke filluar që nga përgatitja e kuadrit ligjor, ngritja e institucioneve, hartimi i një programi veprimesh dhe aktivitetet për zbatim.
Gjatë viteve të fundit janë shtuar përdoruesit e internetit në Shqipëri sidomos nga brezi i ri, por ende nuk mund të flitet për një përdorim masiv të internetit nga prodhuesit e vegjël dhe të mesëm. Infrastruktura në përgjithësi vlerësohet si shumë e varfër, përdorimi është kufizuar kryesisht në Tiranë dhe shumë më pak në disa nga rrethet kryesore të vendit ndërkohë që është pothuaj inekzistent në rrethet e tjera. Objektivi kryesor i studimit është ekzaminimi i mënyrave të përdorimit të teknologjisë së informacionit në bizneset e vogla dhe të mesme. Objektiv më specifik është identifikimi i shkallës së njohjes së informacionit dhe përdorimi i përshtatshëm i njohjes së informacionit për të siguruar avantazh konkurrues nga ana e bizneseve të mesme dhe të vogla.

Roli i NMV-ve në ekonominë shqiptare

Roli i NMV-ve në proçesin e transformimit është me të vërtetë i lartë. NMV-të janë ndërmarrjet kryesore private që gjenerojnë vazhdimisht punësim dhe japin kontributin e tyre në ristrukturimin sektorial dhe në zhvillimin e shërbimeve dhe prodhimin e të mirave. Ato kontribuojnë në rritjen e konkurrencës si dhe të prezencës së produktit shqiptar në tregjet e Evropës.
Përmirësimi i përshpejtuar i klimës për zhvillimin e biznesit dhe investimeve duke mbështetur dhe përforcuar në këtë mënyrë politikat e qeverisë shqiptare mbi rritjen e konkurrueshmerisë së NMV-ve, do të ndikonte në tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri dhe nxitjen e eksporteve shqiptare në tregun rajonal dhe atë global, nëpërmjet reduktimit të barrierave administrative dhe krijimit të lehtësirave për biznesin.
Sfidat dhe objektivat e zhvillimit të NMV-ve dhe kontributi i tyre në stabilitetin ekonomik afatgjatë varet nga madhësia dhe struktura e tyre që në kushtet e tregjeve të zhvilluara mirë, u lejon atyre të kenë fleksibilitetin dhe aftësitë që të përshtaten në kushtet e një konkurrence të ashpër. Ekonomitë moderne operojnë si një rrjet kompleks firmash në të cilën pozicioni konkurrues i një firme varet pjesërisht në efikasitetin e furnizuesve të tyre. Prandaj, konkurrenca e NMV-ve ndikon në pozicionin konkurrues të ekonomisë në përgjithësi. Meqënëse kostot e larta të transaksionit janë një nga barrierat më të rëndësishme të zhvillimit të tyre, reduktimi i tyre do të nxiste zgjerimin e NMV-ve dhe në veçanti do të inkurajonte mikrondërmarrjet të zgjeroheshin. Në këtë kontekst, zhvillimi dhe performanca e tyre në kuadrin e hapjes së tregjeve përbën një sfidë reale.
Barazia në treg dhe lufta kundër monopoleve kërkojnë zhvillim ekonomik dhe konsolidim të biznesit. Në Shqipëri është krijuar kuadri ligjor për kontrollin dhe mbikqyrjen e konkurrueshmërisë. Sipas raporteve të përfunduara në këtë fushë edhe pse vihet re një përmirësim i lehtë i konkurrencës së lirë në treg, mbetet ende mjaft për të bërë si në drejtim të forcimit institucional ku duhet të shfaqet më efiçient funksioni i Autoritetit të Konkurrencës, por ndërkohë edhe fuqizimi i mbikqyrjes së tregut dhe elementeve përbërës të tij. Konkretisht zhvillimi i një bashkëpunimi të qëndrueshëm midis Inspektoriatit Qëndror Teknik, Drejtorive të Standartizimit, Akreditimit, Metrologjisë dhe Kalibrimit.

