Në stadin aktual të zhvillimit të bujqësisë sonë, konstatohet dukshëm një aplikim më i madh i investimeve materiale, ku përdorimi i plehrave kimike zë pa diskutim një ndër vendet kryesore. Rendimentet gjithnjë e në rritje të kulturave bujqësore kërkojnë një përdorim më të madh të plehrave kimike, përdorim i cili mbart në vetvete mundësinë potenciale të ndotjes së mjedisit. Është mjaft e rëndësishme që rritja e sasisë së prodhimit bimor të shoqërohet gjithnjë nga një cilësi e lartë etj. Pa dyshim që kjo varet nga shume faktorë, sepse prodhimi bimor merret në një ekosistem të hapur.
Një nga faktorët që çon në uljen e cilëisë së prodhimit bimor është edhe abuzimi me përdorimin e tepërt të plehrave kimike dhe kryesisht ato azotike. Referuar studimeve të shumta shkencore, ndër kulturat më të ndjeshme në këtë drejtim, janë perimet e sidomos ato gjethore.
Përdorimi i tepërt pa kriter i plehut azotik gjatë kultivimit të tyre çon në një akumulim të joneve nitrate NO3– dhe nitrite NO2– në organet e ndryshme të perimeve. Këto jone mund të mos jenë të dëmshme për vetë bimën, por mund të ushtrojnë veprim toksik tek njerëzit dhe kafshët që konsumojnë atë. Për shkak të akumulimit të lartë të nitrateve në organet e ndryshme të bimës, por sidomos në gjethe, një pjesë e madhe e bimëve perimore përmenden në literaturë si bimë nitratdashëse. Spinaqi, sallata, qepa e njomë dhe lakra janë perimet më kryesore gjethore që konsumohen të freskëta dhe njëkohësisht njihen si bimë nitratmbajtëse.
Problematika e nitrateve
Nitratet, përveç se me ujin e pijshëm, merren me anë të ushqimit edhe nëpërmjet konsumit të perimeve. Kjo shpjegon dhe interesimin e madh që tregohet sot për përmbajtjen e këtyre komponimeve në këto prodhime të rëndësishme nga pikëpamja fiziologjike e sintetike. Mbi të gjitha i kushtohet vëmendje për shkak të efekteve kancerogjene të ushtruara nga produktet që rrjedhin prej tyre, produkte që njihen me emrin nitrozamina.
Jonet NO3– në vetvete nuk kanë toksicitet të lartë, përveç veprimeve ngacmuese mbi aparatin tretës, por ekziston mundësia e reduktimit të tyre në jone nitrite (NO2-), reduktim i cili në bimë është i vogël, ndërsa rritet në aparatin tretës të kafshëve dhe njerëzve. Pikërisht jonet NO2– kanë toksicitet shumë të lartë për organizmat e gjalla. Nitritet që rrjedhin nga nitratet e marra nëpërmjet perimeve sidomos kur këto konsumohen si masë e freskët, lidhen me hemoglobinën e gjakut duke e kthyer atë në methemoglobinë. Në këtë formë hemoglobina nuk është më e aftë të kryejë funksionin lidhës e transportues të oksigjenit në indet e organizmit duke shkaktuar vështirësi në aparatin e frymëmarrjes deri në asfiksi të plotë, diagnozë që në terminologjinë mjekësore quhet cianozë. Kështu pra, përmbajtja e lartë e nitrateve në bimë është një tregues potencial për intoksikimin e konsumatorëve.
Përqëndrimi i tyre sipas autorëve të ndryshëm nuk duhet t’i kalojë shifrat 0,07- 0,1% në masën e thatë bimore. Në Evropë është diskutuar dhe diskutohet gjerësisht mbi pasojat e mundshme që mund të kenë mbi shëndetin e njerëzve nitratet e marra nëpërmjet ushqimit bimor dhe ujit të pijshëm, por në Shqipëri ka pak studime të mirëfillta shkencore në këtë fushë. Ndërsa në Evropë e më gjerë prej kohësh janë miratuar standarte në legjislacionet e shteteve për limitet e përmbajtjes së nitrateve në perime sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vendin tonë akoma nuk ekziston ndonjë ligj për këtë problem me pasoja të rrezikshme. Kjo do të thotë që institucionet përkatëse sa më shpejt që të jetë e mundur, aq mq mirë do të jetë për të vënë në rrugën e zgjidhjes këtë problem.
Referuar studimeve shkencore, në konsumin ushqimor ditor, sasia e nitrateve e marrë nga njeriu nëpërmjet perimeve është mesatarisht 70% (63,7 mg), ndërsa 23% (21 mg) merret nëpërmjet ujit të pijshëm dhe vetëm rreth 7 % (6,3 mg) nga produktet e mishit.