Metodologjia

Për realizimin e këtij studimi është zgjedhur si zonë studimi Tirana dhe Durrësi. Është menduar kjo zonë si më e përshtashmja për këtë studim pasi pjesa më e madhe (rreth 59%) e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri shtrihen këtu.
Pyetësorët janë pranuar gjerësisht si një mjet kyç dhe i rëndësishëm për t’u realizuar dhe aplikuar në metodologjinë themelore të kërkimit shkencor-social (76 Rousseau, E 2003). Ato përdoren për të përftuar të dhëna nga individët dhe ekonomitë e tyre familjare ose të dhëna në lidhje me institucionet dhe ndërmarrjet që ata përfaqësojnë. Megjithatë, pavarësisht nga ndryshimi në terminologjinë e përdorur për të përshkruar hulumtimin e pyetësorëve, ekspertët bien dakord se kërkimi duke përdorur pyetësorët është metoda më e mirë në dispozicion për kërkuesit shoqërorë të cilët janë të interesuar në grumbullimin e të dhënave origjinale për të përshkruar një popullsi e cila është shumë e madhe për t’u vrojtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ka tre mënyra për të administruar një anketë për një informues të vetëm: administrim i vetë informuesit, nëpërmjet postës, pyetësorëve të bazuar në internet ku informuesve iu kërkohet të plotësojnë pyetësorët vetë; pyetësorë të realizuar ballë për ballë dhe pyetësorë të realizuar nëpërmjet telefonit. (Babbie 2007:257). Në fakt mënyra e parë në realizimin e një ankete paraqet vështirësi në Shqipëri. Një gjë e tillë lidhet me cilësinë e postës dhe sistemit të adresave në të gjithë vendin. Pyetësorët e bazuar në internet nuk janë shumë të realizueshëm dhe kjo mund të jetë për disa prej ndërmarrjeve të mesme të cilat e kanë të aksesueshëm shërbimin e internetit. Një problem tjetër që ndeshet, është mosshtrirja e rrjetit në të gjitha zonat. Një metodë alternative e realizimit të kërkimit do të ishin intervistat ballë për ballë (face to face). (Babbie 2007:264)
Zgjedhja e mostrës u krye duke zgjedhur mënyrën rastësore. Kjo është mënyra më e mirë për të marrë një mostër përfaqësuese. Ndërkohë që asnjë teknikë nuk garanton një mostër përfaqësuese, kjo lloj zgjedhjeje ka propabilitetin më të lartë për të patur një mostër përfaqësimi më të mirë të popullatës krahasuar me metodat e tjera. (Henry 1990). Më pas në mënyrë rastësore u zgjodh një përqindje proporcionale e ndërmarrjeve. Qëllimi kryesor në zgjedhjen rastësore, ishte që të sigurohej që ndërmarrje të ndryshme të të dyja madhësive të përfaqësoheshin sa më mirë.

Analiza dhe interpretimi i të dhënave

Analiza në tërësinë saj është diskriptive e ilustruar me grafikë për secilën pyetje apo edhe me grafikë të agreguar për një grup pyetjesh. Të dhënat janë hedhur në SPSS dhe të gjitha përpunimet dhe grafikët janë realizuar me këtë program.

Shkalla e përdorimit të teknologjisë së informacionit në bizneset e vogla dhe të mesme

Në pyetësor është vendosur të vihet një pyetje që ka lidhje me alternativat e internetit të përdorura në organizatë. Qëllimi i kësaj pyetjeje është për të evidentuar llojin e internetit (nëse kanë) që përdorin bizneset. Rezultatet janë paraqitur në Figurën 1 më poshtë.

Figura 1 Alternativat e përdorura në organizatë në lidhje me teknologjinë e informacionit

Vihet re se gjysma e bizneseve të intervistuara përdorin internet me kabëll gjë që tregon një shtrirje të madhe të këtij lloj shërbimi dhe një shtrirje më të vogël të internetit me valë (wireless). Po ashtu shumica e bizneseve përdorin kompjutera në aktivitetin e tyre të përditshëm.

• Teknologjia e informacionit dhe aspekte të menaxhimit të lidhura me të

Pyetja e parë në lidhje më këtë seksion të pyetsorit ka të bëjë me përqindjen e buxhetit që bizneset e intervistuara kanë investuar në teknologjinë e informacionit. Nëpërmjet kësaj pyetjeje është patur si qëllim të krijohet një pamje e përgjithshme se sa të nxitura kanë qënë këto biznese për të investuar në këtë teknologji, si dhe sa shumë para kanë investuar në drejtim të kësaj teknologjie.

Figura 2 Përqindja e buxhetit investuar në teknologjinë e informacionit

Nga analiza e përgjigjeve vihet re se 43% e bizneseve të intervistuara kanë investuar më pak se 10% të buxhetit të tyre në informacion dhe teknologjinë e komunikimit ndërsa 30% e bizneseve të intervistuara kanë investuar nga 10 – 20% të buxhetit në informacion dhe teknologjinë e komunikimit. Gjithashtu 18% e bizneseve të intervistuara kanë investuar nga 20 – 40% të buxhetit në informacion dhe teknologjinë e komunikimit dhe 8% e bizneseve të intervistuara kanë investuar më shumë se 40% të buxhetit në informacion dhe teknologjinë e komunikimit.

Pyetja e dytë dhe e fundit në këtë seksion të pyetësorit ka të bëjë me faktorët që nxisin investimin në teknologjinë e informacionit. Në pyetësor janë renditur gjashtë altenativa si faktorë nxitës, prej të cilave bizneset mund të zgjidhnin me shumë se një përgjigje.

Figura 3 Faktorët që nxisin investimin në teknologjinë e informacionit

Nga përpunimi i të dhënave konstatohet se ofrimi i shërbimeve më të mira është një nga faktorët më të rëndësishëm që nxit investimin në teknologjinë e informacionit. Më specifikisht gati gjysma e bizneseve të intervistuara e pranojnë këtë fakt. Po ashtu një peshë të konsiderueshme si faktorë nxitës për të investuar në teknologjinë e informacionit mbajnë edhe niveli i konkurrencës dhe kërkesa konsumatore, specifikisht me 47.1% dhe 41.4%. Ndërkohë presioni nga furnitorët për të investuar në teknologjinë e informacionit llogaritet si një faktor nxitës në afërsisht 19% të bizneseve të intervistuara. Vlen të theksohet se në shumicën e bizneseve nuk ka asnjë objektiv për të investuar apo konsideruar përdorimin e teknologjisë së informacionit (i referohemi këtu pyetjes mbi strategjinë e biznesit) në strategjitë e tyre, ku afërsisht 93% e tyre e kanë pranuar këtë fakt.

• Konkurrenca dhe qasja e bizneseve ndaj saj

Në këtë seksion të pyetësorit bizneset u pyetën se sa konkurrentë të drejtpërdrejtë kanë ata në tregjet e tyre. Qëllimi pas kësaj pyetjeje është për të parë se sa konkurrues është tregu ku operojnë këto biznese. Pyetja tjetër ka si qëllim investigimin e mëtejshëm të këtij aspekti.

Figura 4 Konkurrenca në tregjet ku operojnë bizneset

Nga analiza e të dhënave mbi konkurrencën arrijmë në rezultatin që mbizotërojnë tregjet me pak firma si konkurrentë të drejtpërdrejtë të bizneseve. Rreth 26% e bizneseve janë përgjigjur se kanë 1-4 konkurrentë të drejtpërdrejtë, 17% se kanë 5-9 konkurrentë të drejtpërdrejtë, 13% se kanë 10-19 konkurrentë të drejtpërdrejtë dhe 21% se kanë mbi 20 konkurrentë të drejtpërdrejtë. Siç vihet re edhe nga shifrat, përafërsisht 1/5 e bizneseve operojnë në një treg relativisht konkurrues. Nga ana tjetër, vetëm 2% e bizneseve operojnë në një situatë monopol, pra nuk kanë konkurrentë të drejtpërdrejtë, ndërsa 21% e bizneseve të pyetura nuk kanë dhënë përgjigje për këtë pyetje.

Pyetja tjetër ka si qëllim identifikimin e qasjeve të biznesit në fokusin e diferencimit në raport me konkurrentët. Bizneset janë pyetur se si i rendisin ata, për nga rëndësia, strategjitë e ndryshme për diferencimin e biznesit sipas shkallës Likert; “shumë e rëndësishme”, “e rëndësishme”, “pak e rëndësishme”, e parëndësishme”. Rezultatet e përpunimit të përgjigjeve janë paraqitur në Figurën 5.