Përmbajtja e nitrateve në perime ndryshon shumë në varësi të kohës së kultivimit, tipit të tokës, metodës së plehërimit, kushteve të klimës, shkallës së pjekjes dhe numrit të bimëve, etj.
Vlerat limit të përmbajtjes së nitrateve në perime të përcaktuara, sot në Evropë janë rreth 2500 – 3000 mg NO3-/kg masë të freskët, vlerë kjo që në të ardhmen tenton të ulet sepse normat e miratuara, nganjëherë diskutohen për hir të tregut.
Perime të ndryshme paraqesin përmbajtje të ndryshme nitratesh. Nëqoftëse i ndajmë në grupe, rezulton se:
1) perimet për frut dhe farë (domate, kastravec, etj) paraqesin vlerat me të ulëta;
2) i ndjekin perimet për frut-rrënjë e rrënjë si panxhari i kuq, rrepa, karrota etj;
3) perimet gjethore (sallata, spinaqi, etj) që janë më të pasurat me nitrate.
Edhe organe të veçanta të një bime paraqesin përmbajtje të ndryshme nitratesh, në veçanti të gjitha ato që shërbejnë për transportimin e lëndëve ushqyese (rrënjë, bishti i gjethes, kërcelli) kanë përmbajtje të lartë nitratesh. Kështu psh, bishti i gjethes tek spinaqi paraqet vlera 3 – 8 herë më të larta se sa gjethja. Frutat e farat janë pa përjashtim të varfëra.
Akumulimi i nitrateve tek perimet gjethore
Akumulimi i nitrateve tek perimet gjethore ashtu si në bimët e tjera, është një fenomen natyral që i detyrohet absorbimit të joneve NO3– në sasi të madhe. Ky proces çon në bllokimin e aktivitetit të nitratreduktazës, enzima që redukton në bimë jonin nitrat në jon nitrit. Akumulime të tilla nxjerrin në pah një sërë problemesh të natyrës shëndetësore, të cilat u përmendën më lart.
Kërkime të shumta të bëra për akumulimin e nitrateve tek perimet gjethore si dhe në specie të tjera, kanë evidentuar që mbi këtë fenomen influencojnë jo vetëm faktorë të jashtëm mjedisorë por edhe faktorë bimorë. Ndër faktorët e jashtëm, më kryesorët mund të përmendim kushtet klimatike (ndriçimi, temperatura, reshjet); agroteknika me dy hallka kryesore: ujitja dhe plehërimi (në veçanti plehërimi azotik), si dhe toka me karakteristikat e saj fizike, kimike dhe biologjike. Ndër faktorët bimorë përmenden më shpesh specia, genotipi, mosha, organet e ndryshme të bimës etj. Le të shtjellojmë më poshtë disa nga faktorët më kryesorë prej nga varet akumulimi i nitrateve tek perimet gjethore.
Kushtet e mjedisit – Drita
Edhe intensiteti i dritës edhe rrezatimi i përgjithshëm, pra gjatësia e ditë luajnë një rol të rëndësishëm në akumulimin e nitrateve tek perimet gjethore. Kjo është e lidhur me aktivitetin e nitratreduktazës e cila në mungesë të faktorëve të tjerë kufizues, zhvillon aktivitetin e saj më të madh në prani të intensitetit më të madh të dritës. Shumë punime kanë treguar që akumulimi më i madh i nitrateve ndodh në periudhën me intensitet të ulët drite në ditët e shkurtra (vjeshtë dhe dimër), sidomos kur përdoren doza të mëdha të plehut nitratik gjatë kultivimit, të cilat janë më evidente në terrene të mbrojtura (serra). Duhet shtuar që kjo jo gjithmonë është e vërtetë. Pamjaftueshmëria e dritës kompensohet nga faktorë të tjerë tëe favorshëm si evapotranspirimi i ulët i bimëve për shkak të lagështisë më të lartë relative të ajrit, gjë që çon në një absorbim më të vogël të joneve NO3-. Faktor tjetër kompesues është aktiviteti më i madh fotosintetik për shkak të përmbajtjes më të madhe të CO2 në ajër apo siç përmendet ndryshe plehërimi karbonik në mjedise të mbrojtura.
Temperatura
Rezultatet që janë arritur nga autorë të ndryshëm mbi ndikimin e temperaturës në akumulimin e nitrateve janë shumë të ndryshme dhe kjo i detyrohet faktit që nivelet termike ndikojnë në procese kontradiktore ndërmjet tyre në marrëdhenie me akumulimin e nitrateve. Kështu, është e vështirë të diferencosh ndikimin e temperaturës mbi dinamiken e azotit në tokë dhe mbi thithjen e joneve nitrat nga bimët.
Lagështia e tokës dhe ajrit
Një sasi e madhe e ujit të vënë në dispozicion nga toka, favorizon thithjen jonike, pra në përgjithësi rrit nivelin e nitrateve në bimë, ndërsa një lagështi e lartë e ajrit duke zvogëluar transpirimin, ul thithjen e nitrateve. Është për të shtuar që edhe një pamjaftueshmëri ujore mund të përcaktojë një akumulim të këtyre komponimeve, aq sa ajo të provokojë një zvogëlim të aktivitetit të nitratreduktazës para se të ketë filluar rënia e thithjes së joneve nitrat.
Përmbajtja e CO2 të atmosferës
Disa autorë kanë zbuluar që përqëndrimet disi të larta të CO2 në atmosferë zvogëlojnë përmbajtjen e akumuluar të nitrateve në bimë. Kjo i dedikohet faktit që funksionimi i nitratreduktazës presupozon praninë e NAD-it, koenzimë e prodhuar nga substratet e fituara nga fotosinteza. Për këtë arsye përqëndrime disi të larta të CO2 frenojnë inaktivizimin e enzimës që u përmend më lart.
Pjelloria e tokës dhe plehërimi, nivelet e elementëve ushqyes në tokë
Përmbajtja e nitrateve në gjethet e perimeve varet nga vënia në dispozicion e elementëve ushqyes të tokës. Rolin më të rëndësishëm në këtë drejtim e luan azoti. Në përgjithësi ka një lidhje pozitive midis sasisë ss azotit të tokës të shfrytëzueshëm nga bima dhe sasisë së nitrateve gjethe. Me rritjen e përqëndrimit të azotit të shfrytëzueshëm nga bima në tretësirën tokësore nga procesi i mineralizimit apo me shtimin e dozës së plehut azotik, rritet edhe sasia e akumulimit të nitrateve në bimë. Duke qenë se pjesa më e madhe e azotit të shfrytëzueshëm nga bima në tretësirën tokësore gjendet në formën e nitrateve, sigurisht që ai përbën edhe burimin kryesor të ushqimit azotik të bimës. Për rrjedhojë rritet edhe përqëndrimi i nitrateve në bimë.
Për kushtet e vendit tonë rekomandohet që në plehërimin e perimeve gjethore dhe sidomos të sallatës, dozat e azotit amoniakal dhe nitratik të mos kalojnë dozat 100-120 kg N/ha.
Përveç azotit edhe potasi i dhënë në doza të larta rrit përmbajtjen e nitrateve, ndërsa shpërndarja në sasi që nuk i kalojnë kufijtë e 100 kg K2O/ha nuk ndikon në akumulimin e tepërt të nitrateve në gjethe.
Fosfori nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm në këtë fenomen, ndërsa pamjaftueshmëria e borit, manganit, bakrit dhe molibdenit mund të shtojë nivelin e nitrateve, meqënëse këto mikroelemente kanë funksione të rëndësishme në aktivitetin enzimatik në proceset e transformimit të komponimeve organike të azotit.
Forma azotike dhe koha e shpërndarjes
Në studimet e shumta që janë bërë për të parë uljen e përmbajtjes së komponimeve nitratike në bimë duke përdorur në procesin e plehërimit formatamoniakale të azotit ose urenë në vend të atyre nitratike, janë marrë rezultate të ndryshme në lidhje me azotin e shpërndarë në varësi të kushteve të mjedisit.
Duke ditur ciklin e shkurtër vegjetativ në kultivimin e spinaqit dhe sallatës është e qartë se përqëndrimi i vogël i joneve nitratike në tretësirën tokësore mund të përcaktojë prezencën më të vogël të nitrateve në bimë ose e thënë ndryshe një akumulim më i vogël i NO3– në gjethe. I njëjti fenomen mund të verifikohet edhe atëherë kur ka kushte të një temperature të ulët mjedisore, e cila stimulon zhvillimin e një mikroflore nitrifikuese të kufizuar duke vonuar kështu kalimin e formës ureike dhe amoniakale në atë nitratike (procesin e nitrifikimit). Por duhet shtuar që në pjesën më të madhe të tokave bujqësore, në kushtet e një temperature mesatare, format amoniakale dhe ureike kalojnë shumë shpejt në atë nitratike, kështu që akumulimi i nitrateve në të dyja rastet nuk ka diferenca të dukshme.
Një ulje e përmbajtjes së nitrateve mund të arrihet sidomos kur përdoren doza të ulëta të plehrave azotike, megjithëse kjo mbart në vetvete edhe rrezikun e uljes së prodhimit. Duhet përmendur edhe studimi rreth inhibitorëve të ndryshëm të nitrifikimit si nitropirina, DCD (diciandiamida) që i shtohen p.sh. sulfatit të amonit. Rezultatet e fituara me këto komponime janë shumë kontradiktore dhe në çdo rast, një zvogëlimi të përmbajtjes së nitrateve i korrespondon shpesh një ulje e prodhimit.
Për sa i përket kohës së shpërndarjes, konstatohet që shpërndarja e bërë duar-duar pas mbjelljes në krahasim me atë totale para mbjelljes, përcakton një përmbajtje më të lartë të nitrateve në gjethe.
Ndryshimi i përmbajtjes së nitrateve në lidhje me genotipin, fazen dhe kohën e rritjes
Diferenca në akumulimin e nitrateve rezultojnë jo vetëm ndërmjet specieve të ndryshme perimore, por edhe ndërmjet kultivarëve të ndryshëm të së njëjtës specie në varësi të karakteristikave të tyre gjenetike produktive e cilësore.
Sasia e nitrateve e pranishme në indet e mostrave të ndryshme bimore të analizuara, si gjatë ditës ashtu edhe gjatë fazave të zhvillimit të bimës, tenton të zvogëlohet me rritjen e moshës. Ndryshimet ditore janë të lidhura me aktivitetin ciklik të nitratreduktazës, aktivitet i cili është i lidhur me ndryshimin e intesitetit të dritës. Këtë pohim e mbështesin rezultate të shumta që konfirmojnë se nivelet më të larta të përqëndrimit të NO3- në bimë janë në mëngjes ndërsa më të ultat në mbrëmje.
Organet e bimës
Pjesë apo organe të ndryshme të bimës paraqesin përmbajtje të ndryshme nitratesh. Praktikisht p.sh. tek sallata në gjethet e jashtme jeshile më të vjetra përmbahet një sasi më e madhe nitratesh në krahasim me ato të brendshme më të reja dhe kjo për arsye se jonet NO3– përqëndrohen me tepricë në vakuolat duke rritur përmasat në qelizat e vjetra (adulte). Akumulimi i nitrateve tek sallata ashtu si tek perimet e tjera është një fenomen shumë kompleks për sa i përket ndikimit të faktorëve të mjedisit, agroteknikës dhe sidomos procesit të plehërimit. Megjithatë ekzistojnë mundësitë për ndërhyrje në drejtim të pakësimit të pranisë së këtyre komponimeve në bimë dhe këto janë:
- Zgjedhja e kultivarëve që për nga karakteristikat gjenetike të jenë të tilla që të pakësojnë këtë fenomen.
- Plehërimi azotik që duhet të kryhet mundësisht i gjithi para mbjelljes. Sasia e azotit të shpërndarë duhet të ketë parasysh edhe formën minerale të tij (azot nitratik dhe amoniakal) të pranishëm në tokë si rrjedhojë e procesit të mineralizimit, në mënyrë që shuma e këtyre të fundit me atë të shtuar nëpërmjet procesit të plehërimit të mos kalojë vlerat120kg N /ha.
- Nuk duhet të jenë të pamjaftueshëm në tokë mikroelementët bor, mangan, bakër dhe molibden që ndikojnë në mirëfunksionimin e enzimës nitratreduktazë.
- Ujitje të rregullta efektive pa teprime e mungesa.
- Vjelja të kryhet mundësisht gjatë fundit të ditës (në mbrëmje).
Në fund konsumatori më tej do të mund të mbrohet duke konsumuar gjethet më të brendshme e më pak të vjetra, sepse siç u përmend më lart, nitratet grumbullohen me tepricë në gjethet më të pjekura (vjetra) ku volumi i vakuolave është më i madh.
Në vendin tonë rezulton se deri tani studime të mirëfillta të shoqëruara edhe me eksperimente fushore për këtë problem janë të pakta. Vitet e fundit kanë filluar të kryhen në laboratorë të ndryshëm analiza kimike në mënyrë sporadike për përmbajtjen e nitrateve vetëm për perimet që eksportohen të kontraktuara në serrat e disa fermerëve por këto janë të pamjaftueshme për të hedhur dritë në rëndësinë e këtij problemi.
Pikërisht duke parë rëndësinë aktuale të rrezikut të akumulimit të nitrateve në perime, rekomandohet që të ndërmerren studime rajonale, të cilat përveç se paraqesin leverdi ekonomike sepse lidhen me përdorimin me efektivitet të plehut azotik në perime, por nga ana tjetër pretendohet të ndikohet direkt në përmirësimin e cilësisë së prodhimit për treg, duke pasur në këtë mënyrë një impakt pozitiv jo vetëm në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve por edhe në ruajtjen e mbrojtjen e mjedisit në përgjithësi.
Prof. Dr. Ardian Maci
Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.