Figura 5 Qasja e kompanisë për ta diferencuar biznesin nga konkurrentët

Ofrimi i produkteve dhe shërbimeve të reja dominon për nga pesha e rëndësisë që i jep biznesi këtij aspekti. Pra, rreth gjysma e bizneseve (51.4%) e konsiderojnë ofrimin e produkteve dhe shërbimeve të reja shumë të rëndësishme për të siguruar rritjen, ndërkohë që nëse agregojmë së bashku dy kategoritë e rëndësisë rreth 75% e bizneseve të pyetura e konsiderojnë këtë aspekt si të rëndësishëm apo shumë të rëndësishëm. Shqetësues duket të jetë fakti se afërsisht 53% e bizneseve të pyetura e konsiderojnë përmirësimin e cilësisë apo konkurrencën me cilësi si një aspekt të parëndësishëm të strategjive të tyre të rritjes. Ndoshta kjo për faktin se shumica e bizneseve operojnë në një treg pak ose aspak konkurrues dhe nuk kanë presione nga konkurrentët apo konsumatorët për të përmirësuar cilësinë e produkteve apo shërbimeve që ofrojnë. Ndërkohë që edhe lidhja me konsumatorin dhe reduktimi i kostove janë konsideruar të rëndësishme dhe shumë të rëndësishme, respektivisht 45% dhe 50% e bizneseve të intervistuara.

• Teknologjia e informacionit dhe roli i saj në disa aspekte të menaxhimit

Ky seksion përbëhet nga pyetje të cilat targetojnë tetë aspekte menaxheriale të biznesit. Në Figurën 6 jepen rezultatet për pyetjet që kanë si qëllim të identifikojnë efektet e teknologjise së informacionit në arritjen e konsumatorëve dhe perceptimin e bizneseve për ndihmën që mund të japë kjo teknologji në këtë aspekt.

Figura 6 Situata dhe pritshmëritë nga investimi në teknologjinë e informacionit për uljen e kostove

Rreth 63% e bizneseve të intevistuara janë shprehur se investimi në teknologjinë e informacionit i ka ndihmuar ata për arritjen e konsumatorëve edhe përtej zonave tradicionale të tregjeve. Nga ana tjetër rreth 83% e tyre mendojnë se investimi në teknologjinë e informacionit mund t’i ndihmojë ata për të arritur më shpejt konsumatorët potencialë edhe në zona jashtë atyre tradicionale. Pra, perceptimi i tyre në lidhje me efektet pozitive për arritjen e konsumatorëve nga investimi në teknologjinë e informacionit është optimist.

Përsa i përket efekteve aktuale në reduktimin e kostove si rezultat i investimit në teknologjinë e informacionit, rezultatet tregojnë se 65% e bizneseve pranojnë se ka patur efekte pozitive ndërkohë që afërsisht 35% mendojnë të kundërtën. Perceptimi i bizneseve nëse investimi në teknologjinë e informacionit do të ketë efekte pozitive në reduktimin e kostove është pozitive në afërsisht 66% të rasteve dhe negative në 34% të rasteve. Pra shumica e bizneseve të pyetura kanë një perceptim pozitiv.

Konkluzione dhe rekomandime

Përsa i përket shkallës së përdorimit të teknologjisë së informacionit nga bizneset e vogla dhe të mesme situata ndër bizneset e mesme dhe të vogla të përfshira në studim është e tillë: Afërsisht tri të katërtat e bizneseve të intervistuara përdorin kompjutera në ndihmë të aktiviteteve të tyre të përditshme, ndërsa pothuajse gjysma e tyre përdorin internet me kabëll për të marrë informacion dhe në ndihmë të postës elektronike. Bizneset e mesme dhe të vogla në Shqipëri nuk investojnë mjaftueshëm në teknologjinë e informacionit. Rreth 43% e bizneseve të intervistuara investojnë më pak se 10% të buxhetit të tyre në këtë teknologji, ndërsa një e treta e tyre investojnë 10-20% të buxhetit të tyre. Bizneset që kanë investuar 20-40% dhe më shumë se 40% janë përkatësisht 19% dhe 9%.

Një nga faktorët më nxitës për investimin në teknologjinë e informacionit për bizneset e mesme dhe të vogla është ofrimi i shërbimeve më të mira për klientët (50% e bizneseve e kanë pranuar këtë fakt). Përqindja e faktorëve të tjerë nxitës, si kërkesat e furnitorëve, strategjia e paracaktuar e biznesit, konkurrenca më e ashpër apo kërkesa konsumatore, varion nga 7% deri në 47%. Nëse do të rendisnim tre faktorët më nxitës për bizneset për të investuar në teknologjinë e informacionit ato do të ishin; shërbime më të mira në vendin e parë, pasuar nga konkurrenca e ashpër dhe më tej nga kërkesa konsumatore

Situata e konkurrencës ndër bizneset e mesme dhe të vogla duket një situatë ku dominojnë në 40% të përgjigjeve nga 1 deri në 19 konkurrentë. Mbi 20 konkurrentë duket të jetë një situatë më konkurruese dhe pranohet të jetë e tillë nga vetëm 15% e bizneseve të intervistuara. Pra, vihet re një situatë jo shumë konkurruese në shumicën e bizneseve të mesme dhe të vogla, e cila shpjegohet me faktin se shumica e tyre janë biznese lokale dhe kanë konkurrentë të drejtpërdrejtë vetëm ato biznese që operojnë në zonën e tyre.

Në kushtet e një konkurrence në rritje para bizneseve të mesme dhe të vogla shfaqet sfida e diferencimit për të mbijetuar në tregje. Në rastin e bizneseve të intervistuara në këtë studim ofrimi i produkteve apo shërbimeve të reja kryeson listën e strategjive për diferencim (afërsisht tri të katërtat e biznesve e kanë pranuar këtë strategji si të rëndësishme ose shumë të rëndësishme). Ndërkohë fakti se 53% e bizneseve të intervistuara e konsiderojnë përmirësimin e cilësisë apo konkurrencën me cilësi si një aspekt të parëndësishëm të strategjive të tyre të rritjes, të bën të mendosh se ose konkurrenca nuk është ajo e duhura ose cilësia e produkteve dhe shërbimeve është shumë e mirë. Kjo e fundit është pak e besueshme dhe si rrjedhim arsyeja duhet të kërkohet tek konkurrenca ose tek konsumatori (i informuar dhe diskriminues).

Teknologjia e informacionit ka luajtur një rol të rëndësishëm në uljen e kostove të biznesit. Rreth dy të tretat e bizneseve kanë pohuar këtë fakt. Po ashtu edhe pritshmëritë e bizneseve për rolin e IT në uljen e kostove janë shumë optimiste. 73% e tyre i kanë këto pritshmëri pozitive. Situatë pozitive dhe pritshmëri pozitive konstatojmë edhe përsa i përket rolit të IT në arritjen e konsumatorëve potencialë. Përkatësisht 63% dhe 83% e bizneseve kanë pranuar këtë rol të IT. Situata optimiste vazhdon edhe për dy aspekte të tjera të rolit të IT në rritjen e të ardhurave dhe për shërbime më të mira. Tri të katërtat e biznesve të intervistuara kanë patur eksperiencë pozitive të rolit të IT në rritjen e të ardhurave dhe po ashtu 81% e tyre kanë pritshmëri pozitive në lidhje më rritjen e të ardhurave nga investimi në IT. IT ka ndihmuar për ofrimin e shërbimeve të mira në 83% të bizneseve të intervistuara dhe 90% e tyre kanë pritshmëri pozitive në lidhje me rolin e IT në këtë drejtim.

Pra situata aktuale ka vend për t’u përmirësuar në terma të përdorimit të internetit. Nga ana tjetër duhet theksuar se një pjesë e mirë e bizneseve janë përdorues më të rregullt të internetit me valë. Përmirësimi i cilësisë së produkteve apo shërbimeve duhet të përbëjë thelbin e strategjive të rritjes së bizneseve, sepse konsiderohet në kohët e sotme si një nga strategjitë më të mira për të siguruar avantazh konkurrues.

 

Prof. Assoc. Orkida Totojani
Pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural, UBT

Na Ndiqni në